Liderët si monstrumat, populli DO ÇLIRIM NGA REGJIMI MAFIOZ - Lajme - Kosova Sot
Liderët si monstrumat, populli DO ÇLIRIM NGA REGJIMI MAFIOZ

Liderët si monstrumat, populli DO ÇLIRIM NGA REGJIMI MAFIOZ

Zeqa: Gradualisht po rrënohet shteti i Kosovës në themel, pikërisht nga kjo klasë politike e inkriminuar!

"Populli i Kosovës është lodhur së tepërmi me hipokrizinë e politikanëve të tij dhe gjendja ka arritur deri aty, saqë Hashim Thaçi është kthyer në njeriun më të urryer. Prandaj, Hashim Thaçi jo vetëm që duhet të japë dorëheqje, por duhet edhe të japë llogari dhe të përgjigjet për tradhti të lartë kombëtare, si një njeri i kompromentuar, një mashtrues, gënjeshtar dhe një njeri që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, e që Kosovës në skenën politike nuk i duhet fare, e aq më pak të jetë president i saj", thotë analistja Liridonë Bislimi për "Kosova Sot" 

Sipas vlerësimit të analistëve politikë në vend, në këto dy dekada të përpjekjes për shtetndërtimin e pasluftës, kasta politike nuk ka arritur ta dëshmojë veten se i ka në prioritet zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe instalimin e demokracisë së qëndrueshme. Vlerësimi është negativ, sepse sipas analistëve është krijuar bindja që të gjithë këta që qeverisën dhe po vazhdojnë të qeverisin edhe sot vetëm e shkatërruan shtetin e Kosovës. Kjo klasë politike, me këta liderë që për dy dekada janë në skenën politike e oligarkike, të cilët përveç inkriminimit në krim të organizuar, e të cilin e njohin dhe e dinë shkëlqyeshëm, nuk bënë asgjë të mirë për shtetin dhe popullin, por përkundrazi e shkaktojnë shtetin në baza ditore, dëme të pariparueshme. Kjo është arsyeja , sipas analistëve, pse e kanë humbur tërësisht besimin shumica absolute e qytetarëve, por tani edhe bashkësia ndërkombëtare. Është pikërisht kjo klasë politike e kriminalizuar, thonë analistët, në krye me Hashim Thaçin dhe të tjerët pa dallim, e cila arriti që të vërë në dyshim edhe përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme për vetë ekzistencën e shtetësisë së Kosovës, për çka tani timonin e përgjegjësisë po e mban në dorë vetë Hashim Thaçi, por pa përjashtuar as edhe njërën parti politike aktuale në Kosovë.

Shkodra:Në gjyqësi dhe në prokurori i mbajnë njerëzit që nuk e ngasin pushtetarin
Ndërsa analisti politik, Shefik Shkodra, tha për "Kosova Sot" se klasa politike, që e quajnë veten politikanë dhe që populli ka votuar për ta, që dhjetë vjet e më tepër, pa e llogaritur kohën e UNMIK-ut, asnjë sektor nuk ka mundur ta rregullojë e ta drejtojë pa vërejtje e pasoja."Pa u lodhur kurrë që të hapin vende të reja pune. Vetëm administratën duke e ngarkuar për interesa të tyre, për vota, duke e menduar që në pushtet të mbeten si në përjetësi. Pra, një sistem i feudalizmit të hershëm, me 'agën' dhe argatët, deri në shfrytëzimin maksimal në sektorin privat. Krejt kjo ka rrjedhur nga këta njerëz, që vetëm vendin (karrigen) e kanë ndërruar. Kur themi se asnjë sektor nuk ka shkuar në rregull, mendojmë në ligjin në radhë të parë. Pa ligj nuk qeveriset asnjë vend, asnjë kompani, asnjë institucion... Ligjin e kanë përshtatur për veten. P. sh. nëse ndonjëri është zënë në korrupsion, gjyqi në fund nuk e ka dënuar. Por, një qytetar i rëndomtë dënohet për njëqind euro", theksoi Shkodra."Në gjyqësi dhe prokurori i mbajnë njerëzit që nuk e ngasin pushtetarin, as që e thërrasin në përgjegjësi. Në arsim kanë dërguar njerëz analfabetë... Të gjithë atyre që kanë mbetur me një shkollim të ulët t'u bëhet e mundshme kryerja e fakulteteve dhe doktoratave. 'Ata na duhen ne, janë të partisë sonë!' Janë qindra e mijëra falsifikime. Edhe në shëndetësi nuk ka qetësi, atje bëhen allishverishe në barna, në material shpenzues, në kuadro, në udhëheqje, në tenderë. Në ekonomi është llugë. Tregtia është e manipuluar nga oligarkët dhe klasa në pushtet. Nuk udhëheqin, po sundojnë", tha analisti Shefik Shkodra.

 ZEQA: KOSOVA ËSHTË SHNDËRRUAR NË SHTET TË KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE I NËNTOKËS E MAFIO-OLIGARKËVE
Sipas analistit Florim Zeqa, klasa e papërgjegjshme politike me këta liderë të korruptuar dhe të tejinkriminuar për dy dekada rresht e shkatërruan shtetin e Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë diplomatik."Përveç përfshirjes së pjesës dërmuese të politikanëve në krim të organizuar, e shkatërruan shtetin në mënyrë sistematike dhe në baza ditore, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme. Klasa e inkriminuar apo më mirë të themi kusarët politikë të Kosovës, përveç humbjes së besimit tek qytetarët e vendit, e kanë humbur besimin edhe tek ndërkombëtarët shkaku i gënjeshtrave dhe mashtrimeve që iu bënë qytetarëve, skandaleve dhe abuzimit të pushtetit për interesa personale", u shpreh ai."Edhe pse kinse 11 vjet shtet i pavarur dhe mbi 19 vjet në liri, Kosova është shndërruar në shtet të krimit të organizuar dhe i nëntokës e mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve", vlerësoi Zeqa për "Kosova Sot". "Klasa politike e kriminalizuar, në krye me Hashim Thaçin dhe të tjerët pa dallim, përveç degradimit dhe humbjes së imazhit të shtetit, e kanë vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e shtetësisë së Kosovës. Shembulli më i keq është presidenti Thaçi me klikën e tij, të cilët për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, ngado që shkojnë, pa ndërprerë e propozojnë ndarjen e Kosovës, thuajse Kosova është pronë e tyre private! Kësisoj, gradualisht po rrënohet shteti i Kosovës në themel, pikërisht nga kjo klasë politike e inkriminuar, në krye me të parin, Hashim Thaçin, por pa përjashtuar as edhe njërin lider apo parti politike aktuale në Kosovë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

QARRI: KOSOVËN E BËNË KUAZISHTET, PA EKONOMI TË TREGUT, POR ME MONOPOLE KRIMINALO-EKONOMIKE PËR POLITIKANËT, PA SUNDIM TË LIGJIT, POR ME KRIM TË ORGANIZUAR!
Një përshtypje dhe vlerësim kaq negativ e ka edhe analisti politik, Gani Qarri, i cili i tha gazetës se kjo klasë politike, me liderë të inkriminuar, të cilët për dy dekada janë në krye të skenës politike e oligarkike, përfundimisht e shkatërruan shtetin e Kosovës dhe, përveç pjesëmarrjes në krim të organizuar, e të cilin e njohin dhe e dinë shkëlqyeshëm, nuk bënë asgjë të mirë për shtetin dhe popullin Kosovës, por përkundrazi i shkaktojnë shtetit në baza ditore dëme të pariparueshme qindra milionëshe. "Ndaj, jo vetëm shumica e qytetarëve vendorë që e kanë humbur tërësisht shpresën në këtë klasë të inkriminuar politike, por tanimë së fundmi edhe vetë Bashkësia Ndërkombëtare nuk shpreh kurrfarë besimi në pushtetarët e inkriminuar aktualë. Kështu që megjithëse Kosova gati për gati 11 vjet njihet si shtet i pavarur dhe 19 vjet kinse vend në liri, ajo po mbetet një shtet puro i krimit të organizuar dhe i nëntokës e mafio-oligarkëve në rajon e më gjerë. Një kuazishtet, pa ekonomi të tregut, por me monopole kriminalo-ekonomike për politikanët, pa sundim të ligjit, por me krim të organizuar, pa arsim dhe me gjysmanalfabetë,pa shëndetësi e me shumë të sëmurë. Politikanët e inkriminuar e shndërruan shtetin tonë të brishtë, në oazë të krimit të organizuar dhe çiflig privat pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve të këtij vendi të shkelur e sunduar nga mafio-politika", potencoi Qarri për "Kosova Sot".

BISLIMI: KJO KLASË POLITIKE E KRIMINALIZUAR, NË KRYE ME HASHIM THAÇIN DHE TË TJERËT, S'LANË GJË PA I BËRË KËTIJ POPULLI!
Sipas politologes Liridonë Bislimi, populli i Kosovës nuk është turmë, aq më pak i paarsyeshëm, aq më pak i dhunshëm, aq më pak i paditur, por në anën tjetër është një individ - irracional, i dhunshëm, injorant, aq më shumë që rastis të jetë një shumicë e partive politike së bashku me presidentin e vendit."Kjo klasë politike e kriminalizuar, në krye me Hashim Thaçin dhe të tjerët, s'lanë gjë pa i bërë këtij populli, ata e gënjyen, e fyen, e vodhën, e rrudhën, për afër 11 vjet shtet i pavarur dhe mbi 19 vjet kinse në liri, një shtet i krimit të organizuar dhe i nëntokës e mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve të një vendi", u shpreh ai."Për 19 vjet me radhë pushtetarët e Kosovës nuk e ndërtuan ekonominë, që rinia të mos ikën në kurbet e të nxjerrë bukën e gojës, duke u përballur me ksenofobinë e racizmin, ia vodhën dinjitetin popullit të Kosovës dhe e shpërdorën atë për vjedhjen e pasurisë së përbashkët, uzurpimin e pronave publike dhe shkatërrimin e ekonomisë sonë, e cila u bë private dhe e tyre, nuk ndërtuan një marrëdhënie partneriteti me politikanët e diplomatët ndërkombëtarë e evropianë, por një marrëdhënie servilizmi e oportunizmi, përuljeje, pa integritet. Për 19 vjet me radhë, pushtetarët e Kosovës, përmes negociatave pa parime, përmes lëshimeve pa hesap, përmes mbulimit të së vërtetës, e kanë rehabilituar jo vetëm Serbinë, e cila nuk na njeh, por edhe politikanët e linjës çetnike, si Vuçiqi e Daçiqi. Këta të fundit fillimisht u bënë partnerë të preferuar të Prishtinës, e vetëm pas kësaj të Brukselit", vijoi më tej Bislimi.

BADALLAJ: A KA TRADHTI MË TË MADHE SE HASHIM THAÇI QË VETËM PËR TË SHPËTUAR BISHTIN E TIJ NGA GJYKATA SPECIALE, SHET VENDIN?!
Analisti Reshat Badallaj konsideron se këto parti politike më shumë ngjajnë në disa banda sesa në subjekte politikë të mirëfillta, që ndërtojnë një demokraci plurale të shteteve moderne."Së pari, bandat politike nuk kanë punuar për shtet, por këto banda politike, të udhëhequra dhe të mbushura me kryebanditë dhe banditë, kanë luftuar për të kapur shtetin. Dhe më pas këta banditë formuan klanet mafioze të nëntokës kriminale dhe mafiooligarkësh dhe në mënyrën më mafioze e shkatërruan shtetin duke e plaçkitur dhe kjo klasë banditeske që para lufte ishin fukarenj, u bënë supermilionerë", tha Badallaj për "Kosova Sot"."Ndoshta populli edhe do të falte shumëçka nga këto të bëra të kësaj kaste politike, për t'i dhënë grushtin e fundit në theqafje, por nuk mund të falë tradhtinë që tani po i bëhet nga krerët e shtetit me marrëveshje të fshehta apo publike me Serbinë."A ka tradhti më të madhe se Hashim Thaçi që vetëm për të shpëtuan bishtin e tij nga Gjykata Speciale shet vendin tamam si dikur Zogolli e Toptani. Hashim zeza po përfiton në kohë, sepse bandat e tjera politike kanë vdekur, qoftë të pozitës, qoftë opozita që hanë me të njëjtën lugë të hajnisë", tha Badallaj për "Kosova Sot". 

Qytetarët tepër të irrituar nga politikanët e mbrapshtë
Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta janë deklaruar krejtësisht të zhgënjyer e mashtruar nga kjo kastë politike, e cila, sipas tyre, vetëm e ka shkatërruar shtetin e Kosovës, me këta liderë që për dy dekada janë në skenën politike e oligarkike, të cilët përveç zhytjes në krim nuk bëjnë asgjë të mirë për shtetin dhe popullin. Sipas qytetarit Bilall Demiri, përparimet në këta 20 vjet të pasluftës janë minimale, për të mos thënë se është vendnumëruar dhe nuk është bërë asgjë, mirëpo fare pak ka përfituar qytetari i zakonshëm, sepse kasta politike më shumë ka shikuar interesin e vetë."Në aspektin e përgjithshëm çfarë ka mundur të bëhet, me këta njerëz në politikë, që e kanë udhëhequr politikën dhe që ne këta njerëz i kemi njohur, nuk është vepruar dhe punuar sa duhet. Lirisht mund të them, është mendim imi, se politikan të mirëfilltë që angazhohet për popullin dhe shtetin, pas presidentit Ibrahim Rugova, deri tani nuk ka pasur. Kryesisht ka dominuar dhe po dominon interesi personal, grupor dhe partiak, janë këto tri elementet kryesore që e kanë prishur krejt rrjedhojën deritanishme politike dhe po e dëmtojnë zhvillimin e vendit dhe perspektivën e qytetarit, prandaj jemi këtu ku jemi, ku asnjë qeveri nuk e kemi të sigurt as me stabilitet të jetëgjatësisë, por as me plan e program për zhvillimin e vendit", theksoi Demiri për "Kosova Sot". Ndërsa Xhafer Thaçi thotë se kjo kastë politike i ka shkatërruar edhe ato të mira që Kosova i ka pasur trashëgim nga periudha e paraluftës, sa ishte një lloj autonomie edhe ashtu e cunguar, sepse pas luftës vetëm aq sa na ka mbështetur Perëndimi dhe SHBA-të kemi mbijetuar, ngase kasta politike është krejt e papërgjegjshme. "Këta vetëm sa janë duke e degraduar shtetin dhe nuk kanë asgjë që bëjnë në të mirë të vendit. Është një degradim total, sepse në çdo segment po vlon hajnia, korrupsioni, sepse këta janë të interesuar vetëm që të pasurohen për veten e tyre. Askush nga këto pushtete deri tani nuk kanë punuar për interesin e qytetarit, duke filluar që nga UNMIK-u, sepse këta edhe UNMIK-un e korruptuan ashtu akoma më shumë dështoi edhe misioni i EULEX-it, që ky si mision i fundit e ndoti ambientin krejtësisht, kurse tani po shihet që këta janë në gjendje ta kallin edhe shtetin vetëm për ta pamundësuar veprimin e Gjykatës Speciale", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas Thaçit, kjo gjykatë më shumë do të duhej të merret me krimet e pasluftës, me krim të organizuar e korrupsion, se sa ato të luftës, sepse hajnia e madhe dhe krimi që po e shkatërron shtetin kanë ndodhur në përmasat alarmante kryesisht pas luftës.

(Kosova Sot)

9 orë e 32 minuta më parë
12/12/18