Ministrin Tahiri, Thaçi e tërheq, Veseli e mban

  • 11 October 2018 - 08:12
Ministrin Tahiri, Thaçi e tërheq, Veseli e mban

Guraziu: Ky ministër absolutisht nuk guxon të vendosë asgjë siç e kërkojnë ligji dhe Kushtetuta, por është vetëm një lodër e shefave të tij dhe bën vetëm çka ata i thonë

"Skeçi humoristik në teatrin politik, se kinse po tërhiqem, por s'po më lejon shefi, që ishte i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, tregon qartë se në çfarë klime politike jetojmë sot ne si shtet. Dorëheqja e afruar e ministrit e të Drejtësisë tregon qartë se drejtësia është deformuar nga ndikimet politike ku shefi i z. Tahiri, Hashim Thaçi, është mbreti i ndikimeve dhe në gjyqësi, në prokurori, në polici dhe AKI e me radhë", thotë analisti Naim Miftari

Duke analizuar dorëheqjen e ministrit te Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe pastaj që ndodhi edhe tërheqjen nga dorëheqja, analistët dhe ekspertët e drejtësisë theksojnë se ky lloj teatri është dëshmia më e mirë që flet se sa të varur janë ministrat nga shefat e tyre, prandaj edhe kjo ndodhi ashtu pasi u urdhërua nga shefi tjetër, Kadri Veseli. Kjo tregon, sipas analistëve, se ky ministër absolutisht nuk guxon të vendosë asgjë siç mendon dhe siç e kërkojnë ligji dhe Kushtetuta, por është vetëm një lodër e shefave të tij dhe bën vetëm çka ata i thonë. Sipas analistit Blerim Burjani, secili ministër, i cili dërgohet nga lideri, është vetëm njeri që shkon për të kryer punë për shefin. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh tani edhe në MD, me rastin e ministrit Abelard Tahiri. "Atij i bëhet presion në vendimmarrje, në politika dhe në gjithçka tjetër. Partitë politike në Kosovë nuk kanë platformë për asgjë, për shembull ato edhe në drejtësi dhe politika tjera sektoriale zbatojnë vetëm politika të administratës shtetërore dhe bëjnë një bashkëpunim me shërbimin civil në program ministror dhe e zbatojnë atë sipas kërkesave që ka ministri. Pra, partitë nuk kanë program që zbatojnë kur shkojnë në qeverisjen e vendit", u shpreh ai.

MIFTARI: ME SERVILË TË NËNTOKËS POLITIKE NUK FUNKSIONON SHTETI, AQ MË PAK DREJTËSIA DHE SUNDIMI I LIGJIT Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, i tha gazetës se pa një pastrim total një DEZINFEKTIM
të drejtësisë nga korrupsioni dhe ndikimi i mafisë politike nuk do të ketë kurrë sundim të ligjit, me këtë hajna, sepse me servilë të nëntokës politike nuk funksionon shteti, aq më pak drejtësia dhe sundimi i ligjit. "Skeçi humoristik në teatrin politik se kinse po tërhiqem, por s'po më lejon shefi, që ishte i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, tregon qartë se në çfarë klime politike jetojmë sot ne si shtet. Dorëheqja e afruar e ministrit e të Drejtësisë tregon qartë se drejtësia është deformuar nga ndikimet politike ku shefi i z. Tahiri, Hashim Thaçi, është mbreti i ndikimeve dhe në gjyqësi, në prokurori, në polici dhe AKI e me radhë", vlerësoi Miftari."Të gjithë janë nën ndikimin e Hashim Thaçit dhe klanit 'Pronto'. Prandaj, e kam cekur edhe më herët se kjo strukturë shtetërore politike, kjo qeverisje, është vetëm teatër i kukullave, pasi nuk është me rëndësi kush është kryeprokuror e kush ministër, kush është kryeministër, pasi dihen mirë se kush janë shefat në Kosovë", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

Shërbëtorë të liderit
Sipas Burjanit, ministri është i lidhur vetëm për një njëri, pra për lideri. "Dhënia dorëheqje ka mundur të jetë lidhur edhe për rastin e veteranëve të rrejshëm, por nuk ka dilemë se në PDK po shpërfaqen dy rryma, ajo e Hashimit dhe e Kadriut. Kadriut tani nuk i lejohet të jetë i pavarur për të bërë politikë në PDK , Hashimi e pengon dhe nuk e lejon fuqizimin e Kadriut në këtë parti. Tani dihet që Kadriu varet komplet nga Drenica se a do të jetë dhe sa kohë do të jetë kryetar i PDK-së. Këta njerëz apo ky grup i njerëzve në PDK udhëheqin shtetin, drejtësia nuk është interes i tyre fare, interesi i tyre është vetëm kur të atakohet prona dhe plaçka, tjerat nuk janë me rëndësi", vlerësoi më tej ai. "Ministrat nuk vijnë në post se janë profesionistë, sepse po të ishin profesionit japin dorëheqje ditën e parë të marrjes se postit në momentin që interferohet në punën e tyre, por këta kanë poste të falura, janë joadekuate në profesion dhe të varur nga lideri. Edhe Abelardi i ka shërbyer gjatë Hashim Thaçit dhe ai normal se është më besnik i Thaçit sesa i Kadriut dhe kjo është e qartë", tha Burjani për "Kosova Sot".
 

GURAZIU: ABELARD TAHIRI, NJË LODËR E SHEFAVE
Analisti tjetër politik, Ragip Guraziu, thekson se teatri i dorëheqjes dhe të pendimit të shpejtë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ngjan krejtësisht në një lojë fëmijësh apo tregti të pastër politike. "Edhe në politikë po u bëka tregti me ministra, siç ndodhi me ministrin Abelard Tahiri, një lodër e shefave se kush është më i forti tek ministrat e tij, ministri apo shefi, dhe kjo s'do koment me rastin e ministrit Tahiri. Kjo u dëshmua më së miri edhe me dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe pastaj tërheqja qesharake nga dorëheqja, që është përfundimisht dëshmia më e mirë, e cila konstaton se sa të varur janë ministrat nga shefat e tyre, prandaj edhe kjo ndodhi ashtu pasi u urdhërua nga shefi tjetër, Kadri Veseli. Tani ky rast do të ishte si tregues se ky ministër absolutisht nuk guxon të vendosë asgjë siç mendon dhe siç e kërkojnë ligji dhe Kushtetuta, por është vetëm një lodër e shefave te tij dhe bën vetëm çka ata i thonë", theksoi Guraziu për "Kosova Sot". Ai e vë në pikëpyetje të madhe gjithë personalitetin dhe integritetin moral e personal të ministrit Tahiri. "Pyetja ime kishte të bëjë se si mund të flasë dhe të shkruajë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, edhe pasi u detyrua të tërheqë dorëheqjen si një shërbëtor i përkushtuar i shefit, për fytyrën e re të sistemit të Drejtësisë, për barazinë, neutralitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin, kur edhe vetë ai është instrument i ndërhyrjes i politikës së inkriminuar dhe nëntokës që po e sundon realisht sistemin e drejtësisë dhe çdo gjë tjetër në Kosovë", u shpreh më tej Guraziu për "Kosova Sot". "Edhe vetë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është instrument i tërë kësaj kapje të thellë dhe të inkriminuar të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ashtu siç janë të kapur edhe i tërë sistemi i drejtësisë dhe se me këta njerëz nuk ka dhe nuk do të këtë kurrë asnjë shans që të ketë sundim të ligjit në Kosovë, por vetëm sundim të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale", tha Guraziu për gazetën "Kosova Sot".
 

Rivaliteti në PDK 
Sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendi, pas largimit të z. Thaçi nga kryetari i partisë kanë mbetur dhe kontrollohen nga ky, një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të organeve të partisë, si të Kryesisë dhe të KP të partisë. "Ndërsa, në anën tjetër, është struktura tjetër me z. Veseli, e cila po do të konsolidohet dhe të marrë partinë në udhëheqje. Aktualisht është një fërkim i ashpër midis këtyre dy grupeve informale dhe e tërë kjo ka çuar të një përpjekje e ashpër midis grupeve për të marrë partinë. Në këtë kontekst është edhe dorëheqja e paraqitur dhe e mospranuar nga ministri i Drejtësisë apo edhe nga ndonjë ministër tjetër", shprehet ai. "Qëllimi ishte dhe mbetet vënia në presion e udhëheqjes aktuale të PDK-së nga grupi i kontrolluar nga z. Thaçi. Ky assesi nuk po mund të ndahet nga partia dhe në çdo mënyrë po përpiqet të rikthen partinë e humbur. Ai po punon në dy mënyra: 1. Në fushën politike duke dalë kundër partisë dhe 2. Në fushën e marrjes së udhëheqjes së partisë me njerëzit e vetë. Këto dy masa po zbatohen aktualisht nga z. Thaçi dhe kundër tyre po duket se është z. Veseli. Kjo u vërejt edhe gjatë kohës së fundit. Ajo u vërtetua me dorëheqje dhe me shoqërim që i bën dy a tre ministra z. Thaçi në Ujman. Por, z. Veseli po duke se po tregohet i vëmendshëm. Kjo si duket për të ruajtur partinë. Sa do të realizohet kjo mbetet të shihet", tha Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)