Pa rritje dyshifrore, Kosova mbetet e fundit në rajon - Lajme - Kosova Sot
Pa rritje dyshifrore, Kosova mbetet e fundit në rajon

Pa rritje dyshifrore, Kosova mbetet e fundit në rajon

Të varfër e të papunë, qytetarët kosovarë më të prapambeturit 

Gati dy dekada nga përfundimi i luftës, Republika e Kosovës, krahasuar me vendet e rajonit, po vazhdon që të ketë vlerat më të ulëta të Bruto Produktit Vendor (BPV) për kokë banori. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3566 euro. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e rajonit, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2017 është: Mali i Zi - 6.646 euro, Serbia - 5.126 euro, Maqedonia - 4.757 euro, Bosnja dhe Hercegovina - 4.473 euro, Shqipëria - 3.983 euro. Analistët vlerësojnë se në këtë drejtim Qeveria duhet që të përmirësojë kushtet e të bërit biznes, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të rrisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht edhe rritje të Bruto Produktit Vendor. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të çuditemi se pse jemi të fundit në rajon sa u përket të ardhurave për kokë banori. "Qeveria cilado qoftë ajo duhet që të krijojë kushtet e të bërit biznes, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të rrisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomike, rrjedhimisht edhe rritje të Bruto Produktin Vendor", vlerësoi ai. Sipas Salihut, përderisa në pushtet të jetë kjo kastë e sundimtarëve, Kosova do të ketë vetëm stagnime në fushën e ekonomisë dhe rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.

Kosovës i duhen 6 dekada për të arritur BE-në
Ndërsa, anëtari Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot", thotë se është për keqardhje se sa jemi larg rajonit për të ardhurat për kokë banori. "Aq më tepër kur dihet që Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e Bashkimit Evropian është 29.396 euro. Andaj, sipas Bankës Botërore, për të arritur këtë vlerë të të ardhurave sikurse në vendet e BE-së, Kosovës i nevojiten rreth gjashtë dekada", u shpreh ai. "Pika më neuralgjike dhe më e dobët e pasluftës në të gjitha qeveritë e deritashme ka qenë mungesa e sundimit të ligjit që i ka shkaktuar të gjitha këto të këqijat Kosovës. Andaj, pa sundim të ligjit dhe pa një qeverisje me duar të pastra edhe kjo Qeveri e tashme nën drejtimin e z Ramush Haradinaj, Kosova do ta ketë një të ardhme të zymtë ekonomike, por edhe politike", potencoi më tej Maloku. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Kosova ka trashëguar nga ish-Jugosllavia një prapambetje të thellë ekonomike karshi të gjitha Republikave të tjera. "Edhe periudha e pushtimit nga Milosheviqi e ka thelluar edhe më tepër këtë prapambetje. Në kushtet e trashëgimisë së prapambetjes së thellë ekonomike, edhe pse pas luftës Kosova ka pasur rritjen më të madhe ekonomike, prapëseprapë ka qenë e pamjaftueshme për të zënë hapin me vendet në regjion", u shpreh ai. Sipas Abazit, Kosova ka Bruto Produktin Vendor dhe të ardhurat për kokë banori më të ulëtat në rajon. "Për ta zënë hapin me vendet në regjion dhe ndoshta edhe për t'i tejkaluar këto, Kosovës i duhet rritje mesatare vjetore në ekonomi më shumë se 10 për qind në vit. Por,për të realizuar një rritje të tillë ekonomike, Kosovës i duhet të ketë edhe më të konkurrueshme kushtet e të bërit biznes, t'i zgjidhë të gjitha problemet politike me Serbinë dhe të pranohet në organizatat ndërkombëtare", potencoi ai.

AKTIVIZIMI I RESURSEVE
"Duke përmirësuar kushtet e biznesit dhe të zgjidhë problemet politike me Serbinë, Kosova bëhet vend atraktiv për investitorët e huaj dhe vendorë dhe do të jetë në gjendje t'i aktivizojë të gjitha resurset strategjike ekonomike që tash për tash janë të fjetura", tha Milazim Abazi për "Kosova Sot".

EKONOMIA E SUNDUAR
"Është vërtet për keqardhje të madhe që këta hapa nuk i kanë bërë asnjëra nga qeveritë tona të deritashme, por përkundrazi që të gjitha qeveritë, përfshirë edhe këtë aktualen të z.Ramush Haradinaj, kanë heshtur duke lejuar sundimin edhe në këtë sektor e kanë mafio-oligarkët që po ua lagin fytin pushtetarëve,qoftë në nivelin qendror,apo në nivelin komunal", u shpreh Salih Salihu për "Kosova Sot".

MALI I ZI NË KRYE
Vendet e rajonit kanë përmirësuar dukshëm rritjen e të ardhurave, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për vitin 2017 është:Mali i Zi - 6.646 euro, Serbia - 5.126 euro, Maqedonia - 4.757 euro, Bosnja dhe Hercegovina - 4.473 euro, Shqipëria - 3.983 euro dhe Kosova - 3.372 euro.

PUSHTETARËT MILIONERË
"Përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve, që shumë nga ta janë milionerë e që besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve, biznesi kosovar po has në barriera jologjike, konkurrenca jolojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot".

Varfëria, ende sfidë e madhe
Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3.566 euro. "Pra, Republika e Kosovës ende vazhdon të jetë mbrapa vendeve të rajonit, si pasojë e politikave të gabueshme qeveritare, kosovarët ende jetojnë në kushte ekstreme, përderisa vendi ka potencial të lartë të zhvillimit ekonomik, andaj shteti me mekanizmat e tij duhet të krijojë mundësi që qytetarët të jetojnë me dinjitet", vlerësoi ai. Sipas ASK-së, rritje reale për vitin 2017 kishte në këto aktivitete ekonomike: Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (31.4 për qind); ndërtimtari (8.6 për qind); tregti me shumicë dhe pakicë, riparim të automjeteve dhe motoçikletave (4.5 për qind); informim dhe komunikim (3.4 për qind); industri nxjerrëse (3.1 për qind) ; industri përpunuese (3.0 për qind); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (2.8 për qind); transport dhe magazinim (2.8 për qind); bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim (2.7 për qind); afarizëm me pasuri të patundshme (2.6 për qind); furnizim me energji elektrike dhe me gaz (2.5 për qind); aktivitete administrative dhe mbështetëse (2.5 për qind); hotele dhe restorante (2.4 për qind); art, zbavitje dhe rekreacion (1.9 për qind); shërbime të tjera (1.2 për qind); shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale (1.1 për qind); furnizim me ujë (1.1 për qind); administrim publik dhe të mbrojtjes, sigurim të detyrueshëm social (0.9 për qind). Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare, dhe sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia sillet rreth 30 për qind, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme, që monitorojnë punësimin, papunësia arrin deri në 40 për qind. 

Papunësia nuk u zvogëlua
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se norma e rritjes së BPV-së prej 3.6 për qind, që ka ndodhur që nga pas lufta e deri më sot për qytetarët e Kosovës, nuk ka arritur ta zbusë papunësinë dhe varfërinë që po mbretëron te ne, pasi kjo rritje nuk siguroi standard. "Shtylla kryesore që do të sigurojë rritje ekonomike edhe në të ardhmen mbetet sundimi i rendit dhe i ligjit, që do të krijonte kushte paraprake për eliminimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, por edhe rritjen e të ardhurave të Bruto Produktit Vendor për kokë banori", vlerësoi ai. "Qeveria, cilado qoftë ajo, duhet që të krijojë siguri shumë më të madhe ligjore sesa që ka qenë deri më tani për të tërhequr investime të huaja direkte dhe investim në sektorin e prodhimit. Vetëm kjo do të krijonte mundësinë e rritjes së BPV-së. Prandaj, Qeveria duhet të krijojë kushtet e të bërit biznes, duke filluar nga industria e prodhimit, në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të rrisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomike, rrjedhimisht edhe të ardhurat për kokë banori", vijoi më tej Grapci.

(Kosova Sot)

6 orë e 52 minuta më parë
13/12/18