SHBA-ja ia ka kthyer shpinën, Thaçi i izoluar ndjek linjën ruso-serbe

  • 15 October 2018 - 08:16
SHBA-ja ia ka kthyer shpinën, Thaçi i izoluar ndjek linjën ruso-serbe
Zeqa: Dorëheqja e David Philips e vërteton faktin se ideja për korrigjimin e kufijve është interes puro ruso-serb

"Largimi i ekspertit David Philips bëhet dëshmia e re më bindëse se Hashim Thaçi është pozicionuar hapur kundër interesave të vendit, i cili vijon të punojë pareshtur për rritjen e ndikimit rusoserb në vendin tonë dhe largimin e tërësishëm të Kosovës nga politika dhe interesat amerikane, duke vërtetuar edhe një herë më tepër se ideja për korrigjimin e kufijve është interes puro rusoserb, që tenton të implementohet nga oligarkët Rama,Vuçiqi e Thaçi. Madje, përveç talljes së Hashim Thaçit me tërë popullin e Kosovës, ai me çmendurinë tij po tenton të luajë edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe të gjitha fuqitë botërore, të cilat e bënë vendin tonë shtet, duke paralajmëruar gjoja skenarë të errët e trazira dhe luftë nëse ai nuk arrin marrëveshje me Serbinë", thotë analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot

Dorëheqja e ekspertit amerikan, David Philips, nga pozita e këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi, sipas analistëve politikë, është vetëm edhe një dëshmi shtesë që flet akoma më bindshëm se SHBA-ja nuk e mbështet Hashim Thaçin në marrëzitë e tij për tregti me territor të Kosovës, vetëm e vetëm për të shpëtuar ai vetë nga Gjykata Speciale. Sipas analistëve dhe qytetarëve të anketuar nga gazetari, dorëheqja e këshilltarit amerikan të Thaçit, David Philips, shpreh më së miri rrezikun që i kanoset vendit nga ky njeri që është president i vendit, sepse eksperti amerikan, David Philips, është tani më denoncuesi e dëshmuesi më serioz i tregtisë e tradhtisë që po synon të bëjë Thaçi me atdheun. Largimi i z. Philips nga pozita e këshilltarit të Hashim Thaçit vetëm sa e dekonspiroi me rrënjë prapaskenën mashtruese të presidentit Thaçi, i cili, sipas analistëve, vetëm sa po e gënjente popullin, se gjoja po flet në emër të amerikanëve, ndërkaq që David Philips e demantoi katërçipërisht këtë mashtrim të radhës të Hashim Thaçit.

Burjani: Thaçi po vazhdon me absurd pas absurdi Sipas analistit dhe ekspertit të së drejtës, Blerim Burjani, deri më tani aventura e Thaçit për shkëmbime territoriale ishte një projeksion konfuz, abstrakt, duke u bërë edhe çuditshëm dhe një cirk politik dhe kjo u bë sipas tij për shumë arsye."Prej shkëmbimit territorial që në fillim e përdori në fjalorin e vet politik, pastaj fjalën shkëmbim e zëvendësoj me termin korrigjim dhe pas një kohe këto dy emërtime politike i zëvendësoi me fjalën kërkesë për bashkim të Preshevës me Kosovën dhe se nuk ka ndarje të Kosovës as shkëmbim territorial. Ai vazhdoi kështu me absurd pas absurdi për të dështuar plotësisht në fund. Po shihet ashiqare që ky njeri i PDK-së po tenton të luajë çelësin e zgjidhjes në një situatë kur Kuvendi nuk funksion fare dhe Qeveria po ashtu është jofunksionale dhe analfabetike. Ky njeri, pra Thaçi, tani po i mban peng edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe popullin, që tre muaj ka filluar të dalë në media dhe t'i marrë me vete mediet edhe jashtë shtetit për të treguar se ai është baba i zgjidhjes së problemeve në Ballkan, lider arkaik dhe jo i kësaj kohe të demokracisë dhe erës së botës digjitale. Pra, për këto arsye Philips ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e tij është edhe për arsye personale", është shprehur Burjani. Sipas tij, SHBA-të e përkrahin Kosovën dhe janë për një zgjidhje përfundimtare për normalizim të relacioneve Kosovë -Serbi, por Thaçi nuk është mjeshtër për këtë punë, është lojtar individual dhe kjo pengon shumë Kosovën për konsensus."Ai po ashtu po paraqitet pengesë edhe për Kadrin Veselin, i cili po bëhet nervoz e po shkon te babai Thaçit në Burojë kur po tensionohen raportet në mes tyre dhe po thotë se Drenica është e shenjtë që është tregues se Kadriu është i varur prej Drenicës që ta mbajë atë si lider të PDK-së", theksoi analisti Burjani për "Kosova Sot".

QARRI: KOSOVËS PO I KANOSET RREZIKU I MADH NGA PRESIDENTI I VENDIT Analisti politik Gani Qarri i ka thënë gazetës se eksperti amerikan i politikës së jashtme,z. David L. Phillips, deklaron publikisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk janë pajtuar me idenë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, të cilën presidenti Hashim Thaçi, ose nuk e ka kuptuar si duhet ose po e keqinterpreton qëllimisht, tash e sa kohë duke e propaganduar rrejshëm si të qenë, brenda dhe jashtë Kosovës. Qarri thotë se tani synimin e Thaçit, pavarësisht kundërshtimeve deklarative, po e stimulon edhe opozita, pasi që nuk po e kundërshton më fuqishëm atë, qoftë edhe përmes akordimit gjithëpërfshirës politik për shkarkimin e presidentit."Vetë dorëheqja e ekspertit amerikan, David Philips, tani ish-këshilltar amerikan i Thaçit, është dëshmia më e mirë se SHBA-ja nuk mbështet dyfytyrësitë e Hashim Thaçit dhe marrëzitë e tij për tregti me territore të Kosovës, vetëm e vetëm që ai të shpëtojë veten për fajet e bëra nga Gjykata Speciale. Distancimi demonstrativ nga Hashim Thaçi dhe dorëheqja në mënyrë protestuese nga posti i këshilltarit ti tij, i ekspertit amerikan David Philips, dëshmon në mënyrën më të qartë rrezikun e madh që vërtet i kanoset Kosovës nga ky njeri, i cili ende vazhdon të mbetet president i vendit. Me aktin e tij njerëzor dhe plotësisht dashamirës ndaj vendit dhe qytetarëve të Kosovës, eksperti amerikan, David Philips, mbetet denoncuesi dhe dëshmuesi më serioz i brendshëm dhe i jashtëm i tregtisë më të errët dhe tradhtisë historike që Hashim Thaçi me këmbëngulje po synon t'i bëjë atdheut tonë. Për aq më keq, Hashim Thaçi ende vazhdon ta gënjejë popullin e Kosovës, se kinse gjoja ai po flet edhe në emër të amerikanëve, përkundër faktit se David Philips e demantoi katercipirisht këtë mashtrim pervers të Hashim Thaçit", është shprehur ai. Sipas tij. largimi i ekspertit David Philips bëhet dëshmia e re më bindëse se Hashim Thaçi është pozicionuar hapur kundër interesave të vendit, i cili vijon të punojë pareshtur për rritjen e ndikimit ruso-serb në vendin tonë dhe largimin e tërësishëm të Kosovës nga politika dhe interesat amerikane, duke vërtetuar edhe një herë më tepër se ideja për korrigjimin e kufijve është interes puro ruso-serb, që tenton të implementohet nga oligarkët Rama, Vuçiq e Thaçi. "Madje përveç talljes së Hashim Thaçit me tërë popullin e Kosovës, ai me çmendurinë tij po tenton të luajë edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe të gjitha fuqitë botërore, të cilat e bënë vendin tonë shtet, duke paralajmëruar gjoja skenarë të errët e trazira dhe luftë nëse ai nuk arrin marrëveshje me Serbinë për t`ia falur asaj 1/3 e territorit të Kosovës. Për realizimin e këtij qëllimi kobzi në dëm të vendit tonë, përveç në mediet që ai në mënyrë absolute i kontrollon vetë Hashim Thaçi tanimë është aktivizuar në mënyrën më banale edhe përmes medieve franceze, duke deklaruar hapur se "do ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë shkatërruese për vendin, edhe përkundër kundërshtimeve dhe kritikave" nga i gjithë spektri i brendshëm politik dhe shoqëria civile në Kosovë, i cili përfundimisht dëshiron t`ia japë Serbisë tokën që e ka bërë pazar vetë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa pyetur askënd, akt në të cilin po i vjen me të madhe në ndihmë edhe opozita vendore me heshtjen komode dhe të çuditshme të saj", theksoi analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

SALIHAJ: PARTITË POLITIKE DUHET SA MË PARË TA SHKARKOJNË THAÇIN Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i cili në mandatin e kaluar kishte votuar kundër qeverisë së koalicionit PDK-LDK dhe kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president vendi, thotë se tani është momenti më i përshtatshëm që të përmirësohet gabimi që u bë me zgjedhjen e Thaçit president i Kosovës."Partitë politike duhet sa më parë ta shkarkojnë Thaçin, para se ai t'ia bëjë edhe një dëm të madh Kosovës. Ato duhet të ulen sa më parë dhe të merren vesh për këtë. Kjo duhet të ndodhë para se të shkohet në zgjedhje të reja, sepse shpërndarja e Kuvendit i krijon Thaçit terren të përshtatshëm për ta dëmtuar Kosovën. Lërja mëtutjeshme e Thaçit në postin e presidentit paraqet rrezik të madh për shtetin e Kosovës. Këtë nismë duhet ta marrë PDK-ja, nëse ajo nuk dëshiron të njolloset përgjithmonë si parti tradhtare. Miqtë e Kosovës, David Philips dhe Daniel Server, janë këmbëngulës se korrigjimi i kufijve është në dëm të Kosovës, sepse jo vetëm që ia humb një pjesë të madhe territorit,por ia humb edhe vetë shtetësinë e saj. Dorëheqja këshilltarit David Philips është një alarm se situata ka eskaluar dhe ne duhet të veprojmë shpejt. Esat Pasha po del të ketë qenë diletant krahasuar me Thaçin, prandaj është patriotizëm mbi patriotizmin shkarkimi sa më i shpejtë i tij", theksoi ish-deputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot".

ZEQA: SHBA-JA NUK E MBËSHTET HASHIM THAÇIN NË MARRËZITË E TIJ PËR TREGTI ME TERRITOR TË KOSOVËS Sipas analistit politik Florim Zeqa, dorëheqja e ekspertit amerikan, David Philips, tani ish-këshilltar amerikan i Thaçit, flet më së miri se SHBA-ja nuk e mbështet Hashim Thaçin në marrëzitë e tij për tregti me territor të Kosovës, vetëm e vetëm për të shpëtuar ai vetë nga Gjykata Speciale, dhe është dëshmi dhe fatkeqësi e madhe njëkohësisht për Kosovën."Dorëheqja e David Philips, përveçse tregues i qartë për rrezikun që i kanoset vendit nga i ashtuquajturi president i vendit, është denoncuesi dhe dëshmitari më serioz i tregtisë e tradhtisë që po synon të bëjë Thaçi me atdheun e tij. David Philips me dorëheqjen e tij e demantoi katërçipërisht mashtrimin e radhës të presidentit kuisling të Kosovës, duke i bërë me dije opinionit vendor dhe ndërkombëtar për pozicionimin e gabuar të Hashim Thaçit përkrah interesave dhe ndikimit ruso-serb dhe se po largohet tërësisht nga politika dhe interesat amerikane në Ballkan. Më mirë se çdo gjë tjetër, dorëheqja e David Philips e vërteton faktin se ideja për korrigjimin e kufijve është interes puro rusoserb i implementuar nga oligarkët Rama, Vuçiq e Thaçi. Tashmë është vërtetuar publikisht se Hashim Thaçi po bën lojë djallëzore dhe shumë të rrezikshme me fatin e vendit e popullit dhe se po tallet edhe me bashkësinë ndërkombëtare që na mundësuan të bëhemi shtet! Paralajmërimet ogurzeza të Thaçit gjoja për skenarë të errët, për trazira dhe luftë nëse s'ka marrëveshje me Serbinë, që i bie se poqe se Kosova nuk ia jep Serbisë 1/3 e territorit të vet, do të ketë luftë, janë terror psikologjik mbi popullatën e shumëvuajtur shqiptare. Aktivizimi i Hashim Thaçit përmes medieve të veta që i kontrollon shumicën absolute në Kosovë, por edhe përmes medieve franceze, duke thënë se "do ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë, edhe përkundër kundërshtimeve dhe kritikave", është një sinjal për alarm kombëtar, për t'iu dalë në mbrojtje territoreve etnike që Hashim Thaçi i ka bërë pazar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Më shqetësuese se sa veprimet e presidentit kuisling, është heshtja e opozitës kosovare, e cila po hesht dhe nuk po e merr asnjë veprim politik për ndalimin e aventurave antikombëtare dhe antishtetërore të Hashim Thaçit. Heshtja e opozitës kosovare e ka vetëm një shpjegim; e vërteta është se një pjesë e konsiderueshme e opozitës janë në varësi të plotë të Hashim Thaçit shkaku i shantazhit për lidhje korruptive dhe kriminale për blerje postesh diplomatike apo të emërimit në agjenci e borde nga qeverisja e kaluar", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

BADALLAJ: KËSHILLTARI AMERIKAN I DHA SHUPLAKË TË FORTË THAÇIT Sipas analistit Reshat Badallaj, largimi i këshilltarit dhe ekspertit amerikan flet mjaftueshëm dhe bindshëm për pozicionimin tepër të gabuar të Hashim Thaçit në raport me interesat e shtetit të Kosovës, por edhe interesat strategjike të miqve të mëdhenj që ndihmuan në çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës."Hashim Thaçi, për të shpëtuar lëkuren e tij nga Gjykata Speciale nuk la gur pa lëvizur në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Edhe pse u bë horë dhe ia kthyen shpinën të gjithë nuk ka të ndalur me veprimet kundërshtetërore bashkë me këlyshët e UDBsë serbe si biçimi i zagarit te Jovica Stanishiqit, Baton Haxhiun, Edvin kanabisin dhe kumbarën e tij, Aleksandar Vuçiqin. Ai akoma nuk e ka kuptuar kur Amerika, Gjermania dhe disa shtete të fuqishme të botës janë kundër ndarjes se Kosovës, ky dilenxhi mundohet ta shtyjë bjeshkën me gjoks. Se sa kokëbosh është ky matrapaz kufijsh akoma nuk e kupton edhe shuplakën që ia dha ish-këshilltari amerikan, z. David PHILIPS,dorëheqja e tij, i cili nuk do të marrë pjesë në tradhtinë e këtij matrapazi të Brojes. Jo vetëm kaq, por të gjitha rrenat e këtij të pafytyri dolën se janë të gjitha të pavërteta se kinse këto shtete e përkrahin idenë e tij duke e mashtruar populli në konferenca për shtyp. Të gjitha këto veprime që po i bën Hashim zeza çojnë ujë në mullirin serbo-rus dhe se punon për interesa të tija personale dhe të Serbisë dhe Rusisë cariste. Ky po i futë frikën edhe popullit se po qe se nuk përkrahet tradhtia e këtij do të ketë luftë dhe kjo tregon ashiqare se Hashim bashibozuku punon dhe paguhet shumë shtrenjtë nga qarqet shoviniste serbo-ruse. Pra, sipas këtij dilenxhiu, Kosova domosdo duhet t´i falë Serbisë 1/3 e territorit të vendit, që ky ka ngulur këmbë tamam si gomari në lloç. Hashimi i Brojës është verbuar nga frika se do të ulet në bankën e zezë të Gjykatës speciale dhe ky tani tinëzisht do i ngul thikën prapa krahëve Kosovës, vetëm e vetëm të mos vdes politikisht", theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë nga Parlamenti shkarkimin e presidentit Qytetarët e anketuar nga gazetari e kanë vlerësuar sjellje skandaloze veprimin e presidentit Thaçi, i cili po distancohet gradualisht nga politika amerikane për Kosovën dhe rajonin, dhe në mënyrë fare tinëzare po i përshtatet politikes së interesit strategjik ruso-serb në rajon, por edhe karshi Kosovës. Ata kërkojnë që të këndellen partitë politike në Parlament, ta shkarkojnë presidentin për shkak të veprimeve kundërkushtetuese dhe të zgjedhin një personalitet tjetër konsensual. Qytetari Sami Latifi tha për "Kosova Sot" se nuk është aspak lajm i mirë largimi i z. David Philips nga pozita e këshilltarit të presidentit, sidomos derisa ai është amerikan, përfaqësues i një shteti që ka investuar më së shumti në çlirimin dhe shtetësinë  e Kosovës. Latifi thotë se për qasjen e gabuar të presidentit Thaçi ky duhet të shkarkohet pa vonesë nga kjo pozitë, pasi po bie ndesh me interesin amerikan që janë kundër ndarjes dhe copëtimit të shtetit të Kosovës."Nuk është aspak lajm i mirë që ai është tërhequr, sidomos derisa ai është një ekspert i mirënjohur amerikan, duke ditur që ne gjithnjë e kemi pasur dhe i kemi në krahun e djathtë amerikanët me mbështetjen e tyre dhe është pikërisht çështja e mospëlqimit me idenë e ndarjes së Kosovës. Këtë ide unë mendoj që nuk e dëshiron dhe nuk do ta mbështesë askush dhe jo vetëm ai, z. Philips. Tani këtu akoma po më duket e paqartë nëse presidenti po dëshiron ndarje apo vetëm korrigjim të kufijve. Është normale që kufijtë duhet të dihet ku janë dhe gjatë përcaktimit definitiv të tyre mund të ketë edhe ndonjë korrigjim të vogël, por nëse është për ndarje kjo është keq dhe e papranueshme për të gjithë. Unë besoj që megjithatë mbështetjen amerikane në raport me Kosovën nuk mund ta rrezikojë dhe ta humbë presidenti Thaçi, sepse Kosova nuk është pronë e tij. Pra, le të bjerë ky president dhe duhet të vjen një tjetër që e do dhe mbështet politikën amerikane", është shprehur ai. I këtij mendimi është edhe qytetari Jeton Hasani."Ne nuk kemi as interesin më të vogël që t'ia kthejmë shpinën politikës amerikane dhe interesit perëndimor strategjik në rajon dhe në Kosovë. Është shumë më mirë që nëse veç presidenti ka vendosur të shkojë në kundërshtim me interesat e miqve të fuqishëm ndërkombëtarë, duke propozuar edhe ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve të shtetit të njohur ndërkombëtarisht nga këta miqtë ndërkombëtarë, ne duhet ta ndërrojmë presidentin sesa ta humbim aleatin më të fuqishëm që ka Kosova, atë amerikan. Bëhet fjalë për aleatin më të përkushtuar që na ka mbrojtur, na ka ndihmuar që të çlirohemi, i ka prirë në krye të aleancësfushatës për çlirimin e Kosovës dhe ka lobuar shumë për sigurimin e njohjeve dhe fuqizimin e sovranitetit ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës. Pra, përfundimisht kjo klasë politike në Parlament më mirë është që të organizohet për ta ndërruar një president të vendit sesa ta lejojmë atë që të veprojë në kundërshtim me interesat e aleatëve të Kosovës dhe kështu ne ta humbim edhe aleatin më të mirë e më të fuqishëm të Kosovës", theksoi qytetari Jeton Hasani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)