BuzzFeed ia bën portretin Wess Mithcell-it, shkruan për korrigjimin e kufijve si ide të Vuçiqit

  • 17 October 2018 - 14:12
BuzzFeed ia bën portretin Wess Mithcell-it, shkruan për korrigjimin e kufijve si ide të Vuçiqit

Mediumi amerikan "BuzzFeed", ka shkruar për ndryshimin e politikës amerikane karshi vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Gjithashtu, në këtë shkrim flitet edhe për idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe qasjen amerikane ndaj një nisme të tillë.

Sekretari i shtetit, Mike Pompeo, aktualisht është duke u marrë me Korenë e Veriut dhe planin për denuklearizimin e atij shteti, gjithashtu edhe me Iranin dhe së fundi edhe me zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Ndërkohë politika amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore i është dorëzuar një diplomati, i cili deri një vit më parë nuk kishte përvojë si një diplomat.

Bëhet fjalë për ndihmëssekretarin e shtetit, Wess Mitchell, i cili menjëherë pas marrjes së detyrës ka hedhur poshtë politikën amerikane që ishte zhvilluar gjatë kohës së presidentit Barak Obama, që fokusohej në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vende si Hungaria, dhe që qeveritë e rajonit i shihte si partnerë strategjikë dhe jo si partnerë diplomatikë.

Por kush është Wess Mitchell në të vërtetë?

Ai është i emëruar politik, megjithatë e kaluara e tij nuk ka qenë fare politike. Para se të vinte në Departamentin e Shtetit, ai kishte punuar në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në Evropën Qendrore, Lindore dhe Rusinë. Mitchell aty kishte punuar nga viti 2006 si drejtor i hulumtimit dhe më pas si kryetar i saj.

Ai gjithashtu ka shërbyer në institute të ndryshme si këshilltar, duke përfshirë këtu Komisionin Atlantik të Sllovakisë dhe Qendrën e Pragës për Marrëdhëniet Transatlantike.

Wess Mitchell flet gjuhën gjermane, dhe ka doktoruar në Shkencat Politike në Universitetin e Berlinit. Në përgjithësi karriera e tij është ndërtuar duke hulumtuar dhe duke shkruara rreth Evropës, përkatësisht asaj Qendrore dhe Lindore.

Pozita e sekretarit atij iu konfirmua nga Senati në fund të shtatorit të vitit 2017. Në këtë pozitë atë e solli paraardhësi i Mike Pompeos, Rex Tilerson, shkruan BuzzFeed.

Ndërkohë tashmë Mitchell është diplomati më i lartë në administratën e Donald Trump, i fokusuar ekskluzivisht në Evropë dhe EuroAzi, duke u shndërruar kështu në një ‘shahist’ gjeopolitik të këtij rajoni.

Në një shkrim të Buzzfeed, flitet për marrëdhëniet e administratës së Trump me Hungarinë, dhe ndryshimin e qasjes brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Mediumi shkruan edhe për një takim që ishte mbajtur ndërmjet Wess Mitchell, Mike Pompeos, sekretarin Bolton dhe ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó.

Një diplomat amerikan i cili kishte informata nga takimi, kishte dhënë detaje, dhe sipas tij aty ishte diskutuar më shumë për largimin e ndikimit të Rusisë, sesa për probleme të brendshme të Hungarisë siç është çështja e migracionit apo probleme të tjera.

Departamenti i Shtetit Amerikan dhe as Ambasada hungareze në Washington nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

"Nëse Uashingtoni do ta ndalë Budapestin të shkojë në Moskë, atëherë duhet të sjellë Budapestin në Uashington”, ka thënë një diplomat për Buzzfeed.

"Nëse SHBA-ja me të vërtetë dëshiron të kundërshtojë ndikimin e Rusisë dhe Kinës, më e mira që mund të bëj është që të sigurohet se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, ka thënë Zsleyke Csaky, drejtoreshë e Qendrës për Kërkime rreth Evropës dhe Euro-Azisë në Freedom House.

Sipas saj, në vendet që institucionet janë të dobëta dhe të lehta për t’u manipuluar, Rusia ka shanset më të mëdha për të shtrirë ndikimin e saj.

Megjithatë, sipas gazetës, Hungaria nuk është vendi i vetëm ku Mitchell ka ndryshuar politikën.

Siç shkruan "BuzzFeed", ai ka favorizuar gjithashtu edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve.

Sipas mediumit, një ide e tillë ka lindur si pasojë e politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë shkrim përmendën edhe lavdet që Vuçiq i thuri për Sllobodan Milloshveiqin para serbëve gjatë vizitës së tij në Republikën e Kosovës.

Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për gjakderdhjen që e shkatërroi Ballkanin duke filluar në vitet 1990 e tutje, duke përfshirë këtu edhe fushatën e egër kundër shqiptarëve të Kosovës për të cilën Millosheviq ishte dërguar në Tribunalin e Hagës nën akuzat për krime lufte. Atje edhe vdiq në vitin 2006.

 Për vite me radhë biseda për korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve nga amerikanet konsiderohej si nxitje, dhe kishte shqetësime se lëvizje e kufijve në Ballkan mund të sillte akoma më shumë dhunë në Kosovë. Ka pasur gjithashtu shqetësime se një lëvizje e tillë mund të nxiste lëvizja të tilla edhe në rajonet tjera, veçanërisht në Bosnje, ku kreu nacionalist serb, Millorad Dodik ka kërkuar shkëputjen e serbëve boshnjak.

Ndërkohë mediumi shkruan se pro kësaj marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shprehur edhe Bolton.

Teksa trajtohet tema e ndryshimit të qëndrimit të SHBA-së karshi vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, thotë se Wess Mitchel nuk shihet si përgjegjës për ndryshimin e politikës amerikane, por qëndrimi i tij  ka bërë që ideja për territoret të merret më seriozisht.

"Ajo që mund të them është se me ardhjen e zotit Mitchell, përfshirja e SHBA në Ballkan është intensifikuar për t'u marrë me sfidat me të cilat ballafaqohet ky rajon. Duket se SHBA është e gatshme të dëgjojë opsione nga të dyja palët se si të ecin përpara dhe në fund të fundit të arrijnë një marrëveshje që do të sjellë stabilitet afatgjatë për rajonin " ka thënë një diplomat kosovar për  BuzzFeed në një email.

Sipas burimeve diplomatike të mediumit thuhet  se Shtetet e Bashkuara i kanë komunikuar Kosovës një afat kohor të kufizuar për të bërë një marrëveshje  dhe se askush nuk e di se si do të duket Bashkimi Evropian brenda një viti ose dy.

Disa mendojnë se shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të përdoret nga gjeopolitika e Amerikës për ta mbajtur larg Rusinë. Nëse kjo situatë e paqëndrueshme do të zgjidhej, atëherë Rusia do të kishte një rrugë më pak për të nxitur mosmarrëveshje.

Sipas Charles Kupchan i cili ishte një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë dhe asistent i veçantë i Obamës, strategjia e Rusisë është që gjithmonë të futet në polemikat e vazhdueshme në rajon për të shkaktuar paqëndrueshmëri.

“Ajo mbanë  lidhje të forta me Serbinë pjesërisht sepse Serbia ka te hapur një konflikt me Kosovën, gjë që po e bllokon rrugën e saj drejt Evropës”, ka thënë ai.

Sipas tij në rast të zgjidhjes së kësaj situate dhe hapjes së rrugës së Serbisë drejt BE-së dhe NATO-s, atëherë një gjë e tillë do të ndikonte në zmbrapsjen e Kremlinit.

 Megjithatë disa të tjerë mendojnë se një prekje e kufijve është një nxitje për të vazhduar kaosin, gjë për të cilën janë duke lobuar Vladimir Putin dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Republikës së Kosovës në një intervistë për BuzzFeed ka thënë se mungesa e kundërshtimit të një ideje të tillë nga Moska, është një provë se një ide e tillë për ndarje nuk është zgjidhje.

Siç konkludon mediumi, SHBA-ja nuk ka punuar shumë që ta largoje Vuçiqin nga Moska, pasi ditë më parë gjatë vizitës në Rusi, Vuçiq kishte shprehur ‘mirënjohje të thellë’ ndaj Putinit për mbështetjen karshi Serbisë

(Kosova Sot)