Zogiani akuzon Shpend Ahmetin se po u jep projekte kompanive të PDK-së

  • 08 November 2018 - 19:04
Zogiani akuzon Shpend Ahmetin se po u jep projekte kompanive të PDK-së

Edhe përkundër deklaratave nga ana e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se nuk do të ketë koalicion me PDK-në në komunën e Prishtinës, ish- kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Avni Zogiani ka mohuar një gjë të tillë.

Zogiani në një prononcim për mediet online,  ka thënë se gjithë projektet madhore të cilat janë bërë në komunën e Prishtinës në ‘krahë’ të Vetëvendosjes tashmë janë duke iu dhënë kompanive të cilat janë të udhëhequra nga PDK.

Ka thënë se gjithë komunat e tjera në të cilat PDK është në pushtet, e kontrollon atë përmes kompanive të ndryshme të tyre.

“Ne e dimë që PDK në të gjitha komunat tjera që udhëheqë me parti tjera e kontrollon pushtetin nëpërmjet kompanive të ndryshme. D.m.th çinstalimi i sistemit të kontrollit të PDK-së në të gjitha nivelet e pushtetit dhe në shumë fusha të tjera shoqërore ka qenë ideja e mbledhjes së energjive rreth shpendit dhe VV-së”, tha Zogiani.

Sipas tij, Shpend Ahmeti ka tradhtuar qytetarët e Prishtinës dhe se për ta ndalur atë duhet marrë masa urgjente.

“Tash nëse këta Shpendi fut në pushtet PDK-në i bie që e ka tradhtuar komplet qytetarin e Prishtinës dhe ish dashur që urgjentisht me marr masa që të ndalet ky veprim me masa të ndryshme. Projektet që ai i ka paralajmëruar pasi që ka dalë VV shkojnë në drejtim të lidhjes me biznese të PDK-së. P.sh është paralajmërua jo publikisht që stacioni i autobusëve do ti jepet një kompanie private edhe na e dimë mirë që këto kompani e mëdha të projekteve të mëdha janë kryesisht të PDK-së nuk janë kompani krejtësisht të pavarura prej politikës. Këtu ka njëfarë parapërgatitje për përafrim me PDK-në dhe pastaj t’i bëjnë këto zgjidhje të cilat kthehen në interesa të ngushta” tha ai.

Përveç kësaj, Zogiani ka thënë se qytetarët e Prishtinës duhet dalë në protesta për ta ndalur kryetarin e Prishtinës.

 

(Kosova Sot)