"Sanaderët" e "Gruevskët" e Kosovës ende të pandëshkuar

  • 16 November 2018 - 07:59

Burjani: Tash për tash rastet 'Sanader' dhe 'Gruevski' nuk mund të përsëriten edhe në Kosovë, pra që të arrestohen figura të larta publike, prandaj krimi ka mbetur i pandëshkuar

"Shpresa se mund të ndryshojë diçka pozitivisht është Amerika, ambasadori i ri amerikan, i cili ka fuqinë diplomatike dhe është i vetmi që mund t'i detyrojë politikanët e korruptuar vendorë të sillen para drejtësisë, të bëhen reformat dhe të lirohen organet e ligjit nga dora e mafisë politike, e cila e kontrollon drejtësinë dhe ligjin, prandaj bosët e krimit të organizuar politik dhe ekonomik janë të paprekshëm deri më tash", thotë analisti Naim Miftari për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së të drejtës, analistë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë, po e shohin me pozitivitet ndjekjen nga drejtësia të ish- kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, i cili u detyrua të ikë jashtë vendit për t'i shpëtuar burgut për të bërat e tij. Analistët presin që pa vonesë, edhe në Kosovë të kemi një drejtësi të tillë të shkëputur nga ndikimi i politikës, në mënyrë që ta kenë fatin e ngjashëm të Gruevskit edhe mafio-oligarkët shqiptarë të Kosovës. Sikur që dihet, tani Gruevskit po kërkon azil në Hungari për të mos vuajtur dënimin e gjykatës, sepse drejtësia maqedonase këtë herë u tregua e pamëshirshme ndaj abuzimeve të pushtetarëve dhe e pandikuar nga politika. Analistët shtrojnë tani se kush do të guxojë t`i burgos hajnat e pushtetit qendror dhe komunal edhe në Kosovë, që kanë bërë kërdinë gjatë këtyre 19 vjetëve, dhe kur do ta kenë fatin e Gruevskit në Maqedoni, edhe shumë politikanë të inkriminuar e të korruptuar të Kosovës, të cilët në rast të pastrimit të sistemit të drejtësisë, do të detyrohen të ikin nga shteti për të kërkuar azil diku dyerve të botës, për shkak të vjedhjes dhe shkatërrimit dy dekadash që i kanë shkaktuar shtetit. Deri më tani rasti i Gruevskit në Maqedoni, apo Sanaderit në Kroaci, as që po e shqetësojnë drejtësinë kosovare, pasi i është nënshtruar politikës dhe ka dështuar që të ngrejë aktakuza serioze ndaj krerëve të dikastereve shtetërore, që hapur e kanë shkelur ligjin, kanë zhvatur e kanë abuzuar, kanë vjedhur e shpërdoruar paranë publike. Burjani: Kosova sundohet nga 'parelinjtë' pa bazë Njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, këtë çështje e ndërlidh po ashtu me pastrimin e vetë sistemit politik, për të shkuar pastaj te drejtësia e pavarur."Problemi në Kosovë është shumë kompleks dhe shumë i lidhur për pasurimin pa bazë, zinxhir mbi zinxhir dhe i trashur është krimi nga pasurimi pa bazë në politikë. Përderisa janë të njëjtët në pushtet, nuk ka gjasa kurrfarë të kapen njerëzit, të cilët qëndrojnë prapa krimit ekonomik, sepse janë skemat e mëdha të kontrollit pronësor dhe aseteve publike. Me fjalë të tjera, Kosova sundohet nga 'parelinjtë' pa bazë, prandaj akoma nuk mund të ndodhë që prokuroria të ndjekë persona të shumtë të mbështjellë me para publike", u shpreh ai."Pa ndryshim të kësaj klase politike nuk ka rend dhe ligj, dhe nuk do të ketë as institucione qeverisëse demokratike. Me heqjen e kësaj klase politike të pasuruar pa bazë, organet e rendit do të pavarësohen nga politika dhe do ta kryejnë punën e tyre. Vetëm atëherë mund të pasojnë ndëshkimet e përfituesve pa bazë dhe të zhvatësve", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot". Aliu: Po e shihni se çka bëjnë diktatorët sikur Gruevski, pra ikin diku, e populli është ai që paguan çmimin! Edhe analisti politik, Dr. Hysni Aliu beson që me kalimin e kohës do të mbushet kupa dhe keqbërësit do të dalin para drejtësisë, mbase do të detyrohen të ikin nga vendi, nëse arrijnë ta bëjnë këtë. "Po e shihni se çka bëjnë diktatorët sikur Gruevski, pra ikin dhe strehohen diku, e populli është ai që paguan çmimin për të bërat e tij. Kështu do t'i ndodhë edhe Kosovës, edhe shqiptarëve, nëse nuk zgjohen nga gjumi. Kur bën diçka që dëmton themelet e Evropës, domosdoshmërish do ta paguash çmimin", potencoi ai për "Kosova Sot".

KAPITI: SHEMBULLI I SANADERIT DHE GRUEVSKIT Njohësi tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, po ashtu është pesimist në pritjet e tij, por herët a vonë beson që edhe te shqiptarët do të kemi raste të tilla. Ai thotë se gjithmonë fatkeqësinë, dëbimin e deri edhe vrasjen i kanë pësuar shqiptarët e vërtetë kombëtarë e patriotë. Sipas Kapitit, karrierë politike, pushteti, intelektualizmi kanë bërë injorantët, matrapazët, antishqiptarët, tradhtarët e interesave publike e kombëtare, të cilët kurrë as nuk u përgjigjën dhe as nuk u ndëshkuan nga drejtësia. Mirëpo, edhe kësaj praktike duhet t'i vijë fundi, sipas Kapitit."Shembulli i Sanaderit të Kroacisë dhe të Gruevskit të Maqedonisë duhet të shërbejë dhe të inkurajojë edhe drejtësinë shqiptare, ku keqbërja politike, korruptive e kriminale e pushtetarëve shqiptarë është shumë herë dhe pakrahasimisht më e madhe dhe më e rëndë sesa e këtyre. Bota demokratike habitet se nga çfarë soji politikanësh, pushtetarësh e gjyqtarësh e prokurorësh qeverisen e sundohen shqiptarët", u shpreh ai. "Asgjë e mirë, por vetëm të zeza njerëzore e kombëtare shohin dhe vazhdojnë të pësojnë shqiptarët prej politikanëve e pushtetarëve shqiptarë. Aq e vërtetë është kjo, sa këtë gjë e konstatuan edhe politikanë, diplomatë e përfaqësues diplomatikë të shteteve demokratike perëndimore, deri edhe duke deklaruar se politikanët, pushtetarët dhe gjyqtarët shqiptarë, për interesa të tyre dhe për shtëpinë e tyre, shesin Shqipërinë. Kur politika, demokracia e diplomacia amerikane dhe ajo evropiane arritën në konkluzionin se shqiptarët nuk bëjnë dhe as nuk ndërtojnë shtet ligjor, atëherë ndërhynë me vendosmëri për Ligjin e VETTING-ut, të monitoruar e të drejtuar prej tyre. As në Kosovë as që të mos t'i shkojë ndokujt në mëndje që ashtu si në Shqipëri për a se: drejtësia vendore do t'i hetojë ndonjëherë ndonjë dhe do t'i ndëshkojë 'peshqit e mëdhenj' të krimit e të korrupsionit", tha Kapiti për "Kosova Sot".

PRETENI: MAFIA E PASTRON MAFINË! Analistët presin që me ndryshimet politike në qeverisje, me një VETTING në sistem, kjo praktikë e amnistisë së krimit të ndërpritet. Këtë optimizëm e ka njohësi i kësaj fushe Hasan Preteni."Janë disa ligje natyrore, të cilëve nuk mund t'u ikë askush. Llogarisin keqbërësit se kjo strukturë amorfe do të sundojë përgjithmonë, por gjithçka është në lëvizje. Shumë diktatorë afrikanë, aziatikë e ameriko-latinë kanë pësuar kush më herët e kush më vonë, e diferencën e bën vetëm faktori kohë, kush më herët e kush më vonë. Në Kroaci Sanaderi llogariti në bashkëpunim me Austrinë, se edhe ata u përfshinë në një aferë, por doli se nuk është e vetmja. Gruevski ishte i vetëdijshëm se nuk është vetëm afera për një automjet, por pas fillimit me të do të dalin edhe aferat e tjera. Besoj që me kohë do të kenë të njëjtin fat edhe disa nga keqbërësit kosovarë. Mafia e pastron mafinë, fillohet me një ose disa persona e pastaj shkon 'lëmsh'", u shpreh ai."Të korruptuarit e Kosovës nuk po e kuptojnë Teorinë e relativitetit, gjithçka është relative dhe gjithçka kalon. Edhe koha e tyre do të perëndojë. Kroati në Austri, maqedonasi ne Hungari, kush do të kërkojë tani azil në Rumani!", tha Preteni për "Kosova Sot".

MIFTARI: SHUMË NGA POLITIKANËT TANË TË KORRUPTUAR E TË KRIMINALIZUAR MERITOJNË EDHE FATIN E ÇAUSHESKUT Sipas Naim Miftarit, njohës i fushës së sigurisë, janë shumë politikanë multimilionerë që meritojnë ta kenë fatin e ishkryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, i ikur, apo të Sanaderit, kryeministrit kroat, i cili nuk mundi të ikë, por u dënua dhe iu konfiskuan shumë pasuri, prona familjare, pasuri të paligjshme, që i kishte fshehur nëpër familjarë të largët. "Mendoj që shumë nga politikanët tanë të korruptuar e të kriminalizuar meritojnë edhe fatin e Çausheskut, kryetarit rumun, i cili në një gjykatë të shpejtë edhe u ekzekutua nga revoltuesit e popullit rumun. Por, tash për tash, me këtë trend momental politik dhe rajonal, mafia politike e Kosovës do të vazhdojë edhe shumë kohë veprimtarinë e tyre për të zhvatur akoma më shumë popullin tonë, pasi Kosova si gjysmështeti i dalë nga lufta, shtet ku nuk dihet cili zyrtar shtetëror apo ndërkombëtar është hajn më i madh se tjetri, pasi mafia politike ka arritur të korruptojë madje deri tani edhe dy misionet e ligjit, UNMIK-un dhe EULEX-in, dhe si duket ka arritur të korruptojë edhe staf diplomatik perëndimor, deri te disa ambasadorë që vijnë këtu paksa të varfër, por në vendet e tyre kur kthehen pas disa vjetëve 'punë' në Kosovë kthehen si multimilionerë", tha Miftari për "Kosova Sot". "Shpresa se mund të ndryshojë diçka pozitivisht është Amerika, ambasadori i ri amerikan, i cili ka fuqinë diplomatike i vetmi që mund t'i detyrojë politikanët e korruptuar vendorë të sillen para drejtësisë, të bëhen reformat dhe të lirohen organet e ligjit nga dora e mafisë politike, e cila e kontrollon drejtësinë dhe ligjin, prandaj bosët e krimit të organizuar politik dhe ekonomik janë të paprekshëm deri më tash", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)