Mafio-oligarkët kosovarë aplikojnë metodat ruse kundër rivalëve

  • 20 November 2018 - 07:53
Mafio-oligarkët kosovarë aplikojnë metodat ruse kundër rivalëve

Miftari: Kosova, si shtet i kapur komplet nga mafitë politike dhe të nëntokës, nuk ka as shansin më të vogël ta luftojë krimin e organizuar

"Lufta e fshehtë e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale në Kosovë është sofistikuar përmes eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe ekonomikë, duke mos përdor vetëm kërcënimin ose dhunën fizike, apo edhe vrasjet, siç kanë ndodhur menjëherë pas luftës së fundit. Por tani ajo po bëhet përmes helmimeve të stilit të Vladimir Putinit në Rusi, në Ukrainë dhe në disa qendra e metropole evropiane, po nga njerëzit e Putinit, që veprojnë ngadalë dhe shkatërrojnë organizmin e personit, që i servohet helmi i tillë fshehurazi", thotë analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" 

gazetën "Kosova Sot" Në shtetin e kapur nga politika, sipas njohësve të fushës së sigurisë edhe analistëve të politikës, zakonisht është e kapur edhe Prokuroria, rasti i Kosovës, që po hezitojnë e nuk po guxojnë të fillojnë as edhe një hetim serioz kundër mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të lidhur mish e thua me pushtetarët e nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit ekzekutiv. Madje,sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, për më tepër vlerësohet se është sofistikuar edhe lufta e fshehtë e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale në Kosovë, përmes eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe ekonomikë, duke mos përdorur vetëm kërcënimin ose dhunën fizike, apo vrasjet, siç kanë ndodhur menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë. Por, sipas analistëve, tani ajo po bëhet përmes helmimeve të stilit të Vladimir Putinit në Rusi, në Ukrainë dhe në disa qendra e metropole evropiane po nga njerëzit e Putinit, që veprojnë ngadalë dhe shkatërrojnë organizmin e personit që i servohet helmi i tillë fshehurazi. Njohës të sigurisë thonë se dyshohet se në Nish ka qendra speciale që janë të specializuara në mes tjerash edhe për qindra lloje të helmeve që përdoren nga shërbimet sekrete të Rusisë, dhe ku funksionojnë bashkë me shërbimin sekret serb dhe agjentët e tyre shëtitën lirshëm edhe nëpër Kosovë. Analistët dyshojnë se me këtë qendër kriminale janë lidhur edhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve në Kosovë, me këto struktura kriminale e vrasëse dhe po i përdorin të njëjtat mjete, të stilit rus dhe atij serb. Presioni kriminal Sipas Blerim Burjanit, në shtetin me drejtësi të kapur nga politika qytetarit të thjeshtë mund t'i vijnë të gjitha të këqijat e mundshme."Shteti i mbikëqyrur apo i kapur, secila pore është e kapur nga politika dhe interesi, përderisa kjo gjendje mbretëron nuk ka demokraci dhe shtet funksional, nuk as mundësi të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe kushtetues, qytetarët, rinia duhet të vetëdijesohen për të gjetur një rrugë që mund të funksionojë shteti juridik, siguria qytetare dhe rendi shtetëror", vlerësoi Burjani për "Kosova Sot". E nga ana e tij analisti politik Bislim Aliu thotë se pa mëdyshje Prokuroria Speciale (PSRK) dhe Kryeprokuroria e Shtetit po hezitojnë, e fare nuk po guxojnë të fillojnë, as edhe një hetim serioz kundër mafio-oligarkëve. "Flitet edhe nga njohës të sigurisë se dyshohet që në Nish ka qendra speciale që janë të specializuara, në mes tjerash edhe për qindra lloje të helmimeve, që përdoren nga shërbimet sekrete të Rusisë dhe kur funksionojnë bashkë me shërbimin sekret serb dhe agjentët e tyre shëtisin lirshëm edhe nëpër Kosovë! Ndaj, për këtë, janë lidhur nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve në Kosovë me këto struktura kriminale e vrastare dhe po përdorin të njëjtat mjete të stilit rus dhe atij serb", theksoi Aliu për "Kosova Sot"
PRETENI: ASNJË PROKUROR NUK E KA HAPUR NDONJË RAST QË KA RËNDËSI "SPECIALE" Njohësi i mirë i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni, thotë se për të realizuar ndonjë mision special duhet t'i kesh edhe vetitë speciale, mjetet speciale, misionin special, e disa karakteristika tjera, që nuk i kanë ata që nuk janë specialë. "Prokuroria Speciale vetëm emrin e ka "special". Asnjë prokurorë nuk ka përfunduar trajnime speciale, asnjë prokuror nuk është specialist i ndonjë bramshi të caktuar. Asnjë prokuror nuk e ka hapur ndonjë rast që ka rëndësi "speciale". Kjo është vetëm një krijesë politike e formuar për të krijuar bindjen se me të vërtetë këta do të merren apo do të trajtojnë raste speciale. Çka bëjnë këta me këto raste speciale, ku i dërgojnë? E trajtuan kinse "rastin e veteranëve" dhe ku e dërguan rastin në Gjykatën Themelore! Gjykata Themelore i trajton në parim rastet që i dërgon Prokuroria Themelore", u shpreh ai. Sipas tij, baza e një hetimi është "përcille paranë". "E kur ajo nuk përcillet se nga po lëviz e nga po shkon ajo shkon aty ku thonë të "fortët" e politikës. Blihen votat, rriten "veteranët", punësohen me kontratë mbi vepër, rritet numri i këshilltarëve, dërgohen në diplomaci, rriten skemat sociale, punësime pa kufij dhe pa nevojë dhe në fund të gjithë apo shumica e tyre blihen", potencoi Preteni për "Kosova sot". ZGJEDHJE SA MË PARË "Në Kosovë duhet të ketë zgjedhje sa më parë, të mos humbet koha e vlefshme, se edhe ashtu shumë kohë është humbur me këtë klasë politike, si me PDK-në dhe LDK-në, sepse këto dy parti shumë shpesh ishin në koalicion dhe kanë ndarje të interesave, përderisa edhe VV-ja është e paaftë dhe e padijshme dhe pa kapacitete në qeverisje dhe vendimmarrje. Pra, te këto parti s'ka çka kërkohet, e lëre te disa parti si AAK-ja dhe NISMA, që kanë edhe probleme me rendin dhe ligjin dhe kanë plotësisht ngjashmëri me PDK-në", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot".

SALIHAJ:OLIGARKËT EKONOMIKË DHE POLITIKANËT JANË NË ALEANCË ME SERBINË DHE RUSINË Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, tha për "Kosova Sot" se diversioni ruso-serb në Ballkan është shumë i rrezikshëm, kurse qendra e veprimit është ofruar shumë afër Kosovës."Tash dihet se në Nish ekziston një qendër e rrezikshme ruse e spiunazhit dhe e diversionit për destabilizimin e vendeve të Ballkanit,veçanërisht të shteteve me territore etnike shqiptare, siç janë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia. Projektet serbo-ruse për shkatërrimin e identitetit dhe subjektivitetit të kombit shqiptar kurrë nuk janë ndalur. Tash, në kohën tonë, kur më nuk po mund të bëjnë masakra dhe shfarosje masive, ata ndoshta po përdorin forma të tjera më të sofistikuara, siç mund të jenë helmet në prodhimet e shumta ushqimore që i shet Serbia në Kosovë", u shpreh ai."Se jemi një popull dhe shtet shumë naiv dhe i papjekur tregon edhe fakti se ne blejmë me shumicë prodhime ushqimore serbe, të cilat janë të destinuara vetëm për Kosovë dhe nuk shiten në Serbi. Prodhimet e tilla, nëse nuk arrijnë t'i plasojnë Kosovë, atëherë ato shkatërrohen, sepse janë të ndaluara të konsumohen në Serbi. Këto fakte duhet të jenë të mjaftueshme që të na alarmojnë dhe të mos blejmë prodhime serbe, pavarësisht faktit se ndërmarrje të papërgjegjshme në Kosovë e stërmbushin tregun e Kosovës me prodhime serbe. Ne ndoshta ushqehemi me prodhime serbe kancerogjene e helmuese, ndërsa, në anën tjetër, e financojmë armikun tonë më të madh me mbi 500 milionë euro në vit nga xhepi ynë i varfër", vijoi më tej ai."Rusia dhe Serbia janë shtete të orientuara për të destabilizuar dhe për të bërë destruksion te popujt tjerë, duke mos zgjedhur mjete, duke përfshirë edhe helmet e rrezikshme. Në këtë situatë nuk duhet pritur aspak se prokuroria e shtetit do të ndërmarrë ndonjë veprim që do t'i dënonte oligarkët ekonomikë dhe politikanët, të cilët lejojnë që populli ynë të helmohet. Ata janë në aleancë me Serbinë dhe Rusinë", tha Salihaj për "Kosova Sot".

MIFTARI: SHUMICA E PROKURORËVE SPECIALË JANË EDHE VETË PJESË E KLANEVE POLITIKE DHE TË PARASISTEMEVE POLITIKE Ndërsa, sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, problemi i mosveprimit të PSRK-së ndaj krimit të organizuar në politikë është i kuptueshëm, pasi shumica e prokurorëve specialë janë edhe vetë pjesë e klaneve politike dhe të parasistemeve politike, janë të korruptuar. "Ata që nuk korruptohen dhe tentojnë të punojnë sipas ligjit do të kenë fatin sikur të prokurorit special, Elez Blakaj, ose do të kenë fat akoma më të keq. Ata prokurorë që nuk u shërbejnë Hashimave, Isave apo Ramushave dhe tentojnë t'i shërbejnë vetëm ligjit dhe shtetit, ose mbesin pa punë ose i pret azili politik larg diku, ose varri, pasi krimi i organizuar në shtet dhe politikë nuk lejon që prokurori apo zyrtari të jetë neutral dhe për t'i shërbyer vetëm ligjit. Po nuk u shërbeve BOSËVE të pret fati i zi, të presin rreziqet që nuk mundesh as t'i paramendosh fare", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas Miftarit, Kosova si shtet i kapur komplet nga mafitë politike dhe të nëntokës nuk ka as shansin më të vogël ta luftojë krimin e organizuar dhe sidomos korrupsionin."Nëse nuk ndërmerret pastrimi me VETTING-un i organeve të shtetit: Policinë, Drejtësinë, Prokurorinë, AKI-në, nga mafitë politike dhe partive të lidhura bashkë me mafinë, Kosova do të mbytet nën çizmen e mafisë politike vendore, por edhe asaj ndërkombëtare e armiqësore", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)