Veseli sulmon opozitën: Mos iu gëzoni dështimit për INTERPOL njëjtë si Serbia, bashkohuni me institucionet

  • 20 November 2018 - 13:22
Veseli sulmon opozitën: Mos iu gëzoni dështimit për INTERPOL njëjtë si Serbia, bashkohuni me institucionet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vota kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL ka dëmtuar shumë koalicionin ndërkombëtar për luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Sipas Veselit Serbia nuk do të arrijë që të ndalë fuqizimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Kreu i Kuvendit gjithashtu ka thënë se opozita kosovare nuk duhet t’i gëzohet këtij lajmi e të kërkoj pushtetin, por të bashkohet me institucionet  në sfidat që Kosova ka përpara.

Reagimi i plotë:

Sot nuk ishte ditë e mirë për Kosovën. Por, më i fuqishëm se fakti i mos anëtarësimit në Interpol është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtar të Kosovës, as krimi i organizuar, e as terrorizmi, nuk do të mund ta ndalin fuqizimin e shtetit të Kosovë dhe integrimin ndërkombëtar të tij.

Kosova krenohet me policinë e saj. Është policia më profesionale në rajon dhe më gjërë. Me profesionalizmin e saj të dëshmuar, Policia e Kosovës e ka bërë shtetin tonë partner të besueshëm dhe efektiv në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në veçanti kundër terrorizmit.

Vota e sotme negative ka dëmtuar qartësisht partneritetin ndërkombëtar kundër këtyre të këqijave.

Por, përkundër kësaj, ne nuk do të dekurajohemi në rrugën e qëllimeve tona integruese. Do të punojmë pa u ndalur dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Ashtu siç kemi bërë gjithmonë edhe me sfidat e të kaluarës.

Në këtë kontekst, do të ishte mirë dhe patriotike sigurisht që partitë opozitare, në vend që të bashkëndjejnë me Serbinë gëzimin për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol, e t’i fërkojnë duart për pushtet, t’i thërrasin arsyes dhe të gjejnë forcën e duhur për t’iu bashkuar institucioneve të vendit në përballje të përbashkët me sfidat që kemi përpara si shtet e shoqëri.

Nxitja e përçarjes së brendshme, politikat egoiste dhe bllokuese janë qartësisht dëmtim i Kosovës dhe i ndihmojnë fuqizimit të pozicionit ndërkombëtar të Serbisë në raport me Kosovën. Kjo sjellje politike duhet të marrë fund. Sa nuk është bërë vonë, për të gjithë!

(Kosova Sot)