POLITIKANËT E VODHËN BUXHETIN ME 1.2 MILION EURO PËR INTERPOLIN

  • 20 November 2018 - 13:30
POLITIKANËT E VODHËN BUXHETIN ME 1.2 MILION EURO PËR INTERPOLIN

Qeveria e Kosovës para një muaji, kishte ndarë 1 milion e 200 mijë euro për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- INTERPOL.

Këto para ishin ndarë për ekipin koordinues për të udhëhequr fushatën lobuese, ku përfshiheshin  Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, deputetet e zyrtare të ndryshëm të Qeverise. Ndonëse nuk dihet se si u shpenzuan të gjitha këto para të taksapaguesve kosovarë.

Por pavarësisht kësaj sot Kosova nuk mori votat e mjaftueshme për tu bërë pjesë e INTERPOLIT.

Siguroi vetëm 68 pro, 51 kundër  dhe 16 abstenim në raundin e dytë derisa në raundin e parë kishte 76 për, 56 kundër, dhe  22 abstenime.

Qeveria e Kosovës dhe krye diplomati Behgjet Pacolli e lanë fajtor Serbinë për luftë të egër brenda Kosovës.

Sipas Qeverisë fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.

“Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Krye diplomati kosovar, Behgjet Pacolli pas dështimit të vendit për anëtarësim në organizatën INTERPOL ka deklaruar se Serbia bëri luftë të pamëshirshme kundër Kosovës.

Sipas Pacollit sot nuk ka fituar as Kosova as Serbia  “Mund të them se i vetmi fitues sot është e keqja”.

“Ne e pamë që dy shtete nga Oqeania, që shumë kush mund të mos i njoh, u anëtarësuan, pa asnjë problem e Kosova jo. Oponenca është tepër e madhe, kundërthëniet janë tepër të mëdha Serbia bëri  një luftë të pamëshirshme kundër anëtarësimit me të gjitha mjetet. Neve na mbetet të mbesim konstruktiv dhe ti japin rëndësi shumë të madhe dialogut”, tha Pacolli në një deklaratë për media.

Vitin e kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL. Çështja e pranimit të saj ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin.

Por, nga pasiguria se do të siguronte votat e mjaftueshme për pranim, kishte tërhequr kandidaturën.

 

(Kosova Sot)