Bahtiri: Për dështimin në Interpol, fajtor është Thaçi

  • 20 November 2018 - 23:47
Bahtiri: Për dështimin në Interpol, fajtor është Thaçi

Nënkryetari i AKR’së Agim Bahtiri nuk fajëson shefin e partisë Behgjet Pacolli i cili në rolin e Ministrit të Punëve të Jashtme nuk arriti të bëjë Kosovën pjesë të Interpolit. Pas kësaj, po kërkohet dorëheqja e Pacollit nga rivalët politikë.

Por për Bahtirin, fajtori është Hashim Thaçi, president i Kosovës.

“Ky nuk është dështim i Behgjet Pacollit”, thotë Bahtiri duke përmendur luftën e Serbisë kundër Kosovës.

“Lobimi i Serbisë ka qenë në pjesën më të lartë të mundshme. Është një luftë e paparë e Serbisë ndaj Kosovës’, shtoi ai.

“Ky është një gabim trashanik i z. Hashim Thaçi. Këtë punë që e ka bo edhe pe bon duke lobuar për planin e Serbisë vjen deri këtu që ne mos të jemi të gatshëm që të bindim ndërkombëtarët që të na përkrahin”, tha kryetari i Mitrovicës.

“Kur kryetari i shtetit dëshiron t’i prekë kufijtë e fituar me gjak është diçka e çuditshme për vendet tjera”, tha ai.

Kosova ka dështuar të anëtarësohet në INTERPOL, pas dy raunde votimi që janë zhvilluar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate. Si në raundin e parë, ashtu dhe në atë të dytë, Kosova nuk arriti të merrte 2/3-at e votave të nevojshme për anëtarësim, përfshi abstenimet

Në raundin e parë votuan 156 vende, prej të cilave 76 pro, 22 abstenime dhe 56 kundër. Ndërsa në të dytin 68 pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.

 

(Kosova Sot)