Skandaloze, Ramiz Kelmendi i "Elkos"-it tregtoi me "Kosovë dhe Metohi"

  • 21 November 2018 - 07:50
Skandaloze, Ramiz Kelmendi i

Mbetet ende enigmatike se si arriti afaristi Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë ELKOS-ETC, që për gati dy dekada të sjellë produkte që kanë mbishkrimin "Kosovë dhe Metohi". Kjo aq më tepër, thonë analistët, kur dihet se Kelmendi ishte edhe në postin e zëvendëskryeministrit, por edhe deputet i disa partive në Kuvendin e Kosovës. Analistët shtrojnë pyetjen se si po tallet me shtetin dhe qytetarët Ramiz Kelmendi, ku produktet e lavanderisë e kujdesit shtëpiak dhe jo vetëm ato, por edhe produkte e tjera, të cilat vijnë nga Serbia përmes kompanisë së tij, mbajnë mbishkrimin "Kosova dhe Metohia". Ky nuk është skandali i vetëm. Sipas specialistëve të kësaj fushe, afaristi Ramiz Kelmendi, veç tjerash, edhe kishte rrezikuar qytetarët në lokalet e ETC-së, duke iu shitur mish të prishur dhe me afat të skaduar, por edhe duke shitur mish me mace të shtrira pranë mishit për shitje, duke rrezikuar rëndë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të MTI-së, por edhe në adresën e afaristit Ramiz Kelmendi, të njëjtit nuk janë përgjigjur. Nuk është përgjigjur as zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçi. Degradimi institucional Kurse deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi, për " Kosova Sot", tha se e tëra kjo maskaradë tash e 20 vjet ka ndodhur sepse në këtë rast bëhet fjalë për lidhje të mëhershme të këtij afaristi me Serbinë.

Institucionet tona duhet që të kenë një qasje tjetër ndaj këtij emërtimi 'Kosovë dhe Metohi', sepse po këtë emërtim janë duke e përdorur pa asnjë pengesë e llogari edhe deputetët e tashëm të Listës Serbe, që këtë emërtim e përdorin mu në Kuvendin e Kosovës. Prandaj edhe këta afaristë e kanë po këtë terren dhe kjo është loja që po vazhdon", u shpreh ai."Edhe nuk duhet që të befasohemi se përse afaristi Ramiz Kelmendi, ndonëse ka qenë njëherë zëvendëskryeministër, se përse përdoren emërtime të tilla, 'Kosovë dhe Metohi' aq më tepër kur dihet se kush është në krye të shtetit", vlerësoi Lajçi."Këto klane si ky i Ramiz Kelmendit e kanë bërë punën pis në institucionet tona, duke e denigruar e degraduar tej mase e duke e shtrirë për toke punën e këtyre institucioneve. Ndaj qytetarët duhet të protestojnë për këta njerëz e kundër këtyre grupeve, sepse deputetin mund ta heqësh nga ajo pozitë vetëm në tri raste. E para, nëse deputeti jep dorëheqjen vetë, nëse deputeti është i sëmurë, ose në rastin e tretë, që deputeti mungon në mbledhjet e Kuvendit rresht për 6 muaj dhe nuk mund ta kryejë detyrën", ka thënë më tej ai. "Mënyra e vetme që në Kuvendin tonë mos të ketë deputetë të sojit të tillë, sikurse që është Ramiz Kelmendi, është që qytetarët të reflektojnë e mos të votojnë deputetë të tillë", u shpreh deputeti Ali Lajçi për "Kosova Sot" Dogana e Kosovës dhe ATK-ja nuk duhet lejuar që të hyjnë mallrat me mbishkrimet 'Kosovë dhe Metohi" Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se veprimi i MTI-së është për lëvdatë dhe në këtë rast faji nuk është i afaristit Ramiz Kelmendi, por është faji te neglizhenca e institucioneve të tilla që kanë lejuar një gjë të tillë për afro dy dekada. "Andaj Dogana e Kosovës dhe ATK-ja në të ardhmen nuk duhet lejuar që në vendin tonë të hyjnë mallrat me mbishkrimet 'Kosovë dhe Metohi'", u shpreh ai. 

GRAPCI: KELMENDI ËSHTË NJË MARIONETË E QEVERISË SERBE ME MALLRAT QË PO I IMPORTON ME MBISHKRIMET 'KOSOVA DHE METOHIA' Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot', thotë se afaristi Ramiz Kelmendi nuk është dashur fare të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës, pasi që i njëjti tashmë e kishte fituar postin e deputetit, por duke e ditur që ky është biznesmen partia në të cilin është anëtare, LDK-ja, e ka pranuar që t'u ndihmojë me financa nëpër fushatat zgjedhore."Është një fakt i pamohueshëm se ETC-së i ka dalë emri i keq shkaku sektorit të mishit, ku që nga fillimi i hapjes se kësaj qendre tregtare qytetarët tanë gjithmonë kanë hasur në mishra të cilësisë së dobët, apo me afat të skaduar, si dhe në sektorin e bukës, ku brenda saj klientët gjenin insekte, qese, zhileta për rroje. Por e tërë e keqja është se kjo kompani asnjëherë nuk është gjobitur në këta dy sektorë dhe veç saj askush nga inspektorët nuk kanë shkuar tek fabrika e bukës për ta shikuar për së afërmi se si dhe ku po bëhet dhe piqet buka", u shpreh ai."Prandaj, unë mendoj që inspektorët duhet ta marrin me seriozitet punën e tyre dhe mos të kenë mëshirë ndaj atyre që mundohen ta helmojnë popullin. Prandaj, edhe them lirshëm se kompania e deputetit të tashëm dhe ishzëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, ELKOS-i, po e shkatërron ekonominë e brishtë të Kosovës, falë lidhjeve me politikën dhe partitë që janë në pushtet", vlerëson Grapci."Sot në tregun kosovar thuajse nuk ka fare konkurrencë në biznes, si dhe tregu i biznesit në vend se të rritet dita-ditës po zvogëlohet .Veç saj, Kelmendi është bërë edhe një marionetë e Qeverisë serbe me mallrat që po i importon me mbishkrimet 'Kosova dhe Metohia'", tha ai për "Kosova Sot". NUK KA LIGJ, TREGU NË RREZIK Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se i ka pëlqyer vendimi i MTI-së për të ndaluar mallrat me mbishkrimin 'Kosovë dhe Metohi'. "Ndërkaq vlerësoj se e tëra kjo ka ndodhur nga mungesa e sundimit të ligjit nëpër institucionet tona në Dogana e ATK. Mungesa e sundimit të ligjit është një nga faktorët që ndikojnë edhe në përkeqësim të gjendjes së ambientit për të bërë biznes. Sepse sundimi i ligjit nuk ekziston, nuk ka transparencë, bëhen keqpërdorimet më të mëdha, atëherë edhe mundësia për të pasur biznese dhe konkurrencë të lirë në tregun mungon", shpjegon ai. Sipas tij, këtë neglizhencë të institucioneve, posaçërisht të Doganave të Kosovës dhe ATK-së, e ka shfrytëzuar edhe ky afarist.

ALIU: RAMIZ KELMENDI PO TALLET ME SHTETIN E KOSOVËS DHE QYTETARËT E SAJ Analisti Bislim Aliu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se me të vërtetë është e çuditshme se si arriti afaristi Ramiz Kelmendi, pronar i ELKOS-it - ETC-së, që për dy dekada të sjellë produkte që kanë mbishkrimin "Kosovë dhe Metohi", ndërsa importoi këto mallra me mbishkrime të ngjashme edhe në kohën kur ishte zëvendëskryeministër i Kosovës, por edhe deputet i disa partive në Kuvendin e Kosovës. "Duhet thënë troç se me të vërtetë me këtë afaristi Ramiz Kelmendi po tallet me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, pasi produktet e lavanderisë dhe kujdesit shtëpiak dhe jo vetëm kaq, por edhe me produkte të tjera, të cilat vijnë nga Serbia, përmes kompanisë së tij, mbajnë akoma mbishkrimin 'Kosovë dhe Metohi'", theksoi ai. "Ky mbishkrim "Kosovë dhe Metohi" zaten nuk është i vetmi skandal i Ramiz Kelmendit, që po tallet me shtetin dhe popullin e saj, por dijet botërisht se Ramiz Kelmendi edhe kishte rrezikuar qytetarët në lokalet e tija të ETC-së, në Pejë, duke u shitur mish të prishur dhe me afat të skaduar, por edhe mish me mace të shtrira pranë mishit për shitje, duke rrezikuar rëndë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Andaj tash është koha që shteti të marrë masa ndaj tij", u shpreh Bislim Aliu për "Kosova Sot". GABIM KATASTROFAL I BIZNESMENIT POLITIKAN Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, për gazetën "Kosova Sot", thotë se realisht importi i këtij malli me këto mbishkrime 'Kosovë dhe Metohi' ka qenë dashur që të ndalohet që në fillim të këtyre importeve me mbishkrime të tilla."Ndërkaq urdhëresa e MTI-së, ndonëse e vonshme, është e mirë, ngase njëherë e përgjithmonë duhet që të ndalohet një dukuri e tillë e importit të mallrave me këtë logo, 'Kosovë dhe Metohi'", u shpreh ai. "Edhe sa i përket afaristit Ramiz Kelmendit, që ka qenë deputet e zëvendëskryeministër, mendoj se personalisht nuk ka qenë dashur që të lejojë një gjë të tillë, që të importojë mallra me këtë logo, sepse është një kompani e njohur dhe kredibile në Kosovë. Prandaj në asnjë mënyrë në kompaninë e tillë nuk ka qenë dashur që të lejojnë importe me një mbishkrim të tillë 'Kosovë dhe Metohi'. Prandaj, konsideroj se kjo sasi e mallit me këtë mbishkrim nga ana e MTI-së ka qenë dashur që të konfiskohet menjëherë dhe t'i ndalohet një shitje e tillë dhe normalisht veç saj ka qenë dashur edhe që të ndëshkohet menjëherë", potencoi analisti Maxhuni."Veç saj jo vetëm nga kjo kompani, por nga asnjë kompani tjetër nuk duhet lejuar që të shiten mallra me një logo të tillë, 'Kosovë dhe Metohi'. Realisht ka qenë dashur që MTI-ja të reagojë menjëherë, por edhe që të urdhërohet Dogana që mos të lejohen më që të importohen mallra të tilla me mbishkrimin 'Kosovë dhe Metohi'", shtoi më tej ai.

(Kosova Sot)