Protestuesit tek Astiri bllokojnë rrugën, thirrje Ramës: Faqezi, do e mbrojmë me gjak pronën!

  • 21 November 2018 - 18:51
Protestuesit tek Astiri bllokojnë rrugën, thirrje Ramës: Faqezi, do e mbrojmë me gjak pronën!

Ashtu si çdo pasdite prej thuajse 20 ditësh, banorët e Astirit kanë dalë në protestojë për të mbrojtur nga shembja shtëpitë e tyre në Tiranë. Aksi rrugor në zonën e Unazës së Re që lidh “pallatin me shigjeta” me qendrën e “Shqiponjës” është bllokuar nga protestuesit.

Thirrje të shumta janë bërë  kundër kryeministrit Rama duke e cilësuar atë si një faqezi që do të vrasë qindra familje shqiptare. Qytetarët janë shprehur se nësër do të protestojnë përpara parlamentit, ku pritet që Rama të japë dhe një qëndrim zyrtar mbi çështjen e banesave që preken nga projekti për Unazën e Madhe.

Protestuesi: I bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar që të ngrihen se kjo është një kauzë për gjithë Shqipërinë që po ik drejt humnerës. Po ikin njerëzit jashtë.U bëj thirrje të gjithë Ambasadave. O kryefaqezi, pronën do ta mbrojmë me gjak, me jetë!

Ti do të më vrasësh mua, pas meje do të vish dhe ti.Do të vdes për pronën time. Vetëm mashtrime ke bërë me këtë popull, por nuk na shtyp dot. Po na vrave ne, do të dalin dhe të tjerët më të fortë se ne dhe ti me ne e ke fundin, ta kesh të qartë. Lëri lojërat politike se nuk jemi për politikë, jemi për të drejtën tonë legjitime.

Avokati i Popullit të mos flejë gjumë, u bëj thirrje të gjithë Ambasadave, shoqatave të të drejtave të njeriut, të vinë tani sa nuk është vonë. Më vonë nuk e di çfarë do të bëhet, do ti mbrojmë me gjak pronat tona.Jemi të gjithë të bashkuar dhe nuk na përçani dot.

 

(Kosova Sot)