Mishi i oligarkut Ramiz Kelmendi kërdi brenda, kërdi jashtë!

  • 04 December 2018 - 07:56
Mishi i oligarkut Ramiz Kelmendi kërdi brenda, kërdi jashtë!

Guraziu: Ku jeni ju inspektorët e shëndetësisë derisa Ramiz Kelmendi me hipermarketin e tij 'ETC' po hedh mbetjen e eshtrave të mishit të kafshëve?!

Njohësit e fushës së ekonomisë alarmojnë se skandalet e deputetit dhe afaristit Ramiz Kelmendi me hipermarketet e tij të shumta të "ETC"-së nuk kanë të ndalur. Kësaj radhe punëtorët e kompanisë së tij janë kapur në flagrancë duke hedhur mbetjet e kafshëve në një deponi afër njërës urë të Ibrit, që lidh Mitrovicën Jugore me atë Veriore. Shi për këtë, këto veprime se si i ka hedhur pronari i "ETC"-së mbetjet e kafshëve, mishi i të cilave ishte shitur në market, kanë reaguar analistët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës, të cilët kanë hapur shumë çështje për diskutim. Analistët pyesin se si është në gjendje kjo kompani që ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve, të cilët fare lehtë mund të helmohen nga mbetjet e kafshëve, e në anën tjetër shteti po vazhdon që të përkëdhelë Kelmendin vetëm se financon shumicën e partive të inkriminuara politike në Kosovë. Me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të MTI-së, si dhe afaristit Ramiz Kelmendi, gazetari nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara.

Partitë heshtin, sepse e kanë "gushën" plot

Ndërsa, analisti Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot', u drejtohet autoriteteve duke thënë: "Ku jeni ju inspektorët e shëndetësisë derisa Ramiz Kelmendi me hipermarketin e tij 'ETC' po hedh mbetjen e eshtrave të mishit të kafshëve në vendet e ndaluara, mishi i të cilave ishte shitur në marketin e tij në Mitrovicë, që është hedhur nga punëtorët e pronarit të 'ETC'-së, që i bie se është kompania e biznesmenit dhe deputetit Ramiz Kelmendi?" "Çfarë po bëni ju inspektorët e shëndetësisë dhe përse po e teleroni që të bëjë në këtë mënyrë kompania e biznesmenit Ramiz Kelmendit dhe kur kemi ashtu parasysh, se edhe ashtu nuk po kemi shpëtim nga ndotja e ajrit,veç edhe kjo po na duhet?!", vijoi më tutje Guraziu. "Kjo është një situatë për mbamendje, aq më tepër kur shefi i kësaj kompanie ka qëndruar dhe ende qëndron në krye të politikave udhëheqëse", ka thënë ai. "Si është në gjendje kjo kompani ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve, të cilët fare lehtë mund të helmohen nga mbetjet e kafshëve. Prandaj, e them lirshëm se shteti po e përkëdhel Ramiz Kelmendin vetëm se ai që nga pas lufta po i financon shumicën e partive të inkriminuara politike në Kosovë, që nuk lanë gjë pa e sprovuar qytetarët e pafajshëm të Kosovës", shpjegon analisti Guraziu.

Shëndeti publik, në rrezik

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se sa u përket veprimeve të kompanisë "ETC", që është në pronësi të afaristit dhe deputetit Ramiz Kelmendi, që ka qenë edhe zëvendëskryeministër, në asnjë mënyrë nuk ka qenë dashur që të lejojë një gjë të tillë, që të rrezikohet shëndeti i qytetarëve tanë. "Prandaj, duke qenë se kompania e tij nuk është hera e parë që bën skandale të tilla duke e rrezikuar shëndetin e qytetarëve, vlerësoj se z. Ramiz Kelmendi nuk është dashur fare të bëhet deputet dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, por e keqja është se Ramiz Kelmendi si deputet vjen si pasojë e numrit të madhe të punëtorëve që e sollën në këtë post", u shpreh ai. "Prandaj, për shkak të këtyre gabime recidiviste do të ishte mirë që MTI-ja ta ndëshkojnë deputetin Ramiz Kelmendi me dënime drastike në të holla, sepse ka shuma të mëdha kredish me miliona euro dhe vetëm ndëshkimi do ta disiplinonte atë", sugjeron Halimi. "Me këto çështje, që kanë të bëjnë me rrezikimin e shëndetit të qytetarëve të Kosovës nga kompanitë e ndryshme, duhet të merren institucionet e pavarura, por edhe në kuadër të kabinetit të kryeministrit ka agjenci, si i AUVK-u, që kanë obligim ligjor dhe kushtetues që të merren me këtë çështje, prandaj ata edhe janë të obliguar që çdo produkt që shkakton rrezikshmëri të qytetarit të veprojnë në kuadër të ligjit pa favorizuar biznese të caktuara", ka thënë ai. Sipas Halimit, e tëra kjo po ndodh, ngase në Kosovë ka mungesë të madhe të sundimit të ligjit dhe për këto pasoja po bëhen keqpërdorimet më të mëdha. "Ndaj, këtë neglizhencë të institucioneve, posaçërisht të AUVK-ut dhe inspektorëve të MTI-së, po e shfrytëzojnë edhe shumë afaristë, por edhe Ramiz Kelmendi", vlerësoi ai.

Shkatërrimi i pandalshëm i ekonomisë

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot', thotë se vërtet është për keqardhje që politikanët që i kemi sot në Qeveri, nuk po guxojnë qe t'ia ndalojnë Ramiz Kelmendit veprimtarinë e tij, me këto skandale të shumta e të pandërprera. "Kjo, ngase duhet filluar nga mishi i prishur me afat të skaduar e deri tek hedhja e mishit nëpër vende të ndaluara, sidomos në lumenj të ndryshëm", u shpreh ai. "Puna e deritashme e krerëve të AUVK-ut lë shume për të dëshiruar. Kjo pasi janë Inspektorati i AUVK-ut dhe ata për Shëndetin Publik duhet te bëjnë testet tek burimet e ujit afër vendit ku janë hedhur këto eshtra të mishrave, ngase mund të ndodhë që banorët e asaj ane të lumit të helmohen. Prandaj, apeloj tek krerët e shtetit dhe Policia e Kosovës që të marrin masa drastike për parandalimin e hedhjes se kockave të mishrave në lumenjtë ku ka banorë", ka thënë Grapci. "Në saje të të gjitha këtyre veprimeve,afaristi Ramiz Kelmendi nuk është dashur fare të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës, por duke e ditur që ky është biznesmen, ai është bërë anëtar i LDK-së, duke e ditur që Ramiz Kelmendi mund t'ju ndihmojë me financa nëpër fushatat zgjedhore etj.", potencoi ai. Sipas Grapcit, edhe me rastin që ka ndodhur në Mitrovicë, tashmë ne nuk duhet që të çuditemi fare, sepse hipermarketeve të "ETC"-së u ka dalë emri i keq shkaku i sektorit të mishit. "Por, e tërë e keqja është se kjo kompani asnjëherë nuk janë gjobitur dhe lirshëm e them se kompania e deputetit të tashëm dhe ish-zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi,'ELKOS'-i, po e shkatërrojnë ekonominë e brishtë të Kosovës, falë lidhjeve me politikën dhe partitë që janë në pushtet", ka theksuar ai.

VEPRIM SKANDALOZ, MERITON NDËSHKIM

Eksperti i ekonomisë Nehat Maxhuni, për gazetën " Kosova Sot", thotë se vërtet ky është një veprim skandaloz, ngase të veprojë kësisoj një deputet i Kuvendit të Kosovës që madje ka qenë edhe nënkryetar i Qeverisë së kaluar, kjo vërtet është e patolerueshme. "Ai si deputet i Kuvendit që është duhet që të jetë një shembull për të mirë për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha bizneset dhe jo që të jetë një shembull dhe yrnek për të keq. Prandaj, vërtet sjellja e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, që me kompaninë e tij po hedh mbetjet e eshtrave të bagëtive të shitura në dyqanet e tij është vërtet për keqardhje. Me këso veprimesh të papërgjegjshme duhet që të merren Inspektorati i shëndetësisë dhe ata të MTI-së dhe AUVK-ut. Kjo, ngase veprime të tilla të hedhjes së eshtrave në vendet publike paraqesin një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve tanë. Andaj, jam i mendimit se institucionet e shtetit duhet që ta gjobitin rëndë këtë kompani dhe pronarin e saj për këso veprimesh që e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve tanë duke e dënuar në mënyrë drastike", potencoi Maxhuni.

SALIHU: SHTETI E "PËRKËDHEL" BIZNESMENIN

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu , për gazetën " Kosova Sot", tha se vërtet është për keqardhje se si një deputet i Kuvendit të Kosovës, që është edhe pronari i hipermarketeve të "ETC"- së, të tolerojë hedhjen e mbetjeve të kafshëve dhe eshtrave të mishit që ishte shitur në marketet e tij. "Prandaj, në këtë rast doemos se duhet shtruar pyetjen se përse tolerohet që të veprojnë në këtë mënyrë kompania e Ramiz Kelmendit. Veç saj, duhet dhënë përgjigje se si është në gjendje ky afarist dhe kjo kompani që ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve, të cilët fare lehtë mund të helmohen nga mbetjet e kafshëve. Aspak nuk duhet që të çuditemi se përse organet e shtetit po e përkëdhelin deputetin dhe afaristin Ramiz Kelmendin. Por, në këtë rast ajo që më ka habitur ka qenë heshtja e ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor që nuk e ka alarmuar këtë rast para organeve të Inspektoratit, por vetëm ka heshtur dhe sikur mos të ishin mediet rasti do të heshtej në tërësi. Nuk duhet të çuditemi fare për heshtjen e inspektorëve, sepse këto mesele të Ramiz Kelmendit po na ndodhin që 19 vjet, sepse janë klanet si ky i Ramiz Kelmendit me shokë shumë që e kanë bërë punën pis në institucionet tona, duke e denigruar e duke e degraduar tej mase e duke e shtrirë përtokë punën e këtyre institucioneve. Ndaj, qytetarët duhet që të protestojnë për këta njerëz e kundër këtyre grupeve, prandaj qytetarët duhet të këndellen e mos të votojnë deputet të tillë", vlerësoi Salihu.

KOMUNA E MITROVICËS I KËRKON "ETC"-SË TË LARGOJË MBETURINAT E KAFSHËVE

"Shefi i Inspektoratit të Shërbimeve Komunale, Fatmir Kelmendi, në lidhje me pyetjen, ka qenë dje në atë vend dhe ka shkuar tek menaxheri i 'ETC'- së, Valon Peci, prej të cilit ka kërkuar menjëherë që të largohen ato mbeturina të kafshëve, të cilat, sipas shefit të Inspektoratit, Kelmendi, duken se janë hedhur më herët. Mirëpo, menaxheri i "ETC"-së, Valon Peci nuk ka hezituar dhe së bashku me inspektorët komunalë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë respektuar urdhëresën e inspektorëve, duke bërë largimin e të gjitha mbeturinave, me çka dëshmohet edhe përmes fotove. Po ashtu, Drejtoria e Inspektoratit bën të ditur se nga dita e djeshme ka filluar të zbatohet edhe Urdhëresa Administrative nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ndëshkim me gjoba mandatore ndaj atyre që bien në kundërshtim me këtë Udhëzim Administrativ. Dhe, arsyeja pse nuk kanë filluar deri më tani qëndron tek procesverbalet që nuk i kanë pasur në dispozicion për të aplikuar këto gjoba", thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Mitrovicës për gazetën "Kosova Sot". 

 

 

(Kosova Sot)