Drejtësia i bën "peshqit e mëdhenj" model të Republikës - Lajme - Kosova Sot
Drejtësia i bën "peshqit e mëdhenj" model të Republikës

Drejtësia i bën "peshqit e mëdhenj" model të Republikës

Miftari: Politikanët e korruptuar kanë zaptuar shtetin dhe ligji nuk është fare problem për ta, sepse ata janë mbi ligjin! 

Si askund tjetër, në shtetin me demokraci të zhvilluar, me rend dhe ligj, nuk do të ndodhte sikundër ndodh në Kosovë, ku prokurorët do të mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar, bashkë me mafio-oligarkët, që realisht janë SHEFA në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal. Kështu, pra, lejohet që prokurorët në Kosovë, në shumicën e rasteve, kallëzimet penale t`i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë e mosveprimeve, pa asnjë argument, ose i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë", thotë analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot" Duke parë se sa thellë është futur ndikimi i politikës në institucionet e drejtësisë kosovare, njohësit e kësaj fushe dhe analistët vlerësojnë se tanimë në Kosovën e varfër është bërë modeli i kriminelit, ai modeli kryesor, si peshku i madh, që i shpëton gjithnjë drejtësisë, që sistemi gjyqësor nuk arrin ta burgosë dhe ta dënojë, sepse pas tij qëndron gjithnjë një pushtet i tërë, pra i tri pushteteve bashkë dhe të pandara. Sipas analistëve, kjo është arsyeja se pse pikërisht lëndët korruptive të korrupsionit janë lëndët që më së shumti parashkruhen nga gjykatat, duke amnistuar kështu politikanët e tejkorruptuar e mafiozë. Kjo praktikë e veprimit të koordinuar mes politikës së inkriminuar dhe drejtësisë së pafuqishme ndaj krimit, bën që të ndodhë edhe parashkrimi i dhjetëra mijëra lëndëve të profileve të ndryshme, duke mos arritur asnjëherë të zgjidhen me drejtësi e ligje pozitive të vendit. Prandaj, sipas analistëve, ndodh kështu që sistemi i drejtësisë nuk ka arritur t'i gjykojë, ngase edhe hallkat e tjera paraprake kanë dështuar në kapjen e kryerësve të këtyre veprave të rënda penale e kriminale. Mungojnë gjyqtarët dhe prokurorët me integritet Situatën skandaloze e sheh në sistemin e drejtësisë kosovare edhe analisti dhe publicisti Naim Kelmendi."Si askund tjetër në shtetin me demokraci të zhvilluar, me rend dhe ligj, nuk do të ndodhë sikundër ndodh në Kosovë, ku prokurorët do të mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar, bashkë me mafio-oligarkët që realisht janë SHEFA në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal. Kështu, pra, lejohet që prokurorët në Kosovë shumicën e rasteve të kallëzimeve penale t`i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë e mosveprimeve, pa asnjë argument, ose i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë", u shpreh ai. "Pra, Kosova edhe më tutje po vuan për prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë, me etikë dhe integritet profesional dhe të cilët nuk e shesin dhe as nuk e trafikojnë drejtësinë. Kështu, pra, drejtësia e padrejtë dhe e trafikuar po vendoset kryesisht nga pazaret kriminale interferuese, ndikuese dhe sekserët e mafio-oligarkëve politikë dhe të mafio-oligarkëve të bizneseve të kriminalizuara që shëtisin lirshëm nëpër këto institucione të drejtësisë dhe bëjnë korruptimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi dhe që në fakt edhe në baza ditore bëjnë krimin e organizuar, nëpër prokuroritë dhe nëpër gjykatat e faktit në Kosovë", vlerësoi ai. Analisti dhe publicisti Kelmendi vazhdon të theksojë se derisa nuk kemi dekriminalizim të plotë të këtij sistemi përmes VETTINGut, problemet sa vijnë e do të thellohen akoma më shumë. "Dhe, për çudi, për kaq kohë edhe të këtij pushteti, të kësaj Qeverie që po e konsumon këtë mandat të ri, nuk dihet qartë se ku janë arsyet që po vonohet. Unë mendoj qëllimisht dhe nuk po procedohet në Qeveri fillimisht e pastaj edhe në Kuvend Ligji i dekriminalizimit dhe Ligji i Vetting-ut për të hapur diskutimin në komisionin e ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare dhe në fund edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit, për diskutim dhe aprovim të këtyre dy ligjeve kruciale për vetë pastrimin e drejtësisë dhe të politikës dhe të gjitha institucioneve të shtetit", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

PRETENI: LOJA NË DREJTËSI LUHET NË MËNYRAT MË PERFIDE TË MUNDSHME! Sipas njohësit të kësaj fushe, Hasan Pretenit, loja në drejtësi, për të dështuar rastet, luhet në mënyrat më perfide të mundshme."Gjykimet shtyhen tej mase disa herë, ndërrohen prokurorët, nuk vijnë gjyqtarët, nuk informohen të paraburgosurit, qendrat e mbajtjes, 'sëmuret' prokurori ose nuk vjen mbrojtësi, të akuzuarit që mbrohen në liri, herë vjen njëri e herë tjetri. Shtyhen seancat dhe ndodh vetëm ajo të cilën e kërkojnë, kalon koha. Prandaj, thuhet në fund: Parashkruaje se u vjetrua dhe ka humbur nga aktualiteti. Nëse edhe ndodh ndonjë gjykim në shkallë të parë, kjo ndodh shumë rrallë, atëherë në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, ato në të shumtën e rasteve kthehen në rigjykim dhe prapë nga fillimi. Shou zgjat dhe nuk përfundojnë me skenarin dhe modelin e serialeve aziatike dhe latino-amerikane. Tani edhe 4 ditë bota e civilizuar e shënon Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Dalin mekanizmat dhe i tregojnë rezultatet. Rezultate ka në të gjitha shtetet tek të cilat sundojnë rendi dhe ligji. E në Kosovë?!...", u shpreh ai. "Jam i bindur se kryesuesit e organeve qendrore, që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, nuk e dinë se kur është kjo datë dhe çka do të thotë kjo. Organizatat joqeveritare do të organizojnë ndonjë tryezë me pjesëmarrje modeste, UNDP-ja do të shpërblejë ndonjë gazetar për gazetari hulumtuese, mund të ketë ndoshta edhe ndonjë intervistë, por një është e sigurt, nuk ka rezultate, nuk ka aktakuza të mirëfillta kundër 'peshkaqenëve', nuk ka aktgjykime dhe mos të flasim për konfiskime dhe masa të tjera. Nuk është sanksionuar asnjë zyrtar as me largim nga puna ose me dënim me lekë. Kanë gabuar shtetet që bash më 9 dhjetor kanë filluar të nënshkruajnë Konventën kundër korrupsionit, është dashur të prolongohet për pranverë, sepse Kosova dhjetorin e kalon në festë", tha Preteni për "Kosova Sot".

MIFTARI: ATY KU NUK SUNDOJNË DREJTËSIA DHE LIGJI, SUNDOJNË MAFIA DHE MALIQI! Sipas Naim Miftarit, njohës i fushës së sigurisë, në praktikën e drejtësisë kosovare, 'peshku i madh' apo krimineli i madh nënkupton sot se fjala është për politikanët e korruptuar, të cilit kanë zaptuar shtetin dhe ligji nuk është fare problem për ta, pasi ata janë vetë mbi ligjin."Dhe, kur vjen puna te shqyrtimi i lëndëve të korrupsionit, aty ku preken politikanët e fuqishëm, multimilionerët e nëntokës dhe atë e kemi të ditur që nuk do të kemi as hetim të mirëfilltë, por as gjykim, pasi procesi do zvarritet e do të devalvohet aq shumë, saqë më shumë do t'i ngjajë një shfaqje teatrale sesa gjykimit të mirëfilltë për korrupsion. Le të marrim këtu shembull konkret te zyrtarët e lartë të PDKsë, si Grabovcin, Sylën, Lushtakun e shumë ministra të AAK-së, por edhe të LDK-së. Prandaj, edhe izolimi i shtetit tonë dhe etiketimi si gropë e zezë në Evropë, ku sundon mafia politike dhe shumë kritika të tjera janë me vend. Pa marrë parasysh a integrohemi në BE a jo, ne duhet respektuar ligjet tona, shtetin tonë, territorin tonë, e jo të bëjmë cirkus me gjëra të shenjta që janë paguar me dhjetëra mijëra jetë e kemi mijëra dëshmorë e invalidë të luftës. Duhet ta ndërtojmë shtetin e së drejtës dhe jo të bëjmë cirkus me sakrificën e mijëra njerëzve të zhdukur e me të dhunuarit, të rrahurit e shumë sakrifica të tjera të popullit tonë. Aty ku nuk sundojnë drejtësia dhe ligji, sundojnë mafia dhe Maliqi", tha Naim Miftari.

MUNGON VULLNETI PËR SUNDIM LIGJI Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se vetëm në një shoqëri në të cilën në rrafshin e përgjithshëm nga lartposhtë dhe nga poshtë-lart në vertikale nuk ka vullnet për ta luftuar krimin e korrupsionin, instalohet sistem i tillë."Kjo temë është e qartë, nuk ka model efikas, as interes e më së paku vullnet për të zbatuar ligjet, kodet e fuqi nëpër rastet politike dhe deri më tash ka probleme shumë të theksuara në zbatim të ligjeve, të shumë akteve nënligjore e shumë kodeve. Nuk funksionon asgjë si duhet dhe atje ku duhet, ndonëse kemi ligje gati të mjaftueshme në të gjitha fushat, por zbatimi është jashtëzakonisht i dobët", u shpreh ai."Të gjitha këto probleme janë vërejtur për një kohë të gjatë në drejtësi, por nuk ka ndryshim dhe nuk ka fare lëvizje për më shumë efikasitet, pra nuk ka fare përparim në zbatimin efikas të ligjit. Deri tash është bërë njëfarë modeli tepër i mbrapshtë, një model kinse i punës, trajtimit e gjykimit të rasteve, por i mosnxjerrjes së aktgjykimeve të formës së prerë në sistemin gjyqësor", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

12 orë e 20 minuta më parë
13/12/18