Tribunali Special filloi: Rrustem Mustafa ftohet në Hagë

  • 06 December 2018 - 20:47
Tribunali Special filloi: Rrustem Mustafa ftohet në Hagë

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është personi i parë që do të intervistohet nga Prokurori i Gjykatës Speciale. Këtë e ka konifrmuar avokati i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arianit Koci.

Pas raportimit të mediave se një ish—komandant i UÇK’së ka pranuar ftesën për intervistim nga Gjykata Speciale, avokati Arianit Koci ka njoftuar se klienti i tij, Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, është ftuar nga Dhomat e Specializuara për intervistim. 

Njoftimi i plotë i Kocit:

Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. 
Kjo është ftesë për intervistim.
Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.
Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Mustafa rreth kësaj çështjeje.

 

(Kosova Sot)