Zyrtarët amerikanë, skeptikë ndaj premtimeve të Phenianit

  • 06 December 2018 - 23:29
Zyrtarët amerikanë, skeptikë ndaj premtimeve të Phenianit

Përpjekjet e Koresë së Veriut për të përmirësuar dhe zgjeruar një bazë raketash me rreze të gjatë veprimi nuk përbën surprizë për zyrtarët amerikan të zbulimit, të cilët prej kohësh kanë qenë të kujdesshëm ndaj premtimeve të Phenianit për çarmatim bërthamor.

Imazhet e reja satelitore tregojnë pamje nga ato që duket të jenë përmirësime në bazën e raketave të Yeongjeo-dong-ut, që ndodhet në brendësi të pjesës malore të Koresë së Veriut, si dhe kryerje punimesh në një objekt të ri, atë të Hoejung-ri, 11 kilometra larg.

"Linja jonë analitike nuk ka ndryshuar", tha për Zërin e Amerikës një zyrtar amerikan i zbulimit, kur u pyet rreth pamjeve. "Koreja e Veriut ka një punë të madhe për të bërë. Derisa të kenë bërë pjesën e tyre, ne mbetemi skeptikë," tha ai.

Imazhet e marra nga CNN-ni tregojnë nisjen e punimeve në 2017-n nga Koreja e Veriut për ndërtimin e një objekti të madh nëntokësor, punime që vazhdojnë ende që nga gushti i këtij viti.

Analistë në Institutin për Studime Ndërkombëtare në Middlebury, të cilët analizuan imazhet satelitore, thonë se kjo është hera e parë që indentifikohet publikisht baza e Hoejung-ri, duke e vlerësuar punën që po bëhet aty si "domethënëse".

Studiuesit thanë se nisur nga puna e bërë dhe vendndodhja e impiantit, bazat mund të jenë parashikuar për t’u pajisur me raketa të reja koreano-veriore me rreze të gjatë veprimi, disa prej të cilave janë në gjendje të pajisjen me mbushje bërthamore dhe me kapacitete për të arritur deri në Shtetet e Bashkuara.

"Edhe pse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un flet mbi dëshirën e tij për çarmatim bërthamor, Pheniani vazhdon të prodhojë e të pozicionojë raketa bërthamore", thotë Jeffrey Lewis i institutit të Middlebury për televizionin CNN.

Prej takimit historik të tyre në Singapor në qershorin e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur në mënyrë të përsëritur shpresën se ai dhe udhëheqësi i Phenianit mund të arrijnë një marrëveshje për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut.

Zoti Trump gjithashtu ka shprehur në mënyrë të përsëritur simpati për Kim Jong Un-in si në postimet e tij në Twitter ashtu edhe privatisht.

Pas takimit të fundit të G-20 në Argjentinë, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in u tha gazetarëve se zoti Trump ka pikëpamje "shumë pozitive" për Kim-in dhe se e "pëlqen" atë.

"Zoti Trump më kërkoi t'i them kryetarit Kim se ai do që të zbatojë pjesën tjetër të marrëveshjes mes tyre dhe se ai do t’i përmbushë dëshirat e kryetarit Kim”, shtoi Moon Jae-in.

Por pavarësisht takimit dhe bisedimeve në vazhdim, shumë në Uashington mbeten skeptikë rreth seriozitetit të Koresë së Veriut.

Zoti Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës kanë thënë se sanksionet ndaj Koresë së Veriut duhet të mbeten në fuqi derisa të finalizohet një marrëveshje.

Zyrtarët më të lartë të zbulimit të SHBA kanë qenë edhe më të kujdesshëm.

"Situata është më e mirë së në vitin 2017, për shkak të dialogut të krijuar mes dy udhëheqësve, presidentit tonë dhe Kim Jong Un-it", tha drejtoresha e CIA-s Gina Haspel përpara një audiencë në universitetin e Louisville, shtatorin e kaluar. Por ajo vuri në dukje se arritja e një marrëveshjeje do të ishte e vështirë.

"Regjimi ka kaluar dekada duke ndërtuar programin e armëve bërthamore," tha ajo. "Koreanët e veriut e shohin atë si një mundësi për ta përdorur në avantazhin e tyre dhe nuk mendoj se ata duan të heqin dorë lehtë."

Drejtori i Angjecisë Kombëtare të Zbulimit Dan Coats ka vendosur gjithashtu në pikëpyetje angazhimin e Phenianit për çarmatim bërthamor.

"E kam vendosur angazhimin e tyre në thonjëza," tha ai në një konferencë për zbulimin dhe sigurinë, shtatorin e kaluar.

"Mungojnë mekanizmat për verifikimin në terren nga inspektorët. Tani për tani ne nuk mund të konfirmojmë nëse Koreja e Veriut ka ndërmarrë hapa të tjera për çarmatim bërthamor”, tha ai. 

 

(Kosova Sot)