Kosova në anarki, zgjedhjet në pikëpyetje

  • 09 December 2018 - 07:46
Kosova në anarki, zgjedhjet në pikëpyetje

Hertica: Qytetarët e Kosovës i kanë humbur shpresat nga kjo klasë politike që ua kanë nxirë jetën dhe e shohin perspektivën vetëm jashtë vendit

"E keqja është se Kosova po rrezikon që të mbetet pa qytetarë dhe pa votues. Sepse, të gjithë po ikin nga Kosova, qoftë me viza apo edhe pa viza, e këtë e bënë edhe 10 shokë të mi, që tashmë kanë ikur jashtë vendit. Kjo, sepse këtu nuk ka asnjë perspektivë, ngase rreziku më i madh po na vjen nga politikanët tanë hajna", thotë për gazetën "Kosova Sot" qytetari nga Prishtina, Fatmir Bejiqi.

Edhe pse politikanë të opozitës herë pas here kërkojnë zgjedhje, nga heshtja e liderëve të tyre duket se partitë kosovare nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja nacionale. Sipas analistëve, ekziston rreziku që Kosova të ketë një krizë të mungesës së elektoratit. Në mungesë perspektive në vend, elektorati kosovar po pakësohet dita-ditës, për shkak të shkuarjes në Perëndim, sidomos të të rinjve. Nga ana tjetër opozita është e ndarë. Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk e beson se së shpejti në Kosovë do të ketë zgjedhje të reja nacionale, sepse spektri politik i opozitës është pikë e pesë. " Kurse, si dihet ditë më parë një pjesë e opozitës tashmë veç u bënë bashkë me koalicionin në pushtet", shtoi ai. "Me vetëm një subjekt politik (LVV), që po e dëshiron këtë, është shumë e vështirë se do të ketë zgjedhje të reja nacionale. Kjo, ngase partia tjetër opozitare, pra LDK-ja, si po duket ata nuk kanë fare interesim për zgjedhje të reja nacionale, sepse edhe atyre po u konvenon gjendja e tashme e status-quos", potencoi Lajçi.

Situata e padurueshme, opozita pa vizion

Analisti Albinot Maloku, për gazetën "Kosova Sot", tha se subjektet politike në tërësi nuk janë të gatshme që të ketë zgjedhje të reja, mirëpo procesi zgjedhor është më se i domosdoshëm. "Në kushtet normale, partitë politike opozitare do të duhej që të ishin të gatshme për një proces zgjedhor, pasi ato konsiderohen si kontrolluese të punës së pushtetit, në këtë rast pra bëhet fjalë për opozitën, për LDK-në dhe LVV-në, që do të duhej të ishin të gatshme, për arsye se kriza aktuale, që po merr forma dhe përmbajtje të ndryshme, që për qytetarët e Kosovës bëhet e padurueshme, ndonëse qytetari kosovar po dallon prej atij francez në kuptimin e qëndrueshmërisë dhe konsistencës në kërkesat e tij", potencoi ai. "Është e keqe për një subjekt politik, që thotë se ne kemi vija të kuqe, kurse më pas po ato vija të kuqe thyhen nga ky subjekt politik, LDK-ja, sepse që të gjitha këto vija të kuqe LDK-ja i ka konvertuar më pas në një Po, prandaj problematika është tek thyerja e vijave të kuqe. Prandaj, unë e them se entuziazmin elektoral e mbajti LVV, por fatkeqësisht ky grupacioni, që më vonë ju bashkëngjit një subjekti politik që është në vdekje dhe e konvertoi si një subjekt politik që është i paperspektivë (PSD), sepse fuqia e tyre erdhi si pjesë e LVV", shpjegon Maloku. "Kemi nevojë për një proces zgjedhor që po bëhet i domosdoshëm. Sepse, mund të ndodhë që të ketë riformatim të Qeverisë, duke e përjashtuar njërin nga partnerët e koalicionit (AKR-ja e Behgjet Pacollit) dhe duke e futur një tjetër (PSD-në e Shpend Ahmetit), atëherë kjo do t'ia zgjatë jetën Qeverisë aktuale", vlerësoi ai.

KELMENDI: QYTETARËT, DUKE BOJKOTUAR ZGJEDHJET, VETËM SE PO FAVORIZOJNË KËTO PARTI QË NUK PO I MERITOJNË VOTAT E TYRE

Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", tha se rëndom, vetëm partitë opozitare kanë interes për zgjedhje të parakohshme, dhe jo partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës. "LVV-ja nuk është e gatshme, për shkak se i ka ndodhur përçarja e madhe", thekson ai. Sipas tij, LDK-ja nuk është e gatshme, sepse hienat rreth Isa Mustafës, që po garojnë mes tyre, kush të zërë vendin e njëshit autoritar - traditë kjo nga koha e të madhit Ibrahim Rugova. Kelmendi thotë se PSD-ja duhet të rritet edhe pak. "Fatkeqësisht, mbi 1.8 milion qytetarë, të regjistruar në listë zgjedhore të Kosovës, nuk po janë të vetëdijshëm se duke bojkotuar zgjedhjet, vetëm se po favorizojnë këto parti që nuk po i meritojnë votat e tyre. Ligji zgjedhor nuk ka paraparë minimumin e pjesëmarrjes në zgjedhje, për të qenë ato valide, prandaj partive të tanishme u mjaftojnë vetëm tifozët e tyre klientelistë dhe injorantë. Shumica bojkotuese do të duhej të organizohej që të kandidonte përfaqësuesit e saj. Ligji parasheh që ata të paraqesin subjekt dhe listë zgjedhore, meqë si kandidatë të pavarur individualë nuk mund ta kapërcejnë pragun elektoral", tha Kelmendi.

HERTICA: PARTITË SHTYHEN NË MASHTRIME

Analisti Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot", thotë se partitë në garë shtyhen se kush premton më shumë e jo kush bën premtime që mund të realizohen gënjeshtrat. "Nisur nga premtimet për zhvillim ekonomik, pa dallim fanellash politike në fushatën elektorale, qytetarët me të drejtë presin një pamje krejtësisht tjetër të qyteteve të Kosovës. Në këtë fushatë padyshim që do dëgjojmë premtime abstrakte për të mos thënë të kriposura. Të gjitha subjektet politike kanë shumëçka të përbashkët me festën e 1 prillit, pasi është jo e sinqertë ndaj masës të dilet me premtime pompoze të investimeve dhe në fund asgjë apo pjesërisht të realizohen. Qytetarët e Kosovës i kanë humbur shpresat nga kjo klasë politike që ua kanë nxirë jetën dhe e shohin perspektivën vetëm jashtë vendit, e shohin si mundësinë e fundit për të provuar një jetë ndryshe. Nga premtimet e subjekteve politike është zbehur besimi i qytetarëve në efektin e votës së tyre dhe se programet partiake për fushatën elektorale duhet të përqendrohen në jetësimin e premtimeve të parealizuara nga Qeveria e fundit", theksoi Hertica.

Qytetarët, më të zhgënjyer se kurrë 

Edhe qytetarët e anketuar thonë se tej mase janë të zhgënjyer me pozitën dhe opozitën kosovare, që duan ta ruajnë status-quonë aktuale. Qytetari nga Prishtina, Fatmir Bejiqi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk e beson se do të ketë zgjedhje të reja, sepse spektrit politik po i konvenon kësisoj, ngase ka shumë benefite dhe deputetët e opozitës po duan që t'i vazhdojnë ato privilegje. "E keqja është se Kosova po rrezikon që të mbetet pa qytetarë dhe pa votues. Sepse, të gjithë po ikin nga Kosova, qoftë me viza apo edhe pa viza, e këtë e bënë edhe 10 shokë të mi që tashmë kanë ikur jashtë vendit. Kjo, sepse këtu nuk ka asnjë perspektivë, ngase rreziku më i madh po na vjen nga politikanët tanë hajna", vlerësoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga fshati Majac, i komunës së Podujevës, Shemsi Berisha, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk beson se do të kemi zgjedhje të reja, sepse asnjëra nga partitë politike nuk po duan zgjedhje të reja, sidomos opozita që po të kishte vullnet dhe të ishte e bashkuar do të mund ta rrëzonte Qeverinë me Mocionin e mosbesimit. "Kjo nuk u bë, sepse si po duket edhe atyre, pra edhe opozitës, po u konvenon që sa më shumë të zgjatë situata e tashme me rroga të mira deputetësh dhe me privilegje të tjera. Por, nëse situata vazhdon kësisoj do të ketë probleme me elektoratin, sepse i madh e i vogël po synojnë që të ikin jashtë vendit", potencoi ai. Sipas Berishës, në mungesë të elektoratit, pushtetarët tanë nuk kanë më se çfarë të vjedhin dhe u mbetet që ata, pozita e opozita, do ta hanë kokën e njëritjetrit.

 

(Kosova Sot)