Buxhetin miliardësh e “hanë” asfalti dhe kategoritë sociale

  • 10 December 2018 - 07:40
 Buxhetin miliardësh e “hanë” asfalti dhe kategoritë sociale

Maloku: Është dashur që shumë më tepër të ndihmohet prodhimtaria e vendit

“E them lirshëm se buxheti i vitit 2019 mund të konsiderohet se është një buxhet i infrastrukturës rrugore, i skemave sociale, por jo edhe i zhvillimit ekonomik. Vërejtja ime kryesore si njohës i kësaj fushe është se kategoria e skemave sociale e ka tejkaluar kategorinë e zhvillimit ekonomik, pasi plot 21 për qind e buxhetit të vendit apo 465 milionë euro shkojnë për mbrojtje sociale. Detyrë tjetër prioritare e hartuesve të këtij buxheti mbetet ajo se duhet reduktuar urgjentisht listat e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së”, thotë për gazetën “Kosova Sot” njohësi i çështjeve të ekonomisë, Dardan Grapci.

Deputetë të pozitës, por edhe ata të opozitës, si dhe analistë të ekonomisë, vlerësojnë se buxheti i dedikuar për vitin 2019 po rrezikon që të mos votohet në Kuvendin e Kosovës, ngase po quhet buxhet social, e jo një buxhet zhvillimor. Prandaj, nga njohësit e kësaj fushe ky buxhet po kritikohet sërish për orientimin në infrastrukturë rrugore, në skema sociale dhe jo në zhvillim ekonomik. Sipas tyre, buxheti i vitit 2019 po shfaq diskrepancë të madhe ndërmjet hyrave dhe shpenzimeve. Ata bëjnë vërejtje se buxhetin po e tejkalon kategoria e skemave sociale, e zhvillimit ekonomik, pasi plot 21 për qind e buxhetit të vendit apo 465 milionë euro shkojnë për mbrojtje sociale. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në krizë buxhetore, nëse buxheti nuk votohet sipas procedurave ligjore në Kuvendin e Kosovës, deri më 20 dhjetor. 

 Mustafa: Intervenimet e qeverisë ‘ad-hoc’ krijojnë çrregullime në buxhet

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, ekspert i ekonomisë, Muhamet Mustafa, për gazetën “Kosova Sot” thotë se në aspektin e destinimeve të buxhetit ka vërejtje të shumta nga opozita, por buxheti është në presion të servisimit të kërkesave sociale nga veteranët e luftës së UÇK-së. “Pra, ka pasur kërkesa të shumta dhe presione për të përfituar sa më shumë, pra ka pasur kërkesa të shumta që sa më shumë të nxirret nga buxheti e sa më pak që të ketë balancë në aspektin social dhe ekonomik. Intervenimet e qeverisë ‘ad-hoc’ krijojnë çrregullime në buxhet. Mirëpo se a do të aprovohet nuk e di, por besoj se pozita do të krijon vota të mjaftueshme që të aprovohet buxheti”. Sipas Mustafës, mbesin shumë probleme që duhet të riparohet. “Struktura e buxhetit është e ngarkuar me pako sociale, ku ka shumë përfitues që nuk e meritojnë të jenë si janë veteranët jo të vërtetë, ngase do të ketë pensione të vogla. Veç saj ka probleme me pensionistët e të papunët që nuk mund të trajtohen si duhet me këtë buxhet. Por shihet qartë se ka probleme në shëndetësi,  në kujdesin shëndetësor dhe në arsimin publik. Prandaj, këto e bëjnë delikate menaxhimin e buxhetit dhe zhvillimit, sepse ka pak investime nga jashtë, por edhe nga biznesi vendor, që do të gjeneronin vende të reja pune dhe një rritje ekonomike prej 7 për qind, pas së cilës ekonomia mund të merrte një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, theksoi Mustafa për “Kosova Sot”. 

Neziraj: Dallim i madh ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve

Kurse ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” thotë se në cilësinë e anëtarit të dikurshëm të deputetit dhe komisioneve të ekonomisë ajo që i ka rënë në sy është se ngase buxheti i vitit 2019 po shfaq diskrepancë të madhe ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve.“Prandaj, unë brengosem se nga do t’i sigurojë këto të hyra kjo qeveri. Nga ajo që kam dëgjuar në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës e pashë orientimin e buxhetit të viti 2019, se ai do të përqendrohet në infrastrukturë rrugore, në skema sociale, por jo edhe në zhvillim ekonomik, që është më së i nevojshëm. Mirëpo, besoj se qeveria e di punën e saj, andaj për këtë do të vendosin deputetët, se a do ta votojnë një buxhet të tillë”, është shprehur ai.

Grapci:Duhet reduktuar lista e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së 

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” thotë se vërtet është për keqardhje, por me këtë klasë politike në Kosovë nuk ka shanse që të ketë zhvillim ekonomik, por vetëm mbijetesë për qytetarët dhe zhvatje nga pushtetarët.“Prandaj e them lirshëm se buxheti i vitit 2019 mund të konsiderohet se është një buxhet i infrastrukturës rrugore, i skemave sociale, por jo edhe i zhvillimi ekonomik”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar: “Vërejtja ime kryesore si njohës i kësaj fushe është se kategoria e skemave sociale e ka tejkaluar kategorinë e zhvillimit ekonomik, pasi plot 21 për qind e buxhetit të vendit apo 465 milionë euro shkojnë për mbrojtje sociale. Prandaj, veç kësaj vërejtje, për mendimin tim detyrë tjetër prioritare e hartuesve të këtij buxheti mbetet ajo se duhet reduktuar urgjentisht listat e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së”, është shprehur ai. Ndërsa njohësi i çështjeve ekonomike, Ramadan Maloku, thotë se buxheti ka qenë dashur të jetë një përkrahës më i madh i sektorit të prodhimtarisë e jo që të gjitha ato para të orientoheshin në asfaltime rrugësh, sepse tashmë i kemi kryer arteriet kryesore që e lidhin Kosovën me rajonin dhe botën. Si shoqatë e bizneseve që jemi, theksojmë se është dashur që shumë më tepër të ndihmohet prodhimtaria e vendit, në mënyrë që mos të bëhemi një vend i varur nga importet”, është shprehur ai. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e së premtes, tha se në buxhetin e vitit 2019,  82 për qind e shpenzime mbulohen nga të hyrat buxhetore. Ai shtoi se buxheti i vitit 2019 do të përballet me më shumë rriske fiskale sesa buxheti i këtij viti.  

Maloku:Prodhimtaria është lënë anash

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ramadan Maloku, thotë se buxheti ka qenë dashur të jetë një përkrahës më i madh i sektorit të prodhimtarisë, e jo që të gjitha ato para të orientoheshin në asfaltime rrugësh, sepse tashmë i kemi kryer arteriet kryesore që e lidhin Kosovën me rajonin dhe botën. Si shoqatë e bizneseve që jemi, theksojmë se është dashur që shumë më tepër të ndihmohet prodhimtaria e vendit, në mënyrë që mos të bëhemi një vend i varur nga importet”, është shprehur ai.

Mustafa: Balanca ekonomike

“Ka pasur kërkesa të shumta dhe presione të shumta për të përfituar sa më shumë, pra ka pasur kërkesa të shumta që sa më shumë të nxirret nga buxheti e sa më pak që të ketë balancë në aspektin social dhe ekonomik. Intervenimet e qeverisë ‘ad-hoc’ krijojnë çrregullime në buxhet. Mirëpo se a do të aprovohet nuk e di, por besoj se pozita do të krijojë vota të mjaftueshme që të aprovohet buxheti”, thotë eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa.

 

(Kosova Sot)