14 dhjetori,ditë e rëndësishme për Kosovën

  • 10 December 2018 - 10:59
14 dhjetori,ditë e rëndësishme për Kosovën

NT: Sipas të anketuarve, data 14 është paralajmërim i një dite të rëndësishme në bërjen e shtetit, i cili është rezultat i një sakrifice të madhe të popullit tonë

Zafir Berisha theksoi se data 14 është paralajmërim i një dite të rëndësishme në bërjen e shtetit, i cili është rezultat i një sakrifice të madhe të popullit tonë. “Ushtria e kompleton shtetin dhe kjo ushtri nuk është kundër askujt por, në shërbim të të gjithëve si dhe paqe në rajonin e trazuar historikisht”.

Zaim Haliti mendon se 14 dhjetori do të shënojë forcimin e shtetësisë të Kosovës. “FSK- tashmë një forcë sigurie e dëshmuar në rajon e më shumë, si elemente paqeje dhe sigurie, në mënyrë meritore të shndërrohet ne Ushtri. Kjo jo vetëm Kosovës por edhe Ballkanit e rajonit i jep qëndrueshmëri sigurie, paqeje dhe mirëqenie”.

Nexhit S.Shala thekson se deri më tani, politika kosovare ka punuar fuqishëm për plotësimin e parakushteve dhe kushtet e kërkuara nga Bashkësia Ndërkombëtare. “Tani është momenti dhe koha e duhur për plotësimin e zbratësirave, të cilat me apo pa qëllim i ka vonuar vetë Bashkësia Ndërkombëtare! Është një lajm i mirë, dhe na jep edhe një optimizëm se jemi në drejtimin e duhur”.

Albnor Ferati Noli thotë se është gëzim i madh. “Atë ditë po besoj se do të jetë festa më e madhe e këtij vendi. Unë mendoj se atë ditë e kemi bërë shpalljen reale të pavarësisë që është shtet me të gjitha kompetencat e plota”.

(Kosova Sot)