Riaktivizon termocentralet e vjetra të bazuara në qymyr

  • 10 December 2018 - 11:54
Riaktivizon termocentralet e vjetra të bazuara në qymyr

Përkundër iniciativave të vendeve të ndryshme në botë për të prodhuar vetëm energji të gjelbër, konsumi i qymyrit në botë ka shënuar rritje prej 1% në vitin 2017. Qymyri po del të jetë burim më i lirë, i sigurt dhe efektiv për prodhimin e energjisë elektrike, sipas Telegrafit britanez.

Sipas po të njëjtit burim, për shkak të ndryshimeve të fundit klimatike dhe mungesës së prodhimit të energjisë nga burime të ripërtrishme, vende në botë po riaktivizojnë termocentralet e bazuara në qymyr, me qëllim të ofrimit të furnizimit të rregullt me energji elektrike.

Në Britani, me qëllim të shmangies së mungesës së energjisë elektrike, termocentrale të vjetra të bazuara në qymyr po riaktivizohen për të mbuluar mungesat e prodhimit nga projektet e energjisë së ripërtërishme. Në të kundërtën, vendi po rrezikonte të ndërprente furnizimin me energji elektrike.

Deri sa Britania po riaktivizon termocentralet, Gjermania ka stopuar planet për të shmangur prodhimin e energjisë nga qymyri, dhe Japonia në anën tjetër është duke ndërtuar rreth tridhjetë termocentrale të reja.

Në qytetin Kobe në Japoni, tani më janë të vendosura dy oxhaqe me gjatësi prej 150 metrash të termocentralit me qymyr me kapacitet prej 1.4 gigavatësh, vetëm 15 minuta larg qendrës së qytetit. Pa marrë parasysh kritikat e ambientalistëve, pronari i këtij termocentrali ka filluar me plane për zgjerim të kapaciteteve të prodhimit deri në vitin 2022.

‘Projekti në Kobe në Japoni është vetëm një prej 30 termocentraleve të reja që po planifikohen dhe ndërtohen në Japoni dhe që djegin qymyr’, thuhet në gazetën Telegrafi.

Edhe në Australi, vendi është duke planifikuar zgjerimin e kapaciteteve nga qymyri, për të plotësuar kërkesat në rritje të Indisë për përdorim të qymyrit.

Pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë paralajmëruar termocentrale të reja për t’u ballafaquar me kërkesën në rritje për energji elektrike. Kosova i është bashkuar vendeve të rajonit duke paralajmëruar ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.

Sipas strategjisë së tyre energjetike, Serbia planifikon ndërtimin e termocentraleve me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 2500 megavatësh, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 2480 megavat.

Sipas statistikave, në Kosovë rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia, ani pse vendi është i pesti në botë për nga rezervat e linjitit.

 

(Kosova Sot)