Shkelësit e ligjit në burg, konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

  • 10 December 2018 - 07:47
Shkelësit e ligjit në burg, konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

Mehmeti: Për shtetin e Kosovës mbështetja amerikane është si shkronja e parë e alfabetit të Gjuhës Shqipe

“Dora e shtrirë vëllazërore e SHBA-së u dëshmua përsëri dhe u vu në veprim edhe një herë më tepër, tanimë pikërisht përmes ambasadorit më të vendosur, të mirënjohur për shqiptarët dhe më të shquarin që pati në vendin tonë, si z. Philip Kosnett, i cili që në fillim të punës së tij theksoi qartë se ka ardhur koha që jo vetëm të ketë llogaridhënie, por shkelësit e ligjit të përfundojnë në burg, si dhe të bëhet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, gjë që nuk ndodhi asnjëherë në 20 vjet të pasçlirimit. Ambasadori  Philip Kosnett e bëri të qartë po ashtu se Amerika nuk përkrah çdo marrëveshje, edhe nëse ‘disa njerëz kanë keqkuptuar se kinse SHBA-ja i ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit!’” , theksoi analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas vlerësimit të analistëve politikë, por edhe të qytetarëve, mbështetja dhe përkujdesja e pandërprerë për shtetin e ri të Kosovës, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shpëtimi i vetëm për Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon tani. Ata vlerësojnë dhe janë optimistë se kjo mbështetje e madhe do të jetë përmes ambasadorit të sapoardhur, Philip Kosnett, pasi edhe ai vetë e theksoi qartë se ka ardhur koha që në Kosovë të ketë llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit duhet të përfundojnë në burg, si dhe që të ketë konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, tanimë edhe në agjendën tjetër të shtetndërtimit, të bërjes së Kosovës me ushtrinë e vetë pas 11 vjetësh të shpalljes së pavarësisë, lëvizja përpara e procesit po vjen nga mbështetja pa asnjë hezitim e shtetit amerikan. Falë kësaj mbështetje, Kosova po bëhet edhe me ushtrinë e re, duke fituar atributin e munguar në konsolidimin e shtetësisë, vetëm falë ndihmës së SHBA-së, prandaj me të drejtë nga qytetarët dhe analistët e dëshpëruar thellë në këtë klasë politike të inkriminuar, shpresa shihet tek ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili që në javën e parë të punës, përveçse kërkoi llogaridhënie dhe burg e konfiskim për të korruptuarit, po ashtu na e konfirmoi edhe lajmin e shumëpritur se SHBA-ja përkrah themelimin e ushtrisë, por po ashtu bëri të qartë se “disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit”. Prandaj, tani është tepër e rëndësishme ndihma amerikane dhe e ambasadorit Kossnet, i cili zbardhi edhe prioritetet e mbështetjes amerikane në të gjitha fushat, e sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe shumë probleme të tjera të mëdha në Kosovë.

 Qëndrime të prera në ndërtimin e një shteti ligjor, pa korrupsion dhe pa krim

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, theksoi për “Kosova Sot” se SHBA-ja nëpërmjet ambasadorit të vet ka treguar qartë se qëndron pas këtij shteti dhe se ka interes që kjo Republikë të jetë e lirë dhe e pavarur, prandaj ambasadori amerikan ishte për shumë çështje shumë i qartë dhe konkret. Kelmendi thotë se agjenda e qëndrimeve është e madhe, por këtu vlen të përqendrohemi në disa çështje thelbësore, thotë Muhamet Kelmendi, duke numëruar ato një nga një.“Së pari, në formimin e ushtrisë kishte qëndrim të qartë dhe shumë domethënës kundruall shteteve skeptike apo kundërshtare të formimit të ushtrisë. Baza e qëndrimit ishte se Kosova është shtet sovran dhe sikurse çdo shtet edhe kjo Republikë ka të drejtë në ushtri. Së dyti, bëri një sqarim edhe sa i përket taksës së 100%, duke e shprehur mendimin se kufizimet në qarkullimin e mallrave dhe të personave janë negative, por Kosova është shtet dhe vendos në mënyrë të pavarur. Së treti, kishte qëndrime të prera në ndërtimin e një shteti ligjor, pa korrupsion dhe pa krim, pavarësisht nga vjen kjo dukuri penale kancerogjene e shtetit. Së katërti, tregoi raportet midis SHBA-së dhe Kosovës edhe njëherë qartë u tregua interesi që SHBA-ja ka me këtë shtet. Së pesti, bëri thirrje për raporte të shëndosha në Ballkan, por duke e ruajtur gjendjen aktuale midis shteteve. Së gjashti, SHBA-ja doli edhe kundër ndryshimeve të kufijve, por kërkoi bisedime për marrëveshje”, tha Kelmendi, duke i vlerësuar si shumë me interes të gjitha këto pika të apostrofuara nga ambasadori Kossnet. Sipas tij, çështje me shumë interes për Kosovën është edhe kërkesa e tij për shtet të fuqishëm ligjor.“Dua këtu të tregoj se edhe tash u pa se në sistemin e drejtësisë kemi probleme të mëdha dhe ky sistem domosdo duhet të shërohet. Krimi dhe korrupsioni, veprat e ndaluara penale, janë të qarta. Këtë e provojnë pasuritë e politikanëve, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, sikundër edhe krimi ligjor apo i patolerueshëm në institucionet e shtetit dhe në sektorin privat, ku firmat e mëdha janë thjesht skllavërueset më të mëdha të masave dhe vjedhëset profesionale të parasë publike. Pra, edhe për këtë po e përfundoj mendimin, duke thënë se sistemi i drejtësisë, në polici, në prokurori dhe në gjykata, duhet domosdo t’i nënshtrohet një spastrimi të gjerë. Në këtë sistem kemi njerëz joprofesionalë dhe të papërgatitur për detyrën që e kanë. Kemi futur njerëz në këta tre mekanizma krejtësisht të paaftë dhe anues, e që shumë varen nga grupet e ndryshme të interesit nga politika dhe ekonomia. Ky sistem nuk vuan për mjete, vuan për njerëz”, theksoi prof. Kelmendi. Për këtë arsye, ai beson që vetëm një VETTING për këtë sistem mund të jetë mjet shërues, sepse ndryshe, edhe 10 mijë euro nëse i marrin të ardhura personale në muaj, prapë paaftësia dhe vartësia e tyre nga grupet e interesit do të jetë e dukshme dhe ndikuese për mosefikasitet. “Me VETTING bëhet spastrimi i këtyre organeve nga njerëzit e paaftë, të anueshëm, antiligjorë, të korruptuar etj. Për këtë fakte ka mjaft. Vetëm pasuritë e deklaruara nga ata mjaftojnë që të hapen procedura penale kundër tyre. Aq sa kemi parë që është raportuar, nuk kishte prokuror dhe gjykatës që nuk kishte pasuri mbi 100 apo 200 mijë euro. Kjo e deklaruar, po çka kanë tjetër?... Kjo vetëm me masa juridike mund të vërtetohet. E këta me këso pikëpamjesh kur nuk mund të bëhen prokurorë, hetues as gjyqtarë të ligjshëm. Prandaj, shteti ynë duhet të lirohet nga kjo merimangë e egër dhe tipike antishtetërore”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

 

Guraziu: Ambasadori Kosnett, që në javën e parë të punës kërkoi llogaridhënie dhe burg e konfiskim për të korruptuarit

Edhe sipas analistit Ragip Guraziu paraqitja e ambasadorit të ri amerikan, Kosnett, tregon se Amerika vazhdon të jetë fuqishëm në krahun e Kosovës, por edhe nga institucionet tona shtetërore po kërkon llogaridhënie deri në fund.“Prandaj, edhe tani i vetmi shpëtim për shtetin e Kosovës është suporti i pandërprerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur tani përmes ambasadorit të sapoardhur, Philip Kosnett, në Kosovë po theksohet qartë se ka ardhur koha që të ketë llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit, të cilët detyrimisht duhet të përfundojnë në burg, si dhe që të ketë konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Presim që të ndodhë edhe një mrekulli që po e presim të gjithë, që po bëhet Kosova edhe me ushtrinë e re, duke fituar atributin e munguar në konsolidimin e shtetësisë, vetëm falë ndihmës së SHBA-së. Dhe, kështu po shihet shpëtimi në pritje nga qytetarët, të dëshpëruar thellë në këtë klasë politike të inkriminuar, duke besuar shumë tek ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili që në javën e parë të punës, përveçse kërkoi llogaridhënie dhe burg e konfiskim për të korruptuarit, e konfirmoi edhe lajmin se SHBA-ja përkrah themelimin e ushtrisë dhe po ashtu bëri të qartë se disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit. Pra, është tepër e rëndësishme ndihma amerikane dhe e ambasadorit Kosnett, i cili zbardhi disa nga prioritet e suportit amerikan në të gjitha fushat, e sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, si dhe shumë probleme të tjera të mëdha në Kosovë”, theksoi analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

 

Qytetarët: Pa mbështetjen amerikane, Kosova nuk mund të ecë përpara në shtetndërtim

I mirëpritur është mesazhi i ambasadorit amerikan, Kosnett, edhe nga qytetarët, të cilët ndajnë mendimin se vërtet i vetmi shpëtim për shtetin e Kosovës është nga mbështetja e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po dëshmohet edhe tani, kur ambasadori i sapoardhur, Philip Kosnett, e theksoi qartë se ka ardhur koha që të ketë llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit duhet të përfundojnë në burg, si dhe që të ketë konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Mirëpo pikëpyetja mbetet nëse politika do t’i marrë seriozisht këto mesazhe të mikut amerikan. Këtë e thotë edhe qytetari Gani Krasniqi.“Këto mesazhe të ambasadorit që i përcollëm nëpërmes medieve të ndryshme janë mjaft serioze dhe me interes për shtetin tonë, që të merren parasysh dhe të fillojnë të zbatohen sa më parë. Mirëpo, tani se sa i marrin seriozisht dhe i përfillin këta njerëz që i kemi në pushtet, kësaj çështje nuk i dihet, sepse krejt ky angazhim i ambasadorit amerikan mbetet të shihet nëse do të merret në konsideratë nga këta udhëheqësit tanë, sepse deri më tash ka pasur disa herë kërkesa të ngjashme, por kanë hasur në vesh të shurdhër, nuk i kanë marrë seriozisht dhe nuk janë respektuar kërkesat e ngjashme, të cilat janë theksuar edhe nga ambasadori paraprak, por edhe nga ndonjë ambasador tjetër i vendeve mike. Mirëpo, tani kur SHBA-ja po prin në mesin e vendeve që po mbështesin edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe po deklarohet se nuk është në favor të një marrëveshje me Serbinë që çon në ndarjet e territorit të Kosovës, mendoj se edhe mesazhi për llogaridhënie dhe luftim të krimit të organizuar, konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm dhe burgosja e shkelësve të ligjit, duhet të respektohen dhe këto kërkesa të fillojnë të jetësohen sa më shpejt. Me hajni e me korrupsion shteti nuk shkon përpara dhe kjo është një dobësi shumë e madhe e funksionimit të deritashëm të këtyre institucioneve të drejtuara nga kjo kastë politike”, theksoi Gani Krasniqi.

Këtë mendim e ndan edhe qytetari Fatmir Zabeli, sipas të cilit një kastë serioze politike as që do të priste nga jashtë që të përcillen kërkesa të tilla, por vetë do angazhohej në mënyrë të pavarur, duke dhënë shembull se si luftohen këto dukuri negative. Prandaj, ai dyshon që edhe tani do të zbatohen nga këta që janë në pushtet, kërkesat miqësore të ambasadorit Kossnet.“Nuk mund të ndërtohet shteti kështu duke na shtyrë vazhdimisht dikush nga jashtë se si duhet të punojmë dhe të luftohen këto dukuri negative. Nëse sinqerisht nuk vetëdijesohemi edhe si klasë politike, por edhe si qytetarë, për shtetin tonë, që ne të jemi vetë ata që mbarim hapa dhe e ndërtojmë shtetin si duhet, të tjerët, edhe miqtë më të fuqishëm ndërkombëtarë, nuk mund ta bëjnë këtë, derisa ne nuk e duam shtetin tonë. Ne duhet të jemi të parët që duhet të punojmë, që ta ruajmë shtëpinë tonë dhe jo që ta vjedhim, ndryshe askush nuk mund të na mbajë si shtet përgjithmonë nën përkujdesjen e vet nga jashtë. Sidoqoftë, mua tash për tash po më duket që kjo klasë politike nuk po dëshiron akoma ta dijë atë, që shtëpia nuk duhet të vidhet, sepse këta e kanë krijuar këtë lloj vetëdije që duhet dhe mund të vidhet, sikur është diçka normale për këta, madje jo vetëm tek shtresa politike, por po më duket kjo po zbret edhe tek shtresa më e ulët qytetare. Prandaj, nuk e di se a do të merren seriozisht këto mesazhe të ambasadorit amerikan, nuk e di sa janë njerëzit të vetëdijshëm që nuk ka mëkat më të madh në këtë botë se ta vjedhësh shtëpinë dhe familjen tënde, që është shteti në të cilin jeton”, theksoi Fatmir Zabeli për “Kosova Sot”.

 Badallaj: Amerika do ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e mafio-oligarkëve

Analisti politik Reshat Badallaj thotë për “Kosova Sot” se duhet marrë shumë seriozisht se Amerika është mikja dhe shpëtimtarja me tradita të moçme që mund ta shpëtojë Kosovën dhe ta nxjerrë nga kthetrat e mafio-oligarkëve dhe hajnave, që nuk ka fare dyshim dhe kanë adresën nga majat e shtetit që kanë krijuar rrjetin e kanaleve të nëntokës më të rrezikshme jo vetëm në Kosovë e Ballkan, por në tërë Evropën. “Z. Philip Kossnett me kohë i tregoi dhëmbët kundër këtyre banditëve që janë pasuruar me hajni, duke vjedhur buxhetin e shtetit dhe djersën e taksapaguesve dhe u bënë supermilionerë. Langonjtë që vrapuan pas hajnisë, e që janë në Presidencë, në Qeverinë kuislinge, në Kuvendin rrugaçësh dhe në bandat politike, e kanë vendin në burg. Ndoshta u erdhi fundi këtyre banditëve pas ardhjes së ambasadorit amerikan. Amerika është ajo që ndikoi dhe që do që edhe ne të bëhemi me ushtri dhe të ndërpresë pazaret e pista të kuislingëve dhe udbashëve në dëm të vendit. Pra, këtyre u ka hyrë frika në palcë”, theksoi analisti Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Qarri: SHBA-ja po dëshmon hapur se nuk do të lejojë që vendi ynë të ndahet

Sipas analistit politik Gani Qarri, për vazhdimin e ruajtjes së lidhjeve të ngushta mes Kosovës dhe Amerikës qytetarët, por edhe kjo kastë politike, duhet vazhdimisht t’i falënderohen dhe përulen përjetësish presidentit historik Ibrahim Rugova “Falë presidentit historik të Kosovës, z. Ibrahim Rugova, lidhjet shumëvjeçare shpirtërore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shndërruan në lidhje të përhershme vëllazërore dhe shtetërore me superfuqinë më të madhe aktuale në botë, si Amerika, e cila siç mbajti 100% çdo premtim të dhënë që nga presidenti i saj i ndjerë, Xhorxh Bush i vjetri, SHBA-ja përveçse na ndihmoi të çlirohemi, çojmë përpara shtetndërtimin dhe njihet e pranohet ndërkombëtarisht Kosova si shtet i pavarur nga mbi 116 vende të botës, ajo po e mbron vendin tonë edhe nga shkatërrimi prej kastës së kriminalizuar të politikanëve vendorë. Ndaj me ambasadorin e riemëruar dhe të sapoardhur në Kosovë, z. Kosnett, SHBA-ja po dëshmon hapur se përveç ndihmës së vazhdueshme nuk do të lejojë që vendi ynë të ndahet, të nënshtrohet ndaj Serbisë, as të shkatërrohet nga kuislingët vendorë si Hashim Thaçi & Co, në bashkëpunim me armiqtë e jashtëm të Kosovës. Madje sidomos tani dhe në këto çaste të rënda, nëpër të cilat po kalon Kosova, po vërtetohet edhe një herë më tepër se për shtetin e brishtë të Kosovës, që mbi një dekadë sundohet nga krimi i organizuar, i vetmi shpëtim është dhe mbetet kujdesi i vazhdueshëm si dhe ndihma e suporti i pandërprerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi analisti Gani Qarri. Sipas Qarrit, fatmirësisht, dora e shtrirë vëllazërore e SHBA-së u dëshmua përsëri dhe u vu në veprim edhe një herë më tepër, tanimë pikërisht përmes ambasadorit më të vendosur, të mirënjohur për shqiptarët dhe më të shquarin që pati në vendin tonë, si z. Philip Kosnett, i cili që në fillim të punës së tij theksoi qartë se ka ardhur koha që jo vetëm të ketë llogaridhënie, por shkelësit e ligjit të përfundojnë në burg, si dhe të bëhet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, gjë që nuk ndodhi asnjëherë në 20 vjet të pasçlirimit.“Në çastet nëpër të cilat po kalon Kosova, ambasadori amerikan jo vetëm se ftoi të gjitha shtresat e shoqërisë për kthjellje, por kërkoi nga secili edhe veprim praktik, duke bërë thirrje publikisht: “Ju nxis që të shikoni përtej interesave personale dhe ta kërkoni me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien që qytetarët e dëshirojnë dhe e meritojnë, ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet”, me ç‘rast shpjegoi decidivisht se llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg, konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkundër hamendjeve të ndonjë shteti të NATO-s, që nuk e ka njohur ende Pavarësinë e Kosovës, si dhe kundërshtimeve të ashpra deri në kërcënime për riokupim të Kosovës nga ish-shteti okupator - Serbia dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Kinës, Kosova po bëhet edhe me ushtrinë e vet të re, duke fituar edhe këtë atribut të munguar deri më tani në konsolidimin e shtetësisë së plotë, vetëm falë ndihmës së pakursyer të SHBA-së”, potencoi Gani Qarri. Ai vlerëson edhe deklarimin e ambasadorit  Philip Kosnett, i cili bëri të qartë për të gjithë kuislingët se Amerika nuk përkrah çdo marrëveshje, edhe nëse “disa njerëz kanë keqkuptuar se kinse SHBA-ja i ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit”! 

 

Mehmeti: Kosnett theksoi nevojën që Kosova të çlirohet nga kjo klasë politike

Sipas analistit politik Faton Mehmeti, për shtetin e Kosovës mbështetja amerikane është si shkronja e parë e alfabetit të Gjuhës Shqipe, për të cilën nuk mund të jetë i tillë.“Pa SHBA-të ne s’do të ishim këtu dhe nëse do ishim nuk do të mbijetonin. Falë SHBA-së Kosova do të bëhet edhe me ushtri, këtë e tha edhe sekretari i Mbrojtjes dhe kjo do të bëhet. Gjithsesi edhe ambasadori i ri në Kosovë, z. Kosnett, theksoi nevojën që Kosova të çlirohet nga kjo klasë politike, tërësisht e korruptuar dhe që punon kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Gjithsesi që kjo nuk varet vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga qytetarët, që ata të zgjohen nga gjumi dhe sot më shumë së kurrë të përmbysin këtë klasë politike. Duhet një revolucion që kjo klasë e krimbur nga korrupsioni të largohet nga pushteti, që të shkojë në burg. Gjithsesi edhe SHBA-ja duhet të na ndihmojë që të formohet një gjykatë me gjykatës dhe prokurorë amerikanë për krime ekonomike, që të futen në burg të gjithë ata që kanë pasuri të pambuluar, duke filluar nga Thaçi e deri tek më i vogli zyrtar i shtetit. Vetëm kështu mund të çlirohemi nga këta kriminelë dhe vendit t"i hapet perspektiva, ndryshe rrezikojmë shumë që të zhbëhemi si shtet. Kosova duhet sa më parë që të ngrihet nga gjumi, me një “revolucion” të përmbysim këtë sistem kriminal, që punon vetëm për një grusht të caktuar të njerëzve. Revolucioni sa më parë, ndryshe këta banditë kurrë s’do ikin nga pushteti”, theksoi analisti Faton Mehmeti.

 

(Kosova Sot)