Fjalët e fundit të gazetarit Khashoggi

  • 10 December 2018 - 11:59
 Fjalët e fundit të gazetarit Khashoggi

“Nuk po mund të marr frymë”. Këto ishin fjalët e fundit që u dëgjuan duke u shqiptuar nga Jamal Khashoggi, pasi ishte izoluar nga ekipi i vrasësve sauditë në konsullatën e Stambollit. Këtë e ka bërë të ditur një burim i përfshirë në hetimin e vrasjes së kolumnistit saudit të gazetës “The Washington Post”.

Sipas këtij burimi, i cili e ka lexuar transkriptin e përkthyer të incizimit të zërit në çastet e fundit të jetës së gazetarit, vrasja e tij nuk ishte një përpjekje e atypëratyshme, por një detyrë e planifikuar dhe e menduar mirë paraprakisht. Gjatë skenës së tmerrshme, gazetari dëgjohet duke thënë tri herë “Nuk po mund të marr frymë”. Në incizim dëgjohen edhe tingujt e copëtimit të trupit me sharrë.

Bazuar në këtë burim, në transkriptim është zbuluar se vrasësit i kanë bërë disa thirrje telefonike. Zyrtarët turq besojnë se këto thirrje i janë bërë udhëheqësve të lartë të Arabisë Saudite. Ky transkriptim është më i ploti që është publikuar deri më tash për këtë rast. Pritet që përmbajtja e tij ta rrisë presionin ndaj Trumpit, i cili është përpjekur që ta ndajë princin Salman nga kjo vrasje, shkruan “CNN”

(Kosova Sot)