Shëndetësia në mjerim, pacientët hallexhinj i blejnë vetë barnat

  • 10 December 2018 - 07:54
Shëndetësia në mjerim, pacientët hallexhinj i blejnë vetë barnat

Kelmendi: Ata të ministrisë u bëfshin për ilaçe e mos paçin me i ble

“Koha po tregon se edhe ky ministër, Uran Ismajli, është po aq i dështuar sikurse edhe ministrat paraardhës e mbase edhe më tepër. Sepse edhe ky ministër në këtë dikaster me shumë rëndësi po e vazhdon dështimin e tij në vazhdën e dështimeve që i patën ministrat paraardhës dhe për pasojë e kemi një gjendje të mjerë në shëndetësinë tonë tash e dy dekada”,thotë analisti Jeton Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Shumica e pacientëve të klinikave të QKUK-së po vazhdojnë që të përballen me mungesë të barnave nga Lista esenciale. Prandaj, sipas analistëve, fajtorë për këtë gjendje është pikërisht mosfurnizimi me kohë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, që edhe ka bërë që qytetarët t’i blejnë me para nga xhepi i tyre shumicën nga barnat e nevojshme për ta, edhe për shkak se Ministria nuk i ka kontraktuar me kohë kompanitë farmaceutike për furnizim, pasi që duhet të marrin “tallin”. Sipas analistëve, edhe Auditori i Përgjithshëm ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mospërmirësimin e listës së barnave esenciale çdo dy vjet, ashtu siç është e paraparë me ligj. Veç saj, Auditori i përgjithshëm konstaton se Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për barna dhe material shpenzues, që janë jashtë listës esenciale. Ata habiten se si lista esenciale e banave nuk është përditësuar asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit dhe për pasojë një numër të madh të barnave pjesë e kësaj liste nuk janë porositur nga asnjë klinikë në QKUK. Ndonëse Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka ftuar për herë të tretë ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli, e ai nuk i është përgjigjur thirrjes së Komisionit, qw për pasojë ka dështuar mbajtja e kësaj mbledhjeje. Prandaj, sipas analistëve, ky është një tregues i qartë se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, që kur është emëruar në këtë pozitë, i njëjti është duke i ikur me të madhe përgjegjësisë së postit që po e mban dhe në të njëjtën kohë ai është duke vazhduar që të tallet me qytetarët dhe të sëmurët. Me gjithë përpjekjet për të marrë përgjigjet e deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike si dhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Kelmendi: Ministri dhe ministrat nuk e kanë Kuvendin ‘punëdhënës’, por bosët partiakë

Analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot” thotë se duhet të shprehë diç që nuk është populiste, meqë me trup jetojmë në kapitalizëm e me mend në socializëm. “Nuk e di konkretisht pse e si nuk po furnizohemi me barna nga ‘lista esenciale’, por di që nuk jemi keq si në Amerikë pa listë - ‘listë esenciale’. Nëse nuk kanë të holla, e nuk kanë, prandaj nuk kanë sigurim shëndetësor privat, nuk kanë i laçe. Nuk jemi as si në Indi që është superfuqi atomike. Nëse vërtet i kemi të hollat me bollëk e nuk po sigurohen, duhet të revoltohemi. Por, nuk më besohet se i kemi. Pastaj pasojnë korrupsioni, që bie shumë në sy kur je shtet i varfër dhe e vuajmë rëndë”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar: Ata të ministrisë u bëfshin për ilaçe e mos paçin me i ble, nëse i kanë të hollat e i zvarrisin kontratat për të blerë ilaçe. Përse nuk i blejnë vetë, në firma që i prodhojnë ato, por i blejnë nga tregtarët ndërmjetësues?! Kuvendi nuk e ushtron dot pushtetin e tij, kur koalicioni qeveritar nuk është legjitim, e megjithatë qeveris. Prandaj ministri dhe ministrat nuk e kanë Kuvendin ‘punëdhënës’, por bosët partiakë, që janë kuisling të Serbisë, sepse me votat e 9 deputetëve çetnikë serbë kanë mund të krijojnë koalicion qeveritar”, është shprehur ai.

Pasues i ministrave të dështuar

Kurse analisti Jeton Kelmendi për gazetën “Kosova Sot” thotë se në këtë ministri kanë dështuar edhe ministrat që ishin me profesionin e mjekut, si Bujar Bukoshi, Alush Gashi dhe Ferid Agani. Edhe sipas tij është e natyrshme që të dështojë një njeri me profesion të menaxherit të një kafeneje. “Koha po tregon se edhe ky ministër, Uran Ismajli, është po aq i dështuar sikurse edhe ministrat paraardhës e mbase edhe më tepër. Sepse edhe ky ministër në këtë dikaster me shumë rëndësi po e vazhdon dështimin e tij në vazhdën e dështimeve që i patën ministrat paraardhës dhe për pasojë e kemi një gjendje të mjerë në shëndetësinë tonë tash e dy dekada”. Sipas Kelmendit, sikurse edhe krejt qeveria ‘Haradinaj’, edhe ky ministër është njëri nga njerëzit e dështuar të hallkës së gjithë ministrave të dështuar të shëndetësisë që kanë qenë që nga paslufta e deri më sot“.

Qytetarët, të pakënaqur me furnizimin e barnave

 

Edhe qytetarët e anketuar thonë njëzëri se janë të pakënaqur me furnizimin e barnave nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetari nga Prishtina, Mehmet Rrahmani, për gazetën “Kosova Sot” thotë se pacientët tanë do të përballen me mosfurnizim të barnave në QKUK, derisa pushtetarët nuk e ndalin zhvatjen.“E kemi këtë situatë katastrofale me barna, sepse zyrtarët e kësaj ministrie dhe ata të QKUK-së po i vjedhin barnat nga depot dhe të njëjtat barna më pas po i dërgojnë dhe po i shesin nëpër barnatoret private. Kurse nëpër spitale ne pleqtë, por edhe të gjithë të tjerët, po detyrohemi që t’i paguajmë. Unë për gruan time jam i detyruar tash e 5 vjet që t’i paguaj barnat e diabetit që po mungojnë në klinikat e QKUK-së”, është shprehur ai.

Ndërsa qytetari Hazir Duraku thekson për gazetën “Kosova Sot” se brenda 5 viteve e ka operuar bashkëshorten dy herë dhe gjatë kësaj kohe i është dashur që t’i blejë të gjitha barnat.“Nëse nuk ke para që t’i blesh vetë barnat gjatë kohës kur je i shtrirë në klinikat e këtij ambienti, ose nuk ke ndonjë njeri të afërm që të përkujdeset, vdes korridoreve të spitalit, sepse askush nuk të shikon me sy”, është shprehur ai. Sipas Durakut, situata në QKUK është katastrofale, sepse ka mungesë të barnave esenciale.

Aliu: Ministri Ismajli injoron qytetarët

Analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk ka asnjë dyshim se nga paslufta e deri më sot pacientët vazhdimisht po përballen me mungesë barnash nga lista esenciale.“Ndërsa fajtorë për këtë situatë të rëndë janë mosfurnizimi me kohë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që ka bërë që vazhdimisht, qytetarët t'i blejnë ma para të veta barnat e nevojshme për ta. Kjo po ndodh meqë Ministria nuk i ka kontaktuar me kohë kompanitë farmaceutike për furnizim, pasi që duhet ta marrin "tallin" paraprakisht nga kompanitë farmaceutike”. Sipas Aliut, edhe Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar të gjeturat që tregojnë se Ministria e Shëndetësisë kritikohet për mospërditësimin e listës së barnave esenciale, çdo dy vjet, ashtu siç është e paraparë me ligj.“Dhe, mu për këtë, Auditori konstaton se Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për barna dhe material shpenzues, që janë jashtë listës esenciale”, është shprehur ai. Sipas Aliut, është për keqardhje se përse lista esenciale nuk është plotësuar me emra të rinj të barnave asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit dhe për pasojë një numër të madh të barnave, pjesë e kësaj liste, nuk janë porositur nga asnjë klinikë në QKUK-së. Sipas Aliut, vërejta më e madhe që mund t’i bëhet ministrit Uran Ismajli, është fakti se ndonëse për herë të tretë është ftuar të prezantojë e të raportojë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, për fatin e keq ministri, Uran Ismajli, nuk është përgjigjur thirrjes së Komisionit, e për pasojë ka dështuar mbajtja e kësaj mbledhjeje.

Hertica: Nga menaxheri i një kafeneje, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë 

Analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se koha po tregon se me gjithë premtimet e tija se do ta rregullojë furnizimin me barna esenciale në klinikat e QKUK-së, fjalët e ministrit Uran Ismajli na dolën të jenë gënjeshtrat të radhës.“Kjo ngase pacientëve u duhet që të paguajnë nga xhepi i tyre shumicën e barnave, sidomos këtë duhet që ta bëjnë pacientët që janë me sëmundje kronike dhe sëmundje të rënda sikurse që e provova edhe unë vetë me bashkëshorten time kohë më parë në Klinikën e Gjinekologjisë “. Sipas Herticës, aspak nuk duhet që të çuditemi se përse e kemi këtë gjendje aq të rëndë në shëndetësinë kosovare dhe përse edhe ministri Uran Ismajli ka dështuar tërësisht në sektorin e shëndetësisë. “Kjo ngase në krye të kësaj ministrie është vendosur një i ri që deri dje maksimumi nga punët që i ka bërë ka qenë menaxhimi i një kafeneje, andaj nuk po arrin për të ndryshuar gjendjen në shëndetësinë kosovare, ngase nuk po arrin që të tregojë asnjë aftësi në menaxhimin e situatë së rëndë në këtë ministri”, është shprehur ai. ”E keqja më e madhe është se as ministri Ismajli nuk i ka siguruar barnat e listës esenciale që nuk kanë ndryshuar që nga viti 2012, madje aq më tepër ky revidim nuk është bërë kur dihet se në treg kanë ndryshuar llojet e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve, në institucionet publike shëndetësore furnizim me barna ndër vite ka mbetur pothuajse i njëjtë, pasi që këtë çështje e kanë rregulluar dhe e rregullojnë mafia e nëntokës kriminale”, është shprehur ai. sipas Herticës, kjo edhe është arsyeja se përse edhe ministri Uran Ismajli ka dështuar tërësisht në sektorin e shëndetësisë dhe për pasojë e kemi këtë gjendje të mjerë në shëndetësinë tonë, edhe pse këtë vit është rritur buxheti dhe totali për një vit llogaritet të jetë një buxhet prej 30 milionë eurosh. 

 

(Kosova Sot)