Qarri: SHBA-ja po dëshmon hapur se nuk do të lejojë që vendi ynë të ndahet

  • 10 December 2018 - 12:24
Qarri: SHBA-ja po dëshmon hapur se nuk do të lejojë që vendi ynë të ndahet

Sipas analistit politik Gani Qarri, për vazhdimin e ruajtjes së lidhjeve të ngushta mes Kosovës dhe Amerikës qytetarët, por edhe kjo kastë politike, duhet vazhdimisht t'i falënderohen dhe përulen përjetësish presidentit historik Ibrahim Rugova "Falë presidentit historik të Kosovës, z. Ibrahim Rugova, lidhjet shumëvjeçare shpirtërore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shndërruan në lidhje të përhershme vëllazërore dhe shtetërore me superfuqinë më të madhe aktuale në botë, si Amerika, e cila siç mbajti 100% çdo premtim të dhënë që nga presidenti i saj i ndjerë, Xhorxh Bush i vjetri, SHBA-ja përveçse na ndihmoi të çlirohemi, çojmë përpara shtetndërtimin dhe njihet e pranohet ndërkombëtarisht Kosova si shtet i pavarur nga mbi 116 vende të botës, ajo po e mbron vendin tonë edhe nga shkatërrimi prej kastës së kriminalizuar të politikanëve vendorë. Ndaj me ambasadorin e riemëruar dhe të sapoardhur në Kosovë, z. Kosnett, SHBA-ja po dëshmon hapur se përveç ndihmës së vazhdueshme nuk do të lejojë që vendi ynë të ndahet, të nënshtrohet ndaj Serbisë, as të shkatërrohet nga kuislingët vendorë si Hashim Thaçi & Co, në bashkëpunim me armiqtë e jashtëm të Kosovës. Madje sidomos tani dhe në këto çaste të rënda, nëpër të cilat po kalon Kosova, po vërtetohet edhe një herë më tepër se për shtetin e brishtë të Kosovës, që mbi një dekadë sundohet nga krimi i organizuar, i vetmi shpëtim është dhe mbetet kujdesi i vazhdueshëm si dhe ndihma e suporti i pandërprerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës", theksoi analisti Gani Qarri. Sipas Qarrit, fatmirësisht, dora e shtrirë vëllazërore e SHBA-së u dëshmua përsëri dhe u vu në veprim edhe një herë më tepër, tanimë pikërisht përmes ambasadorit më të vendosur, të mirënjohur për shqiptarët dhe më të shquarin që pati në vendin tonë, si z. Philip Kosnett, i cili që në fillim të punës së tij theksoi qartë se ka ardhur koha që jo vetëm të ketë llogaridhënie, por shkelësit e ligjit të përfundojnë në burg, si dhe të bëhet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, gjë që nuk ndodhi asnjëherë në 20 vjet të pasçlirimit."Në çastet nëpër të cilat po kalon Kosova, ambasadori amerikan jo vetëm se ftoi të gjitha shtresat e shoqërisë për kthjellje, por kërkoi nga secili edhe veprim praktik, duke bërë thirrje publikisht: "Ju nxis që të shikoni përtej interesave personale dhe ta kërkoni me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien që qytetarët e dëshirojnë dhe e meritojnë, ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet", me ç'rast shpjegoi decidivisht se llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg, konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkundër hamendjeve të ndonjë shteti të NATO-s, që nuk e ka njohur ende Pavarësinë e Kosovës, si dhe kundërshtimeve të ashpra deri në kërcënime për riokupim të Kosovës nga ish-shteti okupator - Serbia dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Kinës, Kosova po bëhet edhe me ushtrinë e vet të re, duke fituar edhe këtë atribut të munguar deri më tani në konsolidimin e shtetësisë së plotë, vetëm falë ndihmës së pakursyer të SHBA-së", potencoi Gani Qarri. Ai vlerëson edhe deklarimin e ambasadorit Philip Kosnett, i cili bëri të qartë për të gjithë kuislingët se Amerika nuk përkrah çdo marrëveshje, edhe nëse "disa njerëz kanë keqkuptuar se kinse SHBA-ja i ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit"! 

 

(Kosova Sot)