Aliu: Ministri Ismajli injoron qytetarët

  • 10 December 2018 - 12:27
Aliu: Ministri Ismajli injoron qytetarët

Analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" thotë se nuk ka asnjë dyshim se nga paslufta e deri më sot pacientët vazhdimisht po përballen me mungesë barnash nga lista esenciale.

"Ndërsa fajtorë për këtë situatë të rëndë janë mosfurnizimi me kohë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që ka bërë që vazhdimisht, qytetarët t'i blejnë ma para të veta barnat e nevojshme për ta. Kjo po ndodh meqë Ministria nuk i ka kontaktuar me kohë kompanitë farmaceutike për furnizim, pasi që duhet ta marrin "tallin" paraprakisht nga kompanitë farmaceutike". Sipas Aliut, edhe Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar të gjeturat që tregojnë se Ministria e Shëndetësisë kritikohet për mospërditësimin e listës së barnave esenciale, çdo dy vjet, ashtu siç është e paraparë me ligj.

"Dhe, mu për këtë, Auditori konstaton se Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për barna dhe material shpenzues, që janë jashtë listës esenciale", është shprehur ai. Sipas Aliut, është për keqardhje se përse lista esenciale nuk është plotësuar me emra të rinj të barnave asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit dhe për pasojë një numër të madh të barnave, pjesë e kësaj liste, nuk janë porositur nga asnjë klinikë në QKUK-së.

Sipas Aliut, vërejta më e madhe që mund t'i bëhet ministrit Uran Ismajli, është fakti se ndonëse për herë të tretë është ftuar të prezantojë e të raportojë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, për fatin e keq ministri, Uran Ismajli, nuk është përgjigjur thirrjes së Komisionit, e për pasojë ka dështuar mbajtja e kësaj mbledhjeje.

LEXO EDHE KËTË LAJM: Shëndetësia në mjerim, pacientët hallexhinj i blejnë vetë barnat

 

(Kosova Sot)