Kryeministrja May e ka shtyer dërgimin në votim të marrëveshjes me BE-në

  • 10 December 2018 - 13:57
Kryeministrja May e ka shtyer dërgimin në votim të marrëveshjes me BE-në

Sipas disa burimeve brenda qeverisë britanike, Theresa May e ka shtyer dërgimin në votim të marrëveshjes për tërheqje të vendit nga Bashkimi Evropian. Nëse vërtetohen këto pohime, ky vendim do të nënkuptonte se May nuk beson se marrëveshja do të kalojë në votimin e kuvendit.

Zëdhënësi i qeverisë ka konfirmuar se kryeministrja do të dalë me një deklaratë publike drejtuar Dhomës së Ulët të Kuvendit në orën tre e gjysmë të pasdites. Paraqitja e saj do të përcillet më pas me deklaratën e kryetarit të Dhomës së Ulët, Andrea Leadsom. Kjo do të thotë se kryeministrja do të ofrojë hollësi për shtyrjen e votimit.

Kryeministrja May ka zhvilluar bisedime sot në mëngjes me kabinetin e saj qeveritar, pasi bëri një ftesë të shpejtë dhe të papritur për organizimin e një konference. Besohet se ajo e ka kuptuar që marrëveshja me BE-në nuk mund të kalojë në kuvend sepse rreth 100 deputetë tashmë janë deklaruar kundër saj.

Shtyrja e votimit vetëm një ditë para datës së planifikuar do të ishte një goditje e rëndë për autoritetin e kryeministres May, ndonëse në teori do t’i ofronte më shumë kohë për të biseduar me Bashkimin Evropian dhe me deputetët kundërshtues, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)