Rinia e Kosovës po "vyshket"

  • 10 December 2018 - 14:29
Rinia e Kosovës po

Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, kanë organizuar aktivitetin “Çohu për të drejtat e njeriut” për të shënuar 10 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Aktiviteti “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhimin e shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Të përfshirë në këtë aktivistet ishin grupe të ndryshme të shoqërisë kosovare ku u fol për të drejtat e fëmijëve, personave me Down Syndrom, të moshuarve, nga komuniteti LGBT-it dhe komunitet tjera në Kosovë i RAE, serbë etj.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari me këtë rast u shpreh se të drejta e njeriut nuk janë pronë e askujt, por janë të drejtat të qytetarëve të Kosovës, andaj mënyra më e mirë për të shënuar këtë ditë është të jenë të bashkuar të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Fleta Mujaj nga Grupi i fëmijëve monitorues ROR, u shpreh se edhe në bazë të Konventës për të drejtat e njeriut, fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre pavarësisht vendit ku jetojnë, por që fëmijët po ballafaqohen me shumë barriera në këtë drejtim.

Duke pasur këtë parasysh, Mujaj ka kërkuar  që në Kosovë sa më shumë të respektohen të drejtat e njeriut.

Ndërsa Agon Rexhepi nga YIHR, i cili foli për të drejtat e të rinjve në Kosovë, tha se shteti i Kosovës nuk po e do rininë e saj, dhe si mungesë e investimeve në rini kjo pasur e Kosovës po “vyshket”.

Sipas tij arsimi i dobët, mos ofrimi i mundësisë për punësim, janë vetëm dy nga fushat që rinia kosovare po dëshirojnë të largohen nga vendi.

Ai ka kërkuar që rinia të ketë më shumë mundësi në vendimmarrje, si dhe të ofrohet mundësi më e madhe për arsimim.

Për të drejtat e grave në këtë aktivitet foli Merita Stublla-Emini, aktiviste për të drejta gjinore, e cila u shpreh se pabarazia gjinore është shkaku i dhunës kundër grave, fenomen ky i cili po merr jetë në vendin tonë.

Sipas saj, mohimi i të drejtës së grave për trashëgimi familjare është një shkelje tjetër e të drejtave të grave në Kosovë. Ajo shprehu nevojën për ndryshime të praktikave gjyqësore për të drejtat e grave.

Në këtë aktivitet u paraqit video përmes të cilës persona me aftësi të kufizuara, të rinj, gra, komunitetet në Kosovë pasqyruan shkeljeve të të drejtave me të cilat janë atakuar ndër vite në Kosovë.

Aktiviteti “Çohu për të drejtat e njeriut” këtë vit është mundësuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, GIZ-i gjerman, organizatat tjera jo qeveritare etj.

Për nder të Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut gjatë ditës do të mbahet edhe një marsh paqësor në shesh.

 

(Kosova Sot)