Brenda mafisë më të fuqishme në Evropë - 'Ndrangheta'

  • 10 December 2018 - 16:20
Brenda mafisë më të fuqishme në Evropë - 'Ndrangheta'

Në vitin 2010, Domenico Oppedisano shihej shpesh duke nxjerrë pemët e tij në tregun e qytetit Rosarno, në jug të Italisë, me anë të një motoçiklete me tri rrota. Por, ky plak 80- vjeçar kishte një punë tjetër: ai ishte 'kryesuesi i bordit' të grupit më të fuqishëm italian të mafisë - "'Ndrangheta". Javën që shkoi, policia në katër shtete evropiane bëri bastisje në perandorinë mafioze të "'Ndrangheta"-s të shpëlarjes së parave dhe trafikimit të drogës, duke arrestuar 90 njerëz. Ata e përshkruan "Operacionin Pollino" -të planifikuar për dy vjet - si sulm vendimtar kundër njërit prej rrjeteve më të fuqishme kriminale italiane në botë. 

Oppedisano, i arrestuar tetë vjet më parë

Operacioni u zhvillua një ditë pasi kreu i supozuar, apo kumbara i mafisë siciliane, të njohur si "Cosa Nostra", u arrestua bashkë me 46 njerëz të tjerë në regjionin italian të Palermos, për akuza që lidhen me mafinë. Por Oppedisano, që tani gjendet në burg, pasi është arrestuar tetë vjet më parë, mund të mos jetë impresionuar. "'Ndrangheta" ishte cak i sulmeve bile edhe sanksioneve të thesarit amerikan për më shumë se një dekadë. Dhe, përkundër kësaj, grupi mafioz ia kishte dalë që ta forconte dominimin e tij në tregtinë me kokainë, duke krijuar lidhje me grupet e krimit të organizuar në Amerikën latine, Nju- Jork, Turqi dhe Shqipëri. Analistët e mafisë vlerësojnë fitimet e saj vjetore në rreth 60 miliardë dollarë, që është shumë e ngjashme me GDP-në e Kroacisë, apo Bullgarisë. Dhe, ai grup mund të kontrollojë rreth 80% të kokainës që hyn në Evropë. Në fillim të viteve 1990, autoritetet italiane i ishin qepur pas "Cosa Nostra"-s në Sicili, pas vrasjes së dy prokurorëve kryesorë, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Zora Hauser, kërkuese në fushën e krimit ë organizuar në Universitetin "Oxford", thotë se kjo kishte dobësuar dukshëm mafinë siciliane, por kishte shteruar edhe burimet e organeve të zbatimit të ligjit". "'Ndrangheta" shihte një mundësi. Ajo nuk ekspozohej, por vazhdimisht zgjeronte aktivitetet nga qendra e saj në fshatrat malore të Kalabrisë. Cecilia Anesi, një gazetare hetuese e cila ka kaluar kohë në qendrat e këtij grupi, thotë se një gjeneratë e re e liderëve donin të gjenin rrugë për të investuar të ardhurat nga rrëmbimet dhe haraçi. Zgjidhja qëndronte te kokaina.

Forcimi i lidhjeve me prodhuesit e drogës

Dokumentet e gjykatave italiane përshkruajnë trafikimin e drogës si 'minierë të arit të cilën "'Ndrangheta" e përdor për të investuar më pas në ekonominë legale në Itali dhe gjetiu". Ky grup kombinonte origjinën e vet kokëfortë rurale, me një zell për inovacione. Antonio Nicaso, i cili ka publikuar rreth 30 libra rreth krimit të organizuar, duke përfshirë edhe disa rreth "'Ndrangheta"-s, thotë se ky grup kishte forcuar lidhjet me prodhuesit e drogës dhe shpërndarësit në tërë Amerikën latine: Peru, Kolumbi, Guajana dhe Brazil. Kështu grupi mafioz vuri nën kontroll rrugët kryesore të trafikimit, duke përfshirë portet në Brazil dhe në Afrikën perëndimore. Ai krijoi prezencë edhe në portet evropiane, sikur në Antverp dhe Roterdam. Një kabllo diplomatike amerikane në vitin 2008 konkludonte se "'Ndrangheta" kishte llogari bankare në Montekarlo dhe Milano, si dhe kishte operativët e saj në Kolumbi, Spanjë, Gjermani, Ballkan, Kanada dhe Australi. "'Ndrangheta" shpëlante me shpejtësi paratë e fituara përmes investimeve në turizëm, në rivierën franceze, në restorante dhe patundshmëri në Spanjë, në kontratat publike në Italinë veriore. Dhe, ajo mbështetej te diaspora e madhe kalabreze në Evropë për t'u zgjeruar. Duke shfrytëzuar lidhjet familjare, klanet përdornin kafenetë italiane nga Dyseldorfi deri në Londrën jugore, si front për shpëlarjen e parave dhe për shpërndarjen e narkotikëve. Vetëm gjatë bastisjeve të kësaj jave, policia konfiskoi 4,000 kilogramë kokainë dhe 140 kile të pilulave "ecstasy", si dhe shuma të mëdha parash.

Shpëlarja e parave

Cecilia Alesi thotë se hetuesit kanë dëshmi se një ëmbëltore në qytetin gjerman të Brugenit ishte përdorur për shpëlarje parash. Dhe, një piceri afër Kolonjës ishte bërë bazë logjistike, qendër e shpëlarjes së parave dhe vend për të organizuar dërgesat e drogës nga Amerika latine. Rol të ngjashëm kishin luajtur edhe disa restorante në dy fshatra të Holandës. "'Ndrangheta" u formua gjatë shekullit XIX, në formë të banditëve lokalë, duke marrë emrin nga fjala 'heroizëm' në greqisht. Kalabria ishte dhe mbetet territor i përkryer i mafisë, me male të papushtueshme, vend i izoluar dhe sekret dhe njëri ndër regjionet më të varfra në Evropë. Qendra shpirtërore e "'Ndrangheta"-s është qyteti San Luka. Derisa spiunët (bashkëpunëtorët e policisë) nga radhët e "Cosa Nostra"- s ishin të shumtë, nga radhët e "'Ndrangheta"-s ata janë tepër të paktë, dhe, në asnjë rast nga radhët e larta të grupit. Kodi i heshtjes, apo "omerta", mbetet i fortë si gjithherë. Nicaso thotë se bastisjet e kësaj jave vetëm sa gërvishtën sipërfaqen.  

(Kosova Sot)