Guraziu: Ambasadori Kosnett, që në javën e parë të punës kërkoi llogaridhënie

  • 10 December 2018 - 17:16
Guraziu: Ambasadori Kosnett, që në javën e parë të punës kërkoi llogaridhënie

 Edhe sipas analistit Ragip Guraziu paraqitja e ambasadorit të ri amerikan, Kosnett, tregon se Amerika vazhdon të jetë fuqishëm në krahun e Kosovës, por edhe nga institucionet tona shtetërore po kërkon llogaridhënie deri në fund."Prandaj, edhe tani i vetmi shpëtim për shtetin e Kosovës është suporti i pandërprerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur tani përmes ambasadorit të sapoardhur, Philip Kosnett, në Kosovë po theksohet qartë se ka ardhur koha që të ketë llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit, të cilët detyrimisht duhet të përfundojnë në burg, si dhe që të ketë konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Presim që të ndodhë edhe një mrekulli që po e presim të gjithë, që po bëhet Kosova edhe me ushtrinë e re, duke fituar atributin e munguar në konsolidimin e shtetësisë, vetëm falë ndihmës së SHBA-së. Dhe, kështu po shihet shpëtimi në pritje nga qytetarët, të dëshpëruar thellë në këtë klasë politike të inkriminuar, duke besuar shumë tek ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili që në javën e parë të punës, përveçse kërkoi llogaridhënie dhe burg e konfiskim për të korruptuarit, e konfirmoi edhe lajmin se SHBA-ja përkrah themelimin e ushtrisë dhe po ashtu bëri të qartë se disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit. Pra, është tepër e rëndësishme ndihma amerikane dhe e ambasadorit Kosnett, i cili zbardhi disa nga prioritet e suportit amerikan në të gjitha fushat, e sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, si dhe shumë probleme të tjera të mëdha në Kosovë", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)