Profesori ndërkombëtar flet për “korrigjimin e kufirit”, zbulon skenarin e ndërkombëtarëve për ta dërguar Thaçin në Hagë

  • 10 December 2018 - 19:57
Profesori ndërkombëtar flet për “korrigjimin e kufirit”, zbulon skenarin e ndërkombëtarëve për ta dërguar Thaçin në Hagë

Ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, i është kthyer në boomerang presidentit të Kosovës.

Sipas profesorit ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi, ndërkombëtarët e panë këtë rast një mundësi të artë që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë.

"Kur Hashim Thaçi mori përsipër ta zbatoje projektin e Serbisë për ndarjen e Kosovës me siguri që nuk mendoi se kjo sipërmarrje e tij do t’i kthehej në boomerang. Rama dhe Vuçiq e futën Thaçin në lojën me kufijtë dhe vetë qëndruan disi anash. Ata e dinin se të jesh lojtar publik i kësaj skeme do të humbisje elektoratin, sepse llogarisnin më shumë dështimin sesa suksesin. Hashimi nuk qe i aftë të bëjë llogari të tilla siç i bënë presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë. Ndërsa ndërkombëtarët panë në këtë rast një mundësi të artë që Hashim Thaçin ta zhveshin nga pushteti moral në Kosovë e për pasojë ta prangosin pa ndonjë pengesë serioze për ta dërguar në Hagë. Një Hashim i fuqishëm, me autoritet, nacionalist, i pakompromis, do të ishte i rrezikshëm, nëse do të prangosej. Prandaj dhe ndërkombëtarët nuk e kundërshtuan prerë. Disa e përkrahën dhe presidenti naiv I Kosovës nuk pa shkaqet e këtyre qëndrimeve", shprehet profesor Bytyçi për Kosova Sot.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ndryshimi i eventual i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, patjetër që do të kishte efekt domino në gjithë rajonin.

"Duhet të jesh idiot të besosh se ndryshimi i kufijve në Kosovë nuk do të kishte efekt domino në gjithë rajonin e më gjerë. Thaçi bënte të zgjuarin dhe u thoshte kancelarive të huaja se “Asgjë nuk do të ndodhë”, “asnjë precedent nuk do të krijojë ndryshimi I kufijve midis Serbisë dhe Kosovës”, madje u thoshte se “Do të ruhet multietniciteti i Kosovës”!  Dhe besoi se “këta argumente” do të gëlltiteshin nga të huajt. Në fakt Hashim Thaçi kishte të drejtë kur mendonte kësisoj. Ai nuk e di e nuk ka asnjë aftësi të kuptojë se në Perëndim vendimet merren me ekspertizë, jo nga premtimet e udhëheqësve autoritarë e arrogantë ballkanas!  Thaçi është edhe arrogant, edhe i paditur! Dhe priste që t’i besojnë në Perëndimin e institucioneve demokratike! Fatkeqësisht!", nënvizon Bytyçi.

Më tej, sipas profesor Bytyçit, kjo iniciativë e Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit, është në fundin e saj.

"Me gjithë sa shtjellova më sipër më duhet të them se iniciativa e Vuçiq, Ramës dhe Thaçin për ndarjen e Kosovës e për t’ia dhuruar Serbisë një sipërfaqe të mirë toke duket se është në grahmat e fundit të saj. Nuk ka e nuk mund të ketë shans kjo. Për hir të së vërtetës duhet thënë se qëndrimet e opinionit publik, të qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj, qëndrimet e disa bashkëpartiakëve të Thaçit, si Veseli, Kuçi e ministrave të PDK-së në qeveri, qëndrimet e Sali Berishës e Ilir Metës në Shqipëri, kanë patur ndikim të madh në dështimin e kësaj iniciative të çmendur të Hashim Thaçit, si dhe presidentit serb e kryeministrit shqiptar. Gjithnjë nëse pranojmë përfundimisht dështimin e kësaj skeme", thekson ai.

Bytyçi, shton se Kosova po forcohet çdo ditë e më shumë.

"Por unë shoh se jo vetëm nuk do të zbatohet skema e ndarjes së Kosovës, përkundrazi, Kosova po forcohet më shumë. Vizita e Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit në departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe forti i ushtrisë janë dy elementë që provojnë se Kosova do të sendërtohet si shtet së shpejti pa ndarjen e territorit të saj sesa me ndarje të këtij territori. E kjo do të thotë se nuk ishte Thaçi ai që luajti K..qas me amerikanët, por e kundërta!".

Bytyçi shton se iniciativa për të diskutuar për territorin e vendit bie në kundërshtim me Nenin 2 pika 2 të Kushtetutës.

"Tani për Partinë Demokratike të Kosovës, që ajo të mbetet faktor politik I padiskutueshëm në vend, ka rëndësi të pozicionohet qartë: Të marrë vendimet e duhura e të shpëtojë nga ndikimi i Hashim Thaçit. Kjo do të thotë se faktori politik përfshirë edhe PDK-në duhet të marrin një vendim, largimin e presidentit të Kosovës nga detyra për shkelje të rëndë të Kushtetutës së Republikës. Iniciativa për të diskutuar për territorin e vendit bie në kundërshtim me Nenin 2 pika 2 të Kushtetutës. Kjo është shumë e qartë. Për këtë arsye Hashim Thaçi duhet t’i nënshtrohet hetimit të prokurorisë, jo vetëm procedurave të shkarkimit nga detyra e presidentit. Kjo është jetike. Ndryshe ajo që po ndodh në Shqipëri do të ndodhë edhe në Kosovë. E atëherë do të jetë shumë vonë për t’u marrë me Hashim Thaçin- president të Kosovës!", shprehet për Kosova Sot, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

"Nëse Shqipëria çlirohet nga Edi Rama dhe Kosova nga Hashim Thaçi, edhe nëse këta zëvendësohen nga përfaqësues të partive respektive që u përkasin, të dy vendet do të përfitojnë shumë. Kushdo që t’i zëvendësojë këta të dy, kurrë nuk do të ndodhë që ata t’i falin territore ujore Greqisë dhe tokësore Serbisë! Kosova ka shansin ta bëjë këtë pa patur nevojë për trazira e protesta. Shqipëria mesa duket do ta realizojë përmes protestave dhe konfliktit! Zoti i bekoftë të dy vendet të dy shtetet, Shqipërinë dhe Kosovën!", përfundon Bytyçi.

(Kosova Sot)