Arsimi në kolaps, nxënësit si “peshëngritës” librash

  • 11 December 2018 - 07:48
Arsimi në kolaps, nxënësit  si “peshëngritës” librash

Aliu: Arsimi për afro dy dekada nuk është bërë asnjëherë prioritet i Qeverisë, por vetëm burim i hajnisë dhe i korrupsionit!

Cilësia e teksteve të fillores është jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe me gabime të shumta. Tash janë vetëm dy shtëpi botuese që e kanë këtë të drejtën ekskluzive, por që nuk garantojnë ndonjë cilësi. E tëra kjo situatë e brishtë është si rezultat i njerëzve që kanë punuar në arsim dhe që nuk e kanë në plan të parë interesin e përgjithshëm të shtetit e të arsimit, por i kanë pasur parasysh interesat e veta materiale dhe klienteliste, dhe e tëra kjo ka ndodhur për shkak të politizimit dhe partizimit të sistemit të arsimit”, thotë eksperti i arsimit, Halim Hyseni për gazetën “Kosova Sot”.

Ndonëse drejtuesit e MASHT-it patën premtuar se në këtë vit do të pilotohet për herë të parë korniza e re kurrikulare për fëmijët prej 0-5 vjet, kjo deri më tash kur jemi në prag të ndërrimit të moteve nuk ka ndodhur. Ndonëse kurrikula prej klasës së parë deri në të nëntën është duke u zbatuar që 2 vjet, MASHT-i ende nuk i ka ndryshuar librat dhe mësimi po vazhdon me libra të vjetër dhe të stërngarkuar në përmbajtje. Ndaj, analistët po ankohen se si janë ngarkuar fëmijët me nga 2 libra për një lëndë, vetëm e vetëm që pushtetarët dhe shtëpitë botuese, të cilat kane monopol që nga pas lufta, të fitojnë sa më shumë para për materiale dhe libra totalë të parëndësishëm për nxënësit. Nga specialistët e kësaj fushe thuhet se fajtorë për këtë gjendje është politika e inkriminuar që e shkatërroi sistemin e arsimit duke e degraduar tërësisht për dy dekada me radhë. Sipas analistëve, arsimi përgjatë këtyre afro dy dekadave nuk është bërë asnjëherë prioritet i Qeverisë, por vetëm burim i hajnisë dhe korrupsionit. Prandaj, analistët me të drejtë po thonë se arsimin e katandisën në gjendje mizerabël- katastrofike, duke ardhur në situatë që të prodhojmë gjysmë- analfabetë, të cilët as pasi të përfundojnë studimet master nuk arrijnë që të kenë shkrim lexim të mirëfilltë. Me gjithë pyetjet e gazetarit të dërguara në adresën elektronike të MASHT-it si dhe disa nga deputetët e Komisionit të Kuvendit për Arsim që të marrë opinionet për këtë çështje, zyrtarët e MASHT-it dhe deputetët nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Krizë e thellë 

Analisti politik Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, tha se partitë me veprimet e tyre e kanë bërë Kosovën një shtet oazë të krimit të organizuar dhe vend të pashpresë, pa perspektivë për qytetarët dhe bizneset e palidhura me politikën. “Arsimi në Kosovë gjendet në një krizë të thellë morale dhe profesionale. Kjo kastë politike dhe këta operatorë, pasi e kidnapuan dhe privatizuan ekonominë, u mungonte vetëm edhe letra për diplomat. Dhe, duke qenë në dilemë se si t'ia bëjnë në këtë drejtim, këta njerëz u futën nga politika, ndonëse edhe në politikë nuk dinin asgjë, u futën në arsim dhe më pas e kapën edhe Universitetin Publik dhe tash e dy dekada secili që ka ardhur në krye të Universitetit dhe të Ministrisë së Arsimit, secili prej tyre as që merrnin vesh në arsim. Prandaj, këta operatorë edhe e shkatërruan arsimin dhe të njëjtët u pajisën me diploma dhe morën edhe pozita udhëheqëse, duke u emëruar dekanë e çka jo tjetër. S'ka disiplinë, s'ka mësim”, u shpreh ai. Sipas Herticës, nëpër shkolla janë regjistruar nxënës me nepotizëm, me ryshfete e me klientelizma. “Janë formuar paralele me nga 40-45 nxënës, krejt pa meritë. Politika e Kosovës s'është mërzitur për arsimim, por sa për t'i qetësuar rininë dhe për të mos kundërshtuar. Partia në pushtet ka dashur të forcojë veten më keq se në kohën e komunizmit dhe të lërë mënjanë atë që është esenciale. Nuk ka pasur tekste të mjaftueshme. Nuk është bërë një përzgjedhje as e kuadrove e as e nxënësve. Në shkolla fillore është mbajtur mësim formal (në disa vende), sikur edhe në disa shkolla të mesme; dhe ashtu si kanë ardhur në shkolla të mesme, ashtu edhe kanë kaluar. Ata që kanë shkuar në studime, dihet, jo me forcat e veta, me lidhje ose me para pjesa më e madhe”, vijoi më tej Hertica. “Edhe në Universitetin Publik është manipuluar me rektorët dhe kuadrin pedagogjik. Partitë kanë dashur që sa më shumë klientë të kenë nëpër shkolla dhe universitete, madje, edhe pa kurrfarë merite. Doktorë e doktorë, magjistra e magjistra, si kërpudhat pas shiut, porse çka kanë sjellë nga studimet e tyre, kjo fare nuk vërehet. Politika e të inkriminuarve dhe analfabetëve politikë i shndërroi shkollat kosovare në shkollat më të dobëta në Evropë dhe në rajon”, potencoi ai.

 Politizimi me pasoja të rënda

Eksperti i arsimit Halim  Hyseni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se e tëra kjo se çfarë po ndodh në sistemin arsimor të Kosovës janë pasoja të ndërhyrjes së politikës në arsim,që nuk e ka synim ngritjen e cilësisë së arsimit dhe kjo po bëhet vetëm për përfitime materiale, klienteliste të individëve. “Problemet e mëdha të kurrikulës, e cila nuk po miratohet dhe që aplikohet që nga viti 2011 kur është bërë pilotimi i saj, ndërsa asnjë raport nuk kemi me çështjen e saj. Sepse, që nga ajo kohë ka filluar të zbatohet për tekste fillore, kurse cilësia e teksteve të fillores është jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe me gabime të shumta”, vlerësoi ai. “Tash janë vetëm dy shtëpi botuese që e kanë këtë të drejtën ekskluzive, por që nuk garantojnë ndonjë cilësi. Sepse, pa tekste mësimore të cilësisë së mirë nuk mund të ketë zbatim të kornizës kurrikulare. Andaj, të gjitha këto mangësi kanë bërë që sistemi i arsimit në vend se të përparojë, ai dita- ditës dhe nga viti në vit po degradohet dhe e them lirshëm se asnjëherë sistemi i arsimit, asnjëherë nuk ka qenë në një gjendje më të keqe sesa që është sot arsimi në Kosovë”, vlerësoi Hyseni.

Kurrikula e re, tekstet demode

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se ndonëse u premtua, se në këtë vit do të pilotohet për herë të parë, korniza e re kurrukulare për fëmijët 0-5 vjet, kjo nuk ka ndodhur. “Andaj, e tërë e keqja është se kurrikula prej klasës së parë e deri në të nëntën, është duke u zbatuar që 2 vjet, MASHT-i ende nuk i ka ndryshuar librat? Andaj, pyetemi, a thua pse po vazhdon mësimi me libra të vjetër dhe të stërngarkuar tej mase me përmbajtje?Është absurde se si me këto kurrikula të vjetra janë ngarkuar fëmijët me nga 2 libra për lëndë, vetëm e vetëm, që pushtetarët dhe shtëpitë botuese, të cilat kanë monopol, që nga pas lufta dhe të fitojnë sa më shumë para, për materiale dhe libra të parëndësishëm fare për nxënës. Është politika inkriminuese fajtori që e shkatërroi sistemin e arsimit, duke e degraduar tërësisht, për dy dekada rresht. Prandaj, e themi lirisht dhe nuk duhet që të çuditemi, se pse arsimi për afro dy dekada nuk është bërë asnjëherë prioritet i Qeverisë, por vetëm burim i hajnisë dhe i korrupsionit. Prandaj, janë pushtetarët e pasluftës ata që e katandisen arsimin në gjendje mizerable - katastrofike, duke ardhur në një situatë që të krijojnë gjysmë- analfabet, të cilët, edhe pasi të përfundojnë studimet master, nuk arrijnë fare të kenë shkrim-lexim të mirëfilltë”, theksoi Aliu. 

Qytetarët akuzojnë Ministrinë

Edhe qytetarët e anketuar e akuzojnë MASHT-in se si janë ngarkuar fëmijët me nga 2 libra për një lëndë, vetëm e vetëm që pushtetarët dhe shtëpitë botuese, të cilat kanë monopol që nga pas lufta, të fitojnë sa më shumë para për materiale dhe libra totalë të parëndësishëm për nxënësit. Qytetari Hamdi Berisha nga Prishtina, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se punën e parë që duhet bërë MASHT-i duhet të jetë zvogëlimi i numrit të librave, sidomos për ato të 4 klasave të para, të cilët po janë të detyruar, madje që nga klasa e parë të mësojnë në gjuhën angleze. “Është e dëmshme për nxënësit që t’i kenë vetëm për një lëndë nga disa libra, andaj kjo formë e tashme e sistemit arsimor duhet ndryshuar urgjentisht, sepse tash fëmijët po shkojnë më herët në shkollë, madje nga 5 e 6 vjeç”, u shpreh ai. Ndërsa, qytetari tjetër, po ashtu nga Prishtina, Shahin Mehmeti, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kjo formë e tashme e të mësuarit që po bëhet nga pas lufta në shkollën shqipe duhet ndërprerë urgjentisht, sepse nxënësit e arsimit fillor, sidomos ata të katër klasave të para, janë shumë të ngarkuar me libra, pasi ata i kanë nga disa libra vetëm për një lëndë, andaj kjo praktikë duhet të ndërpritet. “Puna e këtyre shumë librave vetëm për një lëndë mësimore të katër klasave të para si po duket qartë është bërë vetëm një biznes në mes të MASHT-it dhe shtëpive botuese që po i shesin këta libra. Sepse, tashmë po shihet qartë se kaq shumë libra për një nxënës e kanë vetëm qëllimin e përfitimeve të pushtetarëve të MASHT-it, që e marrin hisen e vet nga shtëpitë botuese që i shtypin këta libra dhe që po ashtu përfitojnë shumë para. Kurse për nxënësit dhe shëndetin e tyre nuk po brengoset askush se a po mësojnë apo jo”, theksoi Mehmeti. Sipas tij, me nga katër pesë libra vetëm për një lëndë vërtet kjo është katastrofë dhe e patolerueshme. 

 

(Kosova Sot)