Oligarkët zhvatin kosovarët, pushtetarët palë me mafinë e naftës

  • 11 December 2018 - 07:58
Oligarkët zhvatin kosovarët, pushtetarët palë me mafinë e naftës

Grapci: MTI-ja dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk janë duke e ditur që edhe në Kosovë mund të ndodhë e njëjta gjë sikur që po ndodh në Francë

 “Ndonëse kemi pasur një rënie drastike të çmimeve të derivateve në bursat botërore, në Kosovë derivatet akoma janë më të shtrenjtat në rajon. Kjo, ngase si po duket inspektorët e MTI-së kanë rënë në gjumë dimëror. Përderisa qytetarët gjatë kësaj kohe po zhvaten, pasi nafta po hyn në Kosovë për 0.90 deri në 0.95 centë euro për litër, ndërsa nuk po shitet assesi më lirë se 1.20 euro për litër. Përgjegjëse për këto çmime enorme janë MTI-ja dhe indiferenca e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që duhet të urdhërojnë kompanitë e derivateve të ulin çmimet e tyre. Vlerësoj se e tërë kjo lojë me këto çmime enorme është e qëllimshme dhe po bëhet ndërmjet pronarëve të kompanive të derivateve dhe një pjese të pushtetarëve tanë, që si dihet edhe botërisht janë hisedarë apo bashkëpronarë të pikave shitëse të derivateve të naftës”, thotë deputeti Salih Salihu për gazetën “Kosova Sot”.

Tregu i derivateve mbetet në duart e oligarkëve, ndërsa çmimet e shtrenjta, për xhepin e kosovarëve, janë abuzive. Shteti ndërkohë hesht. Deputetët e opozitës dhe ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se MTI-ja ka rënë në gjumë dhe po merren vetëm me reklamimin e taksës 100 për qind në produktet serbe, duke anashkaluar abuzimet me derivatet. Ata, ndërkaq, ankohen përderisa qytetarët gjatë kësaj kohe po zhvaten, pasi nafta po hyn në Kosovë për 0.90 deri në 0.95 centë euro për litër, ndërsa nuk po shitet assesi më lirë se 1.20 euro për litër. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetës në adresën elektronike të MTI-së dhe të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës se përse ata po heshtin për këtë dallim të madh në çmim, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Deputeti Salih Salihu për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, ndonëse kemi pasur një rënie drastike të çmimeve të derivateve në bursat botërore, në Kosovë derivatet akoma janë më të shtrenjtat në rajon. “Kjo, ngase si po duket inspektorët e MTI-së kanë rënë në gjumë dimëror. Përderisa qytetarët gjatë kësaj kohe po zhvaten, pasi nafta po hyn në Kosovë për 0.90 deri në 0.95 centë euro për litër, ndërsa nuk po shitet assesi më lirë se 1.20 euro për litër”, u shpreh ai. Opozitari Salihu është i mendimit se përgjegjëse për këto çmime enorme janë MTI-ja dhe indiferenca e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që duhet të urdhërojnë kompanitë e derivateve të ulin çmimet e tyre.

Shoqata kërkon Rregullatorin

Ndërsa, kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se sa u përket çmimeve të derivateve të naftës, indikatori kryesor që i përcakton çmimet është Bursa Botërore, Organizata Botërore për Prodhimin e Naftës (OPEC-u). “Si dihet, prodhimi në këto dy javët e fundit ka qenë stabil dhe çmimet kanë qenë më stabile. Sa u përket çmimeve të derivateve në Kosovë dhe në regjion, qytetarët e Republikë së Kosovës, duke u shërbyer me çmimet më të lira se sa në Shqipëri, në Mal të Zi, në Serbi dhe në Maqedonia, ndonëse duhet qenë real se në Maqedoni derivatet e llojit të dizellit i kanë më të lira për 2 deri 3 centë, ndërsa benzinën e kanë më të shtrenjtë”, theksoi ai. “Sa u përket lëvizjeve më të shpeshta të çmimeve në treg, përkatësisht kur bëhet fjalë për uljen apo rritjen e çmimit të derivateve, koha po na tregon se Kosova duhet që ta ketë një Rregullator të përcaktimit të çmimit të derivateve të naftës, siç e kanë shtetet në regjion, konkretisht Maqedonia, ku çmimi përcaktohet për rritje apo zbritje nga Rregullatori. Ndryshe, në Kosovë aktualisht çmimet e dizellit, për një litër janë 1.17 euro, kurse të benzinës 1.18 euro për një litër”, ka thënë Berjani.

Bizneset duan rafineri

Ndërsa, afaristi i derivateve të naftës, Ramadan Maloku, pronar i kompanisë “Racional’Komerc”, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se shteti i Kosovës ka nevojë imediate për ndërtimin e një rafinerie të naftës . “Tashmë janë bërë gati 20 vjet në liri dhe një dekadë si shtet i pavarur dhe jemi vendi i vetëm në regjion që akoma nuk ka rafineri të përpunimit të naftës”, u shpreh ai. “Vetëm po qe se bëhemi me rafineri të përpunimit të derivateve të naftës edhe në Kosovë mund të kemi çmime më të ulëta të derivateve të naftës, në të kundërtën kam frikën se çmimet edhe më tej do të jenë të këtilla si janë”, potencoi Maloku. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se çmimi i derivateve të naftës në Kosovë, krahasuar me vendet që na rrethojnë, tash për tash nuk dallon shumë. “Ndërsa, sa i përket cilësisë së saj ka vend për përmirësim. Prandaj, unë besoj se ka ardhur koha që Kosova të ketë Rregullatorin e veçantë për ta licencuar dhe për të mbikëqyrur çdo kompani që merret me tregtinë e karburanteve, ashtu siç e kanë shumica e vendeve demokratike”, u shpreh ai. “Enti rregullator i karburanteve do të rregullonte dhe do të normalizonte njëherë e mirë çmimet e derivateve në këtë lëmi kaq të ndjeshme dhe problematike jo vetëm për ekonominë, por edhe për mbrojtjen e ambientit”, ka vlerësuar Abazi.

Pompat të ulin çmimet

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se MTI-ja dhe Autoritetit Kosovar i Konkurrencës duhet të mendojnë shumë mirë se çka po bëjnë, duke e ditur që në Francë thuajse përditë qytetarët janë duke protestuar masovikisht kundër rritjes së çmimit, edhe pse Franca ekonomikisht është më e fortë se Kosova, MTI-ja dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk janë duke e ditur që edhe në Kosovë mund të ndodhë e njëjta gjë sikur që po ndodh në Francë. “Kosova është si shteti me ekonominë më të dobët në rajon dhe me papunësinë me një përqindje shumë të lartë, andaj duhet shtruar pyetjen se përse atëherë po rritet çmimi i derivateve të naftës. Prandaj, MTI-ja duhet që urgjentisht ta gjejë një zgjidhje në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar te Konkurrencës, në mënyrë që të parandalohet ndonjë situatë, e cila mund të dalë jashtë kontrollit shumë lehtë në Kosovë, dhe t’u bëjë apel kompanive të pompave të benzinës që t’i ulin çmimet, ndryshe qytetarët duhet të dalin në protesta paqësore për uljen e çmimit të derivateve të naftës”, propozon ai. Grapci tha se pronarët e kompanive të derivateve dhe të pompave të benzinës do të jenë në hall, pasi shumë shpejt pritet që edhe në Kosovë të fillojë përdorimi i veturave hibride dhe me rryme. “BE-ja e ka në synim që shtetet anëtare t’i bëjë që të largohen nga përdorimi i naftës që të parandalohet ndotja e ajrit, ku në këtë pjesë hyn edhe Kosova”, theksoi ai.

Çmimi i lartë, cilësia e dobët

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se MTI - ja, e cila është përgjegjëse edhe për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës duhet urgjentisht që të merret edhe me këtë sektor shumë të rëndësishëm, sepse ky është njëri prej sektorëve që nga pas lufta, ku tregtia me naftën dhe derivatet e saj ka pasur keqpërdorimet më të mëdha në ekonominë e vendit. “Jo vetëm që çmimi i derivateve është ndër më të lartët në rajon, por edhe cilësia dhe sasia e saj kanë qenë më të dobëtat në rajon, kurse me naftën dhe derivatet e saj është malli që është kontrabanduar më së shumti. Tani, kur në treg kemi një çmim shumë të lartë, është për t’u habitur se si as Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës nuk është duke reaguar për këto çmime shumë të larta në tregun tonë. Shtrenjtimi i naftës nuk do te ndikojë vetëm tek ata njerëz që shfrytëzojnë automjetet, por ky çmim i lartë do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, sepse kostoja e secilit produkt do të jetë më e lartë dhe do të ndikojë në xhepin e secilit konsumator të vendit. Prandaj, në kohën kur produkteve serbe u është vendosur taksa, atëherë MTI-ja duhet të ndikojë me të gjitha masat e edhe në uljen e çmimin të naftës me qëllim që të stimulojë prodhimin vendor”, potencoi ai.  

Nafta hyn me 90 centë

Ekonomisti Hekuran Murati ka thënë se nafta po hyn në Kosovë për 0.90 deri në 0.95 centë euro për litër, ndërsa nuk po shitet assesi më lirë se 1.20 euro për litër. Ai ka adresuar kritika ndaj Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ndaj Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për këtë dallim të madh në çmim. Murati ka porositur këto dy institucione që të mbikëqyrin tregun e derivateve. “Veç thashë t'ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshirë akcizën dhe tatimet) po hyn me 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bjerë nën 1.20 euro/litër. Autoriteti që mbikëqyr tregun e derivateve - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Kryesorja, taksa ndaj Serbisë po i mbulon të gjitha gjynahet”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

 

(Kosova Sot)