Alarmante, “Një serbofil e një prorus kërcënojnë shtetin!”

  • 11 December 2018 - 12:21
Alarmante, “Një serbofil e një prorus kërcënojnë shtetin!”

Sipas Gani Qarrit, fatkeqësisht një vend kaq i vogël, sa shteti ynë i brishtë, kurrë nuk ka pasur kuislingë e tradhtarë më të mëdhenj në krye se serbofili i përbetuar, Hashim Thaçi, dhe rusofili i regjur Behgjet Pacolli, të cilët i sollën Kosovës denigrimin më të madh në historinë e saj, çnjohjet dhe shkatërrimin e tërësishëm të shtetësisë, të arritur me aq shumë mund, gjak e viktima, për çlirimin e së cilës u detyruan të intervenonin edhe vetë SHBA-ja dhe NATO-ja.

"Krejt ato çfarë bënë tandemi i rrezikshëm Thaçi-Pacolli, që nga ardhja në pozitat që mbajnë, nuk është prosperiteti, forcimi i shtetësisë as arritjet e reja, por vetëm përpjekjet për ndarjen, copëtimin dhe zhbërjen e Kosovës. Madje, përderisa kryekuislingu Hashim Thaçi maskon ndarjen me të ashtuquajturat "korrigjim kufijsh", "demarkim", "shkëmbim territoresh" e kompromise tjera të dhembshme, Behgjet Pacolli tallet publikisht me popullin dhe shtetin e Kosovës, duke propozuar "ndarjen ekonomike" të veriut të vendit, gjë që nuk është asgjë më pak sesa shkëputje e këtij territori të vendit tonë nga Serbia, por me një metodë tjetër", u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

 

"Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në vend se të angazhohet për avancimin e njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ai mbjell pesimizëm me deklaratat defetiste se "personalisht nuk sheh shans për zgjidhje politike" të problemit të Kosovës, por beson "në zgjidhjen ekonomike nga e cila të dy palët kanë interes", e që sipas tij do të duhej që "veriu i Kosovës të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila gjithsesi një pjesë do t'i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë", siç citohet nga agjencia serbe e lajmeve, Beta, të ketë thënë në deklaratën e turpshme vetë Pacolli, dhënë DV-së", potencoi analisti Gani Qarri. Ai kërkon që tani opozita të jetë më e zëshme dhe aspak kursimtare në kërkimin e llogaridhënies, e që shkarkimi duhet të jetë ndëshkimi minimal për Pacollin.

"Ajo që çudit më së tepërmi është fakti se jo vetëm pozita, por çuditërisht po hesht edhe vetë opozita, përkundër deklaratave skandaloze të Behgjet Pacollit, i cili i papenguar nga askush bën biznes dhe tregti edhe me veriun e vendit, thuajse është pronë e tij personale. Madje, për aq më keq, ende vijon të heshtë edhe populli, duke toleruar që zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm rusofil, Behgjet Pacolli, në vend se të kryejë si duhet detyrën në të cilën është katapultuar pa të drejtë, ai vazhdon të flasë pareshtur për pazare të tokave të Kosovës, duke tentuar t`ia falë vullnetarisht edhe veriun e vendit tonë Serbisë. Turp!", tha Qarri për "Kosova Sot".*

Lexo edhe këtë :Pacolli turpëron dhe skandalizon Republikën

(Kosova Sot)