Tahiri thotë se shtesat për prokurorët specialë nuk janë shkelje ligjore

  • 11 December 2018 - 13:10
Tahiri thotë se shtesat për prokurorët specialë nuk janë shkelje ligjore

Në tryezën e thirrur nga GOPAC ku flitej për luftën ndaj korrupsionit, u tha se në Kosovë ka nevojë edhe për vënien në funksion të ligjit antimafia në mënyre që të luftohet rrënjësisht dhe të bëhet profilizimi apo specializimi i të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, foli edhe për vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të prokurorëve specialë që do të merren me rastet e korrupsionit, sipas tij kjo nuk është shkelje ligjore ashtu siç është ngritur si problematike nga shoqëria civile.

Abelard Tahiri tha se shtesat për prokurorët specialë janë paraparë me buxhet edhe për vitin 2018 edhe për vitin 2019 prandaj ne e dijmë më mirë se a është apo jo ky veprim në përputhje me ligjin dhe e dijmë se a është e mjaftueshme kjo pagë për ta.

Abelard Tahiri njoftoi se për vitin 2017 – 2018 është rritur edhe numri i gjyqtarëve. 162 të tillë kanë filluar punën në Gjykatat Themelore të Kosovës, veçanërisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Derisa Tahiri theksoi se nevoja për shtimin e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve është ende e madhe dhe se gjatë vitit të ardhshëm shumë gjyqtarë dhe prokurorë do t’i bashkohen sistemit të drejtësisë për t’i përmbushur këto nevoja.

Ministri i Drejtësisë njoftoi se në vitin e ardhshëm në Kuvend do të sillet edhe Kodi i ri i Procedurës Penale, e që sipas tij është i kompletuar dhe do të ndihmojë shumë në sundimin efikas të Ligjit.

 

(Kosova Sot)