Eksperti i sigurisë flet për skenarët serb, këto janë dy shtetet e mëdha që po formojnë ushtrinë e Kosovës

  • 11 December 2018 - 13:34
Eksperti i sigurisë flet për skenarët serb, këto janë dy shtetet e mëdha që po formojnë ushtrinë e Kosovës

Të premten, me 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën parlamentare, në të cilën pritet që FSK-së t'i ndryshohet mandati, nga Forcë e Sigurisë në Ushtri të Kosovës.

E lidhur me transformimin e FSK-së në ushtri, për gazetën Kosova Sot ka folur eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Ai thotë se Ushtria e Kosovës po formohet me mbështetjen e dy shteteve të mëdha, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

"E rëndësishme është se Ushtria e Republikës së Kosovës po formohet me mbështetje të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Dhe kjo mbështetje është aq e fuqishme që minimizon çfarëdo skenari të mundshëm që Serbia tenton të bëj. Kjo mbështetje paralizon çdo iniciativë të Serbisë për të përdorur ushtrinë në këtë rast, pa marrë parasysh se politikanët serb janë lodhur se përsëritur çdo ditë frazën "ushtria jonë është gati". Kjo ka rendësi pasi shmang destabilizim të situatës në shkallë të gjerë", thekson ai.

Image
Fadil Kajtazi

 

Sipas Kajtazit, Vuçiq dhe Daçiq do të bëjnë tentativa për të minimizuar efektet e bërjes së ushtrisë se Kosovës, me qëllim të konsumit të brendshëm politik.

"Tentativat për të minimizuar efektet e bërjes se Ushtrisë së Kosovës ne rrafshin politik do te jene për konsum të brendshëm të Vuqiqit dhe Daqiqit, të cilët dështimin e tyre do të mundohet ta amortizojnë me ndonjë veprim por i cili nuk do të ketë efekte. Po flitet ta zëm skenari i ndaljes së ujit nga liqeni i Ujmanit si alternativë. Por edhe kjo nuk do të aplikohet pasi do të provokonte një ndërhyrje të Policisë të Kosovës të cilën bashkësia ndërkombëtare to të cilësonte si legjitime. Ajo që më së shumti është e rëndësishme është se serbët e Kosovës kanë kuptuar se janë të manipuluar nga shteti Serb, dhe i terë ky manipulim lidhet me strukturat mafioze e cilat të lidhura me aparatin shtetëror serb e kanë shfrytëzuar pjesën Veriore të Kosovës si oazë të shpëlarjes së parave nga i ashtuquajturi "Fond për Kosovën dhe Metohine" si dhe për aktivitete tjera mafioze. Mbështetje e popullatës serbe të Veriut të Kosovës për politikat e Serbisë është në minimum. Tani kjo krijon favore që një politike e konsoliduar e Qeverisë së Kosovës të veprojë me shpejtësi për të integruar këtë pjesë të popullatës në kuadër të sistemit", shprehet Kajtazi për Kosova Sot.

Për fund, ai thotë formimi i ushtrisë në këtë fazë është krijimi i një atributi të shtetit.

"Formimin e ushtrisë në këtë fazë nuk duhet kuptuar si aset ekskluziv të mbrojtjes, pasi KFOR edhe më tutje do tëkryej këtë detyrë, por edhe për faktin se kapacitetet e mbrojtjes do te ndërtohen gradualisht, në një periudhë së paku 10 vjeçare, formimi i ushtrisë në këtë fazë është krijimi i një atributi të shtetit dhe mbështetja e SHBA dhe Britanisë konsiston në këtë si revansh ndaj Serbisë në fushatën e saj për të luajtur themelet e shtetësisë së Kosovës ne rrafshin ndërkombëtar dhe ne destabilizimin e brendshëm", përfundon eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

(Kosova Sot)