Tajlanda shkon në zgjedhje për herë të parë pas puçit ushtarak të vitit 2014

  • 11 December 2018 - 14:30
Tajlanda shkon në zgjedhje për herë të parë pas puçit ushtarak të vitit 2014

Qeveria ushtarake e Tajlandës ka deklaruar se partitë politike janë të lira për ta filluar fushatën zgjedhore para zgjedhjeve të shumëpritura, të cilat janë caktuar të mbahen më 24 shkurt të vitit të ardhshëm. Ky njoftim i jep fund ndalesës për fushata politike, e cila kishte hyrë në fuqi kur ushtria e kishte rrëzuar qeverinë e zgjedhur përmes një puçi para katër vitesh.

Ushtria e Tajlandës ka këmbëngulur vazhdimisht se synon ta rikthejë demokracinë në vend. Sidoqoftë, ata e kanë shtyrë disa herë me radhë datën e zgjedhjeve. Ushtria e kishte marrë pushtetin në vitin 2014, kur e kishin rrëzuar qeverinë e ish-kryeministrit Yingluck Shinawatra dhe partinë e tij të madhe, “Phey Thai”. Udhëheqësit ushtarakë kishin deklaruar atëherë se duan ta rivendosin rregullin pas disa muajve të kryengritjeve, të cilat kohë pas kohe ishin edhe të dhunshme.

Më vonë, ata e kishin hartuar një kushtetutë të re dhe kishin bërë ndryshime në sistemin zgjedhor, të cilat u miratuan nga populli përmes një referendumi që u mbajt vitin e kaluar. Sipas kushtetutës së re, ushtria do ta ketë një rol të rëndësishëm në politikë edhe pas zgjedhjeve sepse do ta ketë të drejtën e zgjedhjes së senatit që ka ndikim në zgjedhjen e kryeministrit, shkruan “BBC”

(Kosova Sot)