Vrasja në shkallët e shkollës “Sami Frashëri”, dëshmon hetuesi për identifikimin e të dyshuarve

  • 11 December 2018 - 15:05
Vrasja në shkallët e shkollës “Sami Frashëri”, dëshmon hetuesi për identifikimin e të dyshuarve

Vrasja përpara shkallëve të shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë, saktësisht më datë 24 prill të vitit 2011, ka mbetur ende pa u zgjidhur. Sot në Gjykatë, dëshmi për rastin dha hetuesi Xhemail Rexhepi, i cili tregoi për procedurën e identifikimit të të dyshuarve dhe hetime të kryera në atë kohë lidhur me këtë rast. Gjithashtu, gjatë këtij akti, të rrezikuar ishin edhe një numër i madh i nxënësve.

Të akuzuar për vrasje dhe bashkëkryerje Alban Kadrolli e Taulant Kadrolli, ndaj të cilëve prokuroria pretendon se më 24 prill të 2011, në shkallët e shollës së mesme në Prishtinë “Sami Frashëri” dyshohet se kanë vrarë Muhamet Cakën.

Deri te vrasja, prokuroria pretendon se motivi erdhi pas një konflikti që ndodhi në korridorin e shkollës, ku Alban Kadrolli dhe Muhamet Lahu, ishin rrahur mes vete dhe kështu ky i fundit i kishte ftuar dy djemtë e dajës së tij, tani të ndjerin Muhamet Caka dhe të akuzuarin Milot Caka.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dha dëshmi hetuesi Xhemail Rexhepi, për këtë rast të ndodhur 7 vjet më parë,shkruan express.Dëshmitari tregoi për procedurën e identifikimit të të dyshuarve, ku fillimisht ishin më shumë se 4 persona.

Identifikimi i tyre, sipas tij, u bë nëpërmes dhomës së xhamit.

“Ky rast është bërë përmes xhamit. Ne jemi kujdesur që në mesin e të dyshuarve të jenë edhe personat që janë me dukje të njëjtë si për nga madhësia ashtu edhe për nga vetitë e tjera”, tha dëshmitari.

Ai dëshmoi në Gjykatë se personat që ishin të pranishëm në procesin e identifikimit ishin vetëm ata që lejoheshin të jenë aty, dhe se askush tjetër, pa autorizim, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në atë dhomë.

Rexhepi tha se në mesin e personave të radhitur për identifikimin e të dyshuarve, kanë qenë edhe personat që tashmë janë të akuzuar për vrasje.

Kurse, ai sqaroi se në mesin e personave të vendosur për identifikim janë radhitur edhe persona të tjerë të marrë nga rruga, por të cilët janë dukur të njëjtë në gjatësi dhe në veti të tjera.

“Personat e radhitur për identifikim e që nuk kanë qenë të dyshuar, janë marrë nga rruga, vetëm se jemi kujdesur që të jenë të ngjashëm”, tha dëshmitari, por tregoi se këta persona nuk kanë qenë në dijeni se pse janë marrë dhe janë dërguar në polici.

Seanca e ardhme e këtij rasti u caktua të mbahet më 29 janar, ku pritet të japë dëshminë e tij dëshmitari Fadil Kadria.

Aktakuza e Prokurorisë së Shtetit thotë se para se të ndodhë vrasja e Muhamet Cakës, fillimisht palët ishin rrahur mes vete, duke u goditur me grushte dhe shqelma si dhe mjete të forta të tjera në këtë rast. I akuzuari Tauland Kadrolli ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka shtënë më pas në drejtim të tani të ndjerit Muhamet Caka.

Pasi që ka shtënë me armë në drejtim të Cakës, aktakuza thotë se Kadrolli ka hedhur pistoletën në tokë. E kështu, i akuzuari tjetër, Muhamet Lahu, e merr pistoletën dhe fillon ta ndjekë Alban Kadrollin, ku më pas arrin ta plagosë në trup. Kështu, Muhamet Lahu është i akuzuar për vepër penale “vrasje në tentativë”.

E sa i përket të akuzuarit tjetër, Milot Caka, prokuroria pretendon se ai ka marrë pjesë në rrahjen e të dy palëve, ku i doli në ndihmë në përleshje Muhamet Cakës.

Për këtë rast që ka ndodhur para 7 viteve, fillimisht Gjykata Themelore e Prishtinës më 2015-n kishte shpallur aktgjykim dhe Alban Kadrollin e dënoi me burg deri në 13 vjet. Muhamet Lahun me burg për 7 vjet dhe për Milot Cakën ishte refuzuar aktakuza.

Mirëpo, ky rast u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në po të njëjtin vit, dhe rigjykimi i këtij rasti po vazhdon ende në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

(Kosova Sot)