Revista “Time” e zgjedh personin e vitit: Jamal Khashoggi

  • 11 December 2018 - 15:09
Revista “Time” e zgjedh personin e vitit: Jamal Khashoggi

Revista e njohur, “Time”, e ka zgjedhur gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi, si person të vitit 2018. Revista ka përfshirë në këtë titull edhe gazetarë të tjerë që janë përndjekur për shkak të punës së tyre të përditshme. Këtu përfshihen gazetarët e vrarë në sulmin masiv në Maryland, dy gazetarë të burgosur dhe një gazetare që po akuzohet politikisht për shmangie nga tatimi.

“Si të gjitha dhuratat tjera njerëzore, edhe guximi na vjen në shkallë të ndryshme dhe në çaste të ndryshme. Këtë vit ne po i nderojmë katër gazetarë dhe një agjenci lajmesh, të cilët kanë paguar një çmim të tmerrshëm për t’u përballur me sfidën e guximit: Jamal Khashoggi, Maria Ressa, Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo”, ka shkruar kryeredaktori i revistës “Time”, Edward Felsenthal.

Më shumë se dy muaj pas vrasjes së gazetarit Khashoggi, Arabia Saudite po vazhdon të jetë në qendër të kritikave ndërkombëtare për vrasjen e tij, për shkak të dyshimeve se një ekip vrasësish të porositur nga princi Salman e kanë masaktruar trupin e tij për së gjalli. Trupi i tij ende nuk është gjetur, ndërsa hetuesit turq besojnë se vrasësit e kanë tretur trupin e tij në acid.

Titulli “Personi i Vitit” jepet nga revista “Time” që nga vitit 1927. Ai iu dhurohet personave ose grupeve që e kanë pasur ndikimin më të madh në botë dhe në lajme, për të mirë ose për të keq, gjatë një viti kalendarik. Fituesin e këtij titulli e vendos stafi i redaktorëve të revistës “Time”, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot)