Salihaj: Në Kosovë sundon mafia

  • 11 December 2018 - 15:06
Salihaj: Në Kosovë sundon mafia

Sipas Adem Salihajt, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, e tha qartë se duhet të luftohet korrupsioni i niveleve të larta dhe të konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, sepse ky është edhe ligj në vendet me demokraci të zhvilluar, ku sundon rendi dhe ligji.

Ai vlerëson se vetëm me VETTING mund të fitohet kjo betejë. "Duhet ta përshëndesim angazhimin e ambasadorit amerikan, Kosnett, ai është shumë i mirëseardhur në situatën e rëndë, të cilën e kemi në Kosovë. Por, në Kosovë, ku në vend të ligjit sundojnë mafia dhe korrupsioni galopant, ky proces, për të cilin po flet ambasadori, ende nuk mund të ndodhë. Së pari, në krye të institucioneve të shtetit , në vend të bandave dhe kriminelëve, duhet të vijë një strukturë e pastër politike, e cila jo vetëm që nuk duhet të jetë e përlyer në krim e korrupsion, por duhet të jetë e aftë, e guximshme dhe e vendosur që t'i çojë prapa grilave kriminelët dhe të korruptuarit.

Vetting-u është një proces i domosdoshëm edhe në Kosovë, ai është një proces pastrimi i institucioneve të rendit dhe ligjit nga elementët kriminalë dhe të korruptuar. Por, ky proces kaq i rëndësishëm i pastrimit nuk mund të zhvillohet nga elementë të zhytur deri në fyt në krim e korrupsion", theksoi ai."Pa një vetëdijesim të qytetarëve nuk mund të bëhet asnjë kthesë serioze në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nëse qytetarët ua japin votën e tyre kriminelëve dhe të korruptuarve dhe i instalojnë ata në pushtet, atëherë askush nuk mund t'i shpëtojë prej tyre, sepse me dorën e tyre po ia nënshkruajnë vetes një të tashme dhe të ardhme shumë të keqe", tha Adem Salihaj.

 

Lexo edhe këtë: Apeli i ambasadorit Kosnett dridh drejtësinë 

 

(Kosova Sot)