Budapesti vazhdon të heshtë për kërkesën e Shkupit për ekstradimin e Gruevskit

  • 11 December 2018 - 15:27
Budapesti vazhdon të heshtë për kërkesën e Shkupit për ekstradimin e Gruevskit

Institucionet hungareze akoma heshtin për kërkesën e Qeverisë së Maqedonisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili para një muaji u arratis nga Maqedonia në këtë vend anëtar të BE-së, ku më pas ka marrë azil politik.

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë akoma nuk ka marrë kurrfarë përgjigje për kërkesën e as, siç sqarojnë për MIA-n që atje, ka ndonjë reagim zyrtar apo shkresë lidhur me këtë rast.

Gruevski u largua nga Maqedonia në momentet kur duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg për rastin me furnizimin e mercedesit luksoz. Derisa ekipet e gazetarëve dhe furnizuesit gjyqësorë e kërkuan adresën e tij, ish-kryeministri i Maqedonisë udhëtoi për në Hungari, përmes vendeve ballkanike fqinje.

“Nuk ka afat për përgjigje apo ekstradimin e personit të gjykuar”, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Por përvojat paraprake me ekstradimin e personave të gjykuar nga Hungaria siç ishte rasti në shtator, për shembull, janë zgjidhur shumë shpejtë. Megjithatë, rasti me Gruevskin është shumë specifik pasi bëhet fjalë për person, ish-kryeministër, i cili ka marrë azil politik në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian.

“Parë në aspektin juridik, specifika e këtij rasti është tek azili”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar se personi, kushdo qoftë, derisa ka mbrojtje ndërkombëtare nuk mund të ekstradohet në vendin amë.

Në rastin me Gruevskin, sipas procedurave për azil të Zyrës së Hungarisë për migrim çdo tre vjet përsëri shqyrtohet statusi i secilit që ka marrë azil në Hungari. Por, mbetet të shohim nëse do të pritet kaq kohë për rianalizimin e azilit dhe për ish-kryeministrin e Maqedonisë i cili ka marrëdhënie të afërta miqësore me kryeministrin aktual hungarez, Viktor Orban.

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë kërkesën për ekstradim e ka dorëzuar më 20 nëntor të këtij viti deri tek Ministria kompetente hungareze për ekstradim, por të njëjtën ditë Gruevski në një status në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se ka marrë azil politik në Hungari.

“Kërkesa për ekstradim ka të bëjë për zbatimin e aktgjykimit të plotfuqishëm gjyqësor në kohëzgjatje prej dy vitesh dhe për udhëheqjen e katër procedurave penale të cilat janë para gjykatave vendore, ndërsa treguam se për të udhëhiqen edhe katër hetime, si edhe një procedurë parahetimore për të cilat organet kompetente mund të fillojnë edhe procedura gjyqësore varësisht hetimit”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë, Gruevskit në mungesë i janë shqiptuar disa masa paraburgimi, por të paraburgosur janë bashkëpartiakët e tij për vepra për të cilat edhe ai akuzohet si Mile Janakievski, Kirill Bozhinovski…

Herën e fundit ish kryeministri i arratisur i është drejtuar opinionit në Maqedoni përmes një statusi në Fejsbuk më 20 nëntor.

“Republika e Hungarisë, shtet anëtare e BE-së dhe NATO-s, sot është përgjigjur pozitivisht në kërkesën time paraprake për azil politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil politik theksova se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM”, qëndron në statusin hyrës, njëherësh edhe i fundit në profilin e tij në Fejsbuk.

Por, nuk dihet nëse ish kryeministri i Maqedonisë ende është në Budapest apo ka vazhduar rrugën.

Në kryeqytetin hungarez gjithçka është në shenjën e festave të ardhshme të Krishtlindjeve dhe të fundvitit. Stuhia e ftohtë këtyre ditëve nuk pengon shumicën e turistëve të vizitojnë këtë qytet as edhe t’i zmbrapsë demonstruesit që gjatë vikendit kanë protestuar kundër ligjit të ri të punës. Kritika për sundimin e Orbanit arrijnë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga përfaqësues zyrtar të BE-së, ndërsa e fundit i kushtohet marrjes së mediave nga ana e një deputeti të partisë së tij. Por, kryeministri hungarez është i vendosur në politikat e tij dhe nuk lëshon pe nga hapat që ka marrë.

Drejtori i Qendrës për media të Hungarisë, Marius Dragomir në deklaratën për MIA thotë se është publikuar se ish kryeministri i Maqedonisë Gruevski është pranuar nga kryeministri hungarez Orban, por sipas tij vështirë është të thuhet nëse ai është në Budapest ose jo.

“Nuk e kam parë me sytë e mi”, thekson ai.

Për Orbanin, nga ana tjetër, thekson se ai u bë i njohur për atë se i ndihmon autokratëve dhe kriminelëve në Evropë, kështu që për atë edhe nuk është habi që e ka ndihmuar një njeri si Gruevskin.

“Ka shumë raporte për korrupsion në Qeverinë hungareze, kështu që Orbani së shpejti me siguri do të ketë fatin e Gruevskit. Kështu që ka kumtim ajo se pse i ndihmon tashmë personave të dënuar”, thotë Dragomir.

Eksperti mediatik hungarez, i cili më parë ka punuar edhe në Institutin Shoqëri e Hapur, konsideron se Qeveria hungareze duhet që ta kthejë Gruevskin në vend.

“Kërkesa e azilit  në një vend anëtar të BE-së nuk ka asnjë lloj kuptimi, ndërsa informacioni se Qeveria hungareze i ka dhënë azil vetëm tregon se është përhapur krimi i organizuar në rajon dhe se sa ai i kontrollon strukturat shtetërore”, deklaroi Dragomir.

Megjithatë nëse ndiqet deklarata e Eurokomisarit për Zgjerim Johanes Han, për ekstradimin e Gruevskit në Maqedoni me siguri do të pritet. Ai në Bruksel dje para fillimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së tha se nuk beson që Nikolla Gruevski do të ekstradohet nga Hungaria në Maqedoni.

I pyetur nëse i përkrah amendamentet e Parlamentit Evropian në raportin për Maqedoninë në të cilat kërkohet që Hungaria të kthejë Gruevskin në Maqedoni, Han u përgjigj se “shpreson se kjo do të ndodhë, por se ka shumë mundësi që të dy venet të mos kenë marrëveshje, por e kuptoj pozicionin e Parlamentit Evropian.

Duke reaguar në deklaratën e Hanit ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Peter Sijarto, shkurtimisht deklaroi se “komisari për zgjerim duhet që të kujdeset për zgjerimin dhe jo për proceset ligjore në vendet anëtare”.

Deklaratë lidhur me këtë rast pati edhe kryeministri aktual Zoran Zaev, i cili tha se nuk e humb shpresën për dërgimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Maqedoni edhe përkundër qëndrimit të eurokomisarit Han, i cili dyshon se kjo do të ndodhë dhe faktin se as Parlamenti Evropian nuk mund të bëjë asgjë lidhur me këtë çështje.

 

(Kosova Sot)