Krejt lidhjet e Enver Sekiraqës – dëshmia në gjykatë e Besnik Hasanit

  • 11 December 2018 - 16:27
Krejt lidhjet e Enver Sekiraqës – dëshmia në gjykatë e Besnik Hasanit

Dëshmitë e shokut të ngushtë të Triumf Rizës edhe sot bënë bujë në Gjykatë. Ai sot tregoi për grupin e Enver Sekiraqës, rrolin e Fjolla Morinës dhe lidhjet e Triumf Rizës me Adelina Ismailin.Media ka përcjellë gjykimin e sotëm, në të cilin janë parashtruar edhe disa pyetje të avokates së Enver Sekiraqës ndaj dëshmitarit, por të gjitha ato u refuzuan nga gjykata. Hasani, tregoi edhe për kërcënimet që Adelina Ismaili i ka marrë nga Enver Sekiraqa, madje përmendi edhe haraçin

Media ka vazhduar me përcjelljen e seancave gjyqësore për rastin e Enver Sekiraqës, që kur kjo lëndë është kthyer në rigjykim.

Duke qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2000 e deri më 2008, atëherë kur edhe u arrestua, Besnik Hasani, shoku i ngushtë i policit të vrarë Triumf Riza, dha dheshmi të shumta në gjykatë.

Raporti i këngëtares Adelina Ismaili me Triumf Rizë, dëshmitari tha se ishte dashuror.

Mirëpo, para se të njoftohej me Adelina Ismailin nga Triumf Riza, Besnik Hasani tha se e njihte edhe në rrethana të tjera.

“Adelina Ismailin e kam njoftë në rrethana normale, se vëllau im ka punu në Gjermani me muzikë atje. E kështu kam qenë pak a shumë si ndërlidhës me aranzhu neja të këngëtarëve tanë në Gjermani. E kam njoftë kështu, por edhe përmes Triumfit”, tregoi dëshmitari.

“Ata të dy kanë qenë dashnorë, për mos me thanë burrë e gru”, tha ai.

Besnik Hasani tha se Adelina Ismaili i kishte treguar atij se ishte duke u përcjellë nga Enver Sekiraqa. Madje, ajo i kishte thënë Besnik Hasanit se është e bindur se Enver Sekiraqa e ka vrarë Triumf Rizën.

“Adelina u kanë shumë e bindun që Enver Sekiraqa e ka vra Triumfin. Edhe vet ajo ka qenë e kërcënuar. Bile, e kam një incizim të saj në telefon, ku ka kallxu që dikush e ka thirrë në telefon edhe i ka thanë ‘ki me shku edhe ti si Triumfi shumë frik’”, tregon shoku i ngushtë i Triumf Rizës.

Adelina, Hasani tha se ka qenë gjithmonë e shqetësuar nga Enver Sekiraqa.

Por, dëshmitari e tregoi edhe një storje tjetër të një tentim konflikti, siç e quajti ai.

“Po e them edhe një send, produksioni im në Ferizaj ku kemi ba muzikë e ka pas edhe një diskotekë. Aty kemi pas kontratë me Adelinën që ajo me përformu. Ajo ka thanë se nuk mundet me ardhe me knu aty, sepse Enver Sekiraqa gjithmonë ia ka prish nejën, gjithherë e ka lajmëru Enver Sekiraqa që ka mi qit naj bombë edhe i ka bo presion”, tregoi dëshmitari fjalët e Adelina Ismailit.

Madje, Adelina tregoi se i kishte rrëfyer atij, se Enver Sekiraqa i ka marrë edhe para asaj, “e ka qit në haraç”.

Pas pyetjeve të Prokurorit Special Haki Gecaj, radhën për pyetje e mori avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.

Meqë Besnik Hasani është duke vuajtur dënim në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, për tri vepra penale, përfshirë këtu edhe shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, ku mbetën dy viktima, avokatja Kelmendi pyetjet e saj i pati tërësisht të natyrës së tillë, duke mos e pyetur asgjë për rastin të cilin ai u thirr për të dëshmuar.

Të gjitha pyetjet e avokates Kosovare Kelmendi u refuzuan nga ana e trupit gjykues, për shkak se ajo nuk kishin të bënin me rastin në fjalë, sipas gjyqtarit, dhe kështu nuk iu lejua Besnik Hasanit të japë përgjigje.

“A mundeni me na tregu pse gjendeni ju në Burgun e Dyzit? A është e saktë që ju jeni i dënuar për rastin e njohur si shpërthimi në lokalin Sekiraqa? A është e vërtetë se ju, gjithashtu jeni dënuar për vepër penale për vrasjen e trefishtë në fshatin e Dubravës të Kaçanikut? A është e vërtetë se ju keni qenë i dënuar për zhvatje në grupin e Xhabit Zharkut dhe për të trija jeni i dënuar me 64 vjet burg?”, ishin pyetjet e avokates së Enver Sekiraqës dhe që të gjitha u refuzuan.

Këtu, ndërhyri edhe Enver Sekiraqa, pas pyetjeve të avokates së tij ndaj dëshmitarit.

Sekiraqa tha se duhet të shikohet kredibiliteti i dëshmitarit.

“Të shikohet kredibiliteti”, tha shkurt ai.

Menjëherë pas kësaj, Kosovare Kelmendi, tha se mbrojtja nuk i parashtron pyetje dëshmitarit Besnik Hasani, pasi sipas tyre, ky dëshmitar nuk ka kredibilitet, “e aq më tepër që nuk pritet ndonjë objektivitet nga ana e tij, e lëre më të dëshmojë të vërtetën për të cilën është i obliguar me ligj, për faktin se ky dëshmitar është direkt në marrëdhënie armiqësore me Enver Sekiraqën”.

Andaj, mbrojtja tha se nuk presin, e as nuk kanë pritur asnjëherë që nga ky dëshmitarë të marrin përgjigje objektive. Kështu, avokatja tha “mbrojtja bojkoton dëshminë e këtij dëshmitari”.

Krejt në fund të kësaj seance, ashtu si edhe në seancat e tjera gjyqësore të këtij rasti, avokatja Kelmendi kërkon që Enver Sekiraqës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit në ndonjë masë tjetër ose në arrest shtëpiak.

E kjo kërkesë për zëvendësim të masës së paraburgimit dhe zëvendësimin me ndonjë masë tjetër u refuzua nga ana e trupit gjykues.

Enver Sekiraqa, është i akuzuar se ka nxitur që të kryhet vrasja e policit Triumf Riza, më 30 gusht të vitit 2007.

Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Enver Sekiraqa akuzohet për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, Triumf Rizës.

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 27 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen.

(Kosova Sot)