Zeqa: Thaçi e Pacolli po mundohen të bëjnë tregti djallëzore me territorin e Kosovës

  • 11 December 2018 - 18:02
Zeqa: Thaçi e Pacolli po mundohen të bëjnë tregti djallëzore me territorin e Kosovës

Sipas analistit politik Florim Zeqa, ky deklarim i Pacollit lë për të kuptuar se loja me veriun e vendit nga krerët shtetërorë të Kosovës nuk ka të ndalur."Thaçi e Pacolli po mundohen të bëjnë tregti djallëzore me territorin e Kosovës. Përderisa i pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi, shitjen e veriut mundohet ta bëjë kinse përmes korrigjimit dhe demarkimit nën mashtrim të kufirit me Serbinë, i dyti, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkon që veriu i Kosovës të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t'i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë"! Sikurse variantet e Thaçit, ashtu edhe ato të Pacollit, për qëllim të fundit e kanë jo zgjidhjen, por shitjen e veriut të Kosovës, sikurse të ishte pronë private e tyre", potencoi ai. Zeqa po ashtu thotë se përderisa vazhdojnë garën, se cili do të jenë më të shkathtë (Thaçi e Pacolli) në ndarjen e veriut, kryeministri Ramush Haradinaj është duke e zhvilluar lojën tjetër politike, atë të "betejës patriotike" të 100 %-it me Serbinë dhe atë të krijimit të ushtrisë pa emër dhe pa përmbajtje! Sipas analistit Zeqa, edhe transformimi dhjetëvjeçar i FSK-së në ushtri pa emrin e Republikës mund të jetë me shumë të panjohura dhe të papritura, derisa në anën tjetër qytetarët kosovarë, të joshur nga krijimi i ushtrisë nga ana e Haradinajt, e kanë harruar në tërësi planin ogurzi të Thaçit e Pacollit për ndarjen e Kosovës, thuajse Ligji për ushtrinë, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, do të bëjë përnjëherë FSK-në ushtri të fortë e moderne."Prapa kësaj loje të orkestruar për FSK-së në njërën anë, me lehtësi të madhe në anën tjetër mund të realizohet skenari serb për ndarjen e veriut të Kosovës dhe jo vetëm. Zhvendosja e kufijve në Kosovë mund të prodhojë situata të paparashikuara në rajonin e trazuar të Ballkanit", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)