Profesori i Parisit “shpërthen” ndaj BE-së për Specialen: Tash kur Kosova po ricopëtohet, po zhbëhet dhe...

  • 11 December 2018 - 18:01
Profesori i Parisit “shpërthen” ndaj BE-së për Specialen: Tash kur Kosova po ricopëtohet, po zhbëhet dhe...

Nezir Kraki, profesor dhe ligjërues në Universitetin e Parisit, përmes një postimi në facebook, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Evropian për Kosovën, ku së fundi kanë ardhur ftesat e para nga Gjykata Speciale për ish komandantët e UÇK-së.

Kraki, shkruan se Bashkimi Evropian është ushqyese dhe aleate e krimit në Ballkan.

"Tash hiq mos e nxirrni karten e Gjykatës speciale se asgje speciale s’ka aty veç pazare banditeske e politike. Misioni i BE-se ka një dekadë që është në Kosovë dhe sot s’ka asnjë rezultat të matshëm. Me qindra aventurierë ekzotikë shpesh në pension në vendet e tyre ose me jeta totalisht të çorganizuara vijnë e shkojnë nën flamurin e BE-së me imunitet diplomatik dhe rroga nga 7 mije deri ne 20 mije euro në muaj", ka shkruar ndër tjerash profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, përcjellë Kosova Sot.

Image
Nezir Kraki

 

Ky është postimi i plotë:

BE si ushqyese dhe aleate e krimit në Ballkan

S’kam besim në asnjë gjykatë, as speciale as normale. I ka dalë boja edhe drejtësisë.

Gjykatat për krime në Jugosllavi kanë qene gjithmonë institucione politike, asnjëherë gjyqësore. Prandaj, BE dhe bashkësia ndërkombëtare kanë 3 dekada që bashkpunojnë dhe bashkjetojnë me banditët dhe kriminelët më të rrezikshëm të Ballkanit.

Kjo ka ndodhë dhe vazhdon të ndodhë me Bosnen, me Serbinë, me Shqipërinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe me Kosovën. Në të gjitha këto shtete popujt janë të zënë rob nga bandat që veç politikë s’bëjnë. Dhe, për çudi, aleatët e vetëm të BE-së edhe sot mbeten të njejtat klika në këto shtete.

Janë mbi 15 milionë njerëz që sakrifikohen tash e sa vite për kinse stabilitetin rajonal. Normal, çmimin më të madh të stabilitetit e paguan shqiptarët. Por për cilin stabilitet flet BE?

Popujt e Ballkanit kurrë s’do e luftonin njeri-tjetrin nëse sistemet e tyre politike (shpesh Jo legjitime) nuk do i asfiksonin, izolonin dhe katandisnin deri në pikën e zhgënjimit kolektiv. Popujt e uritur janë të rrezikshëm sepse manipulohen më lehte nga ata që njeriun e shohin si ‘mish për top’.

Pse atehere BE nuk u brengos kurrë për varfërimin, vjedhjen dhe dhunimin e këtyre popujve? Sepse mireqenia sociale është stabilitet. Pse si mendoni ju që ruhet paqja në Francë apo në Gjermani? Përmes mirëqenies pra, jo përmes frikësimit të popujve dhe kërcënimit me izolim.

Ku jemi sot? Në sytë e BE-së shtetet tona u bënë banda e bandat shtet. Pse BE nuk e ndali kurrë bashkpunimin as me ata që ishin ËANTED por i bëri faktorë me pushtet dhe me pasuri. Tash ku në dreq të shkojnë popujt e vendeve tona? Kur ne dreq të shkojë populli i Kosovës të cilit BE ia mbyll derën dhe ia imponon bandat në krye?!

Tash hiq mos e nxirrni karten e Gjykatës speciale se asgje speciale s’ka aty veç pazare banditeske e politike. Misioni i BE-se ka një dekadë që është në Kosovë dhe sot s’ka asnjë rezultat të matshëm. Me qindra aventurierë ekzotikë shpesh në pension në vendet e tyre ose me jeta totalisht të çorganizuara vijnë e shkojnë nën flamurin e BE-së me imunitet diplomatik dhe rroga nga 7 mije deri ne 20 mije euro në muaj.

Personalisht, kurrë s’kam pritë që tipat e tillë do na kthenin punët mbarë sepse tipata e tillë nuk ketojnë pa « zona në tension ».

Dhe çka tash? Tash kur Kosova po ricopëtohet, po zhbëhet dhe populli saj i izoluar s’ka më shpresë, ju doni të lani mut me shurrë (me nder me thane) me disa ftesa patetike për në Hagë? Me këtë mendoni ta bleni edhe për pak kohë durimin dhe qetësinë e një populli të mjerë derisa kryebanditët e tij i « armatosni » me ide të reja për zhbërjën e Kosovës.

Ikni ore bashkautorë në krim se nuk ju shiten më as përrallat politike dhe as premtimet stabilizuese. Kurrë s’e kuptuat Ballkanin o byrokratë të sklerozuar nga inercia.

Kosova dhe Ballkani do bëhën ditën kur të çlirohen nga ky rrjet asfiksues ballkaniko-brukselian.

nk

(Kosova Sot)