Rrëfimi i plotë i arrestimit të shoferit të Gani Thaçit

  • 11 December 2018 - 18:37
Rrëfimi i plotë i arrestimit të shoferit të Gani Thaçit

?Shoferi i Gani Thaçit, Enis Qerka, ka përfunduar nën pranga të policisë të shtunën që lamë pas. Ai bashkë më të vëllain, një polic të Kosovës dhe një person tjetër, po dyshohen se janë pjesë e grupit që para një javë u zunë më 113 kilogram heroinë në Prishtinë. Ndaj tyre gjykata të hënën ka caktuar 1 muaj paraburgim. 

Enis Qerka, shofer i Gani Thaçit - vëllait të presidentit Hashim Thaçi, po rëndojnë dyshime të forta se është përfshirë në aktivitet kriminal. 

Ai është kapur të shtunën në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, si pjesë e grupit që më 2 dhjetor të këtij viti u zunë në Prishtinë më 113 kilogramë drogë të llojit heroinë.

Bashkë me të janë kapur edhe tre persona të tjerë. Vëllai i tij Selim Qerka, Labinot Zeneli dhe polici Gent Selaci.

E kolegët e këtij të fundit, u munduan ta minimizojnë arrestimin e tij dhe tre të tjerëve, përfshirë shoferin problematik të vëllait po ashtu problematik të Presidentit Thaçi.

me dy dhjetor kur kishte kapur 113 kg heroinë kishte thirrur konferencë për media. Aty kishte shpalosur edhe inicialet e katër të arrestuarve shtetas të Shqipërisë.

Ndërsa për arrestimin e 4 personave tjerë, pjesë të këtij grupi, janë mjaftuar vetëm me raportin e zakonshëm policor. 

Megjithatë, PK’ja në një përgjigje të martën për mediat nuk kanë pranuar se policia ka pasur tendencë të tillë, për ta minimizuar arrestimin e katër të dyshuarve që një ditë më parë gjykata Themelore e Prishtinës i ndaloi për një muaj në paraburgim.

“Lidhur me rastin të cilit ju keni referuar ju, iu informojmë se në kuadër të konferencës së mbajtur me 03.12.2018 ku kanë qenë pjesëmarrës stafi menaxherial i PK-së, me qellim të prezantimit të rezultateve dhe të arriturave të periudhës së muajit të fundit nga të gjitha departamentet, mirëpo në këtë konferencë është shfrytëzuar edhe prezantimi i rastit të arrestimit të katër personave të dyshuar dhe konfiskimit te 113 kg. heroinë të ndodhur më 02.12.2018”, thuhet në përgjigjen e PK’së. 

“Ndërsa si vazhdimësinë e këtij rasti, në vijim keni informacionet shtesë të bëra publike përmes raportit zyrtar të PK-së, ku sqarohet se ky raport shtese ndërlidhet me rastin e datës 02.12.2018”, thuhet tutje në përgjigje, duke shtuar pjesën e raportit të policisë të ditës së djeshme ku rasti është njoftuar në vetëm tre rreshta dhe pa asnjë inicial sic kishte ndodhur para një jave. 

“PKK Hani Elezit  02.12.2018-10:45. Lidhur me rastin me date 08.12.2018 janë arrestuar edhe katër te dyshuar meshkuj K-Shqiptar dhe si prova materiale janë sekuestruar: një veturë BMË, disa telefona celular, para etj. Me urdhër te prokurorit te dyshuarit dërgohen ne mbajtje”. 

“Për informacione të mëtutjeshme ju lutem ti referoheni organeve të drejtësisë pasi rasti ka kaluar në kompetencë të tyre”, ka sugjeruar në fund zyra për informim e Policisë. 

E pikërisht organet tjera të drejtësisë kanë zbuluar të hënën rastin të cilin policia është munduar ta njoftojë si të zakonshëm. 

Zëdhënia e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kishte konfirmuar të hënën në mbrëmje se kjo gjykatë ka caktuar 1 muaj paraburgim ndaj Enis Qekes dhe tre të arrestuarve tjerë. 

“Sapo iu është caktuar paraburgimi katër të dyshuarve për rastin të cilin po iu referoheni”, kishte thënë Mirlinda Gashi përmes telefonit. 

Prokuroria në kërkesën për paraburgim që e pranoi Gjykata, pretendon se Enis Qerka bashkë më të vëllain Selimin dhe policin Gent Selaci i kishin premtuar të dyshuarit Labinot Zeneli se do t’ia fshehin veturën e tipit BMW, më të cilën u kapën të shtunën në kufirin e Hanit të Elezit. 

Vetura, sipas Prokurorisë, ka qenë e futur në sistemin e Policisë për ndalesë, në atë mënyrë që me datën 8 dhjetor të këtij viti të dyshuarit me veturën e lartcekur janë ndalur nga Policia në pikën kufitare Hani i Elezit në dalje për në Republikën e Maqedonisë, të cilën veturë ka qenë duke e drejtuar Selim Qerka.

 

Me veturën në fjalë, sipas Prokurorisë, dyshohet se i dyshuari Labinot Zeneli bashkë me katër shtetasit shqiptarë të arrestuar para nja jave, Sadik Shalën, Xhemail Shalën, Mehmet Gjinin dhe me persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia në vazhdimësi kanë eksportuar dhe importuar pa autorizim substanca narkotike. Rrjedhimisht, më 2 dhjetor 2018 këtij grupi Policia e Kosovës u gjeti tre valixhe me heroinë që kapnin peshën deri në 113 kilogram.

Nga ana tjetër, Enis Qerka pas arrestimit u la në lloç nga shefi i tij Gani Thaçi. Vëllai i Presidentit të vendit tha se Qerka nuk ka qenë kurrë shofer personal i tij, po vetëm punonjës në Byronë Kosovare të Sigurimeve. 

Por krejt kjo u demantua kur në media u publikuan pjesë e kontratës së punës së Qerkës në BKS, e ku shihet se do të ketë në përgjegjësi vozitjen e zëvendës drejtorit ekzekutiv të kësaj byroje, në këtë rast Gani Thaçin. 

Ndryshe, Enis Qeka, bashkë më shefin e tij Ganinë, kohë më parë ishin përfshirë edhe në një tjetër incident. Ata kishin sulmuar dy zyrtar në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

E po ashtu në atë kohë Prokuroria Themelore e Prishtinës, Qekres i referoheshin si shofer i Ganiut. 

Për këtë rast kishte reaguar edhe vëllai President i Ganiut, Hashim Thaçi. Ai kishte thënë se Ganiu ishte përfshirë në një përleshje sporadike. 

 

(Kosova Sot)