Dy murgesha vjedhin paratë e studentëve për të shkuar në Las Vegas

  • 11 December 2018 - 19:39
Dy murgesha vjedhin paratë e studentëve për të shkuar në Las Vegas

Dy murgesha amerikane kanë pranuar të kenë përvetësuar rreth 500.000 dollarë, të cilat i përdorën për të luajtur kumar në Las Vegas. Motër Mary Kreuper dhe motër Lana Chang e shkollës katolike të St James në Kaliforni, përdorën para të mbledhura nga tarifat, pagesat e shkollës dhe nga donacione të ndryshme për udhëtimet e tyre.

Dyshja e cila bëhet me dije të jenë edhe shoqe të ngushta, janë aktualisht të dala në pension. Ata kanë kërkuar falje publikisht dhe janë zotuar të kthejnë paratë shkollës në të cilën kishin punuar.

Një nga anëtarët e bordit u shpreh: “Ata po marrin para nga fëmijët në shkolla, nga fëmijë të cilët kanë nevojë për këto para. Është e tmerrshme ta bësh diçka të tillë.”

Vjedhja u zbulua gjatë një kontrolli financiar të fondeve të shkollës. Murgeshat thuhet se i kanë shpenzuar paratë në mënyrë të shfrenuar në Las Vegas. Motër Kreuper më parë ka qenë drejtoreshë e shkollës për 29 vite, ndërsa Motër Chang ka qenë mësuese për 20 vite.

“Komuniteti ynë është i shqetësuar dhe i trishtuar nga kjo situatë dhe kërkon ndjesë ndaj cilitdo dëmtim që i është shkaktuar familjeve të shkollës sonë”, u shpreh gjithashtu bordi drejtues.

Në një letër të drejtuar prindërve të fëmijëve, drejtuesit e shkollës kërkonin që familjet të mos humbasin besim në institucionin e tyre.

 

(Kosova Sot)