Përulet Rama para studentëve: Më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi

  • 12 December 2018 - 11:01
Përulet Rama para studentëve: Më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi

Edhe këtë të mërkurë, në ditën e nëntë të protestës, kryeministri Edi Rama, është zgjuar me një përgjigje të tijën për studentët.

Në fakt, reagimi është i njëjtë, pasi kreu i qeverisë nuk ka asnjë reagim që të jetë në një linjë me atë që kërkojnë studentët. Rama i fton sërish studentët për dialog dhe negociata për 8 kërkesat që ata kanë ngritur. Një ftesë që është refuzuar në mënyrë kategorike nga studentët pasi ata presin vetëm plotësim të kërkesave dhe asnjë negocim mbi to. Përmes reagimit në rrjetin social Facebook, Rama shprehet i hapur për të plotësuar 8 kërkesat e studentëve, pasi i quan ato pikënisjen e një faze të parë transformimi të botës universitare, por shton se kjo do të arrihet vetëm pasi të bëhet pakti mes studentëve dhe qeverisë. Kjo është dhe pika që kundërshtohet nga studentët të cilët nuk duan asnjë dialog me qeverinë dhe asnjë takim të një përfaqësie me kryeministrin për të arritur paktin. Studentët e pritën deri dje në orë 16:00 kryeministrin Rama për ti plotësuar kërkesat, ndërsa për disa orë pas këtij afati ata bllokuan Zogun e Zi dhe u stacionuan para kryeministrisë ku një pjesë kaloi natën atje.

Rama thotë këtë mëngjes se nuk ka kohë për të humbur nëse studentët duan që tarifat të ulen para pushimeve të vitit të ri, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe opozitën. Rama thotë se është gati t’i plotësoje kërkesat pa asnjë kusht, dhe kërkon vetëm që studentët të ndajnë orën dhe vendin e takimit dhe e mbyll me një premtim se pas këtij takimi do të ketë diskutime për shumë më shumë se vetëm 8 pikat që kanë kërkuar studentët, për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.

“Të dashur studentë protestues,

gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim.

8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë VETEM SE BASHKU, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë.

Adresimin e 8 PIKAVE duhet të nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s'ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktoreshë Monës e të Profesor Lulit.

Unë jam gati dhe s'kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA:-)”, shkruan kryeministri Rama.

(Kosova Sot)