Zeqa: Prokuroria e shtetit të veprojë me urgjencë kundër shkeljeve kushtetuese të Hashim Thaçit

  • 12 December 2018 - 12:06
Zeqa: Prokuroria e shtetit të veprojë me urgjencë kundër shkeljeve kushtetuese të Hashim Thaçit

Analisti politik Florim Zeqa kërkon që Prokuroria e Shtetit të veprojë me urgjencë kundër shkeljeve kushtetuese të Hashim Thaçit në procesin e deritashëm të këtyre bisedimeve në dëm të shtetit. "Vërtet është paradoksale heshtja e Prokurorisë së Shtetit për nisjen e hetimeve për Hashim Thaçin, kur dihet që iniciativa e tij për të diskutuar për territorin e vendit bie në kundërshtim me Nenin 2 pika 2 të Kushtetutës, gjegjësisht me kompetencat e presidentit të vendit. I frikësuar nga kërcënimet e Speciales, Hashim Thaçi as që e kishte menduar se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës mund t'i kthehej në boomerang!

Andaj, Rama dhe Vuçiq, në bashkëpunim me Baton Haxhiun, nuk e patën të vështirë ta fusin presidentin Hashim Thaçi në lojën me kufijtë, për shkak të interesit personal të Thaçit që t'i ikën me çdo kusht Gjykatës Speciale, pa marrë parasysh çmimin që duhet ta paguante në kurriz të shtetit dhe popullit, gjë e cila e bëri presidentin e frikësuar që t'i bëjë gabim llogaritë e tij, duke u tregtuar i pamëshirshëm me territorin e pasuritë e Kosovës.

Kjo ishte një mundësi e artë e ndërkombëtarëve që ta zhveshin Hashim Thaçin nga pushteti moral në Kosovë, në mënyrë që më lehtë dhe pa asnjë pengesë ta prangosin për ta dërguar në Hagë! Ndryshe do ta kishin shumë më të vështirë ta dërgonin për në Hagë Hashim Thaçin e veshur me pushtet dhe autoritet moral e 'nacionalist' para qytetarëve të vendit", u shpreh ai.

" Tentativa e Hashim Thaçit për të implementuar pazaret dhe idenë e Vuçiqit për ndarje të Kosovë do të shënojë fundin e tij politik. Kjo po e tregon qartë lojën e ndërkombëtarëve me Thaçin dhe injorancën e tij të skajshme, gjegjësisht të rrëshqitjes nga udhëheqës politik të UÇK-së në një servil të papërmirësueshëm të Beogradit dhe çarqeve antishqiptare", tha Zeqa për "Kosova Sot".

 

 

Lexo edhe këtë: Aventura e presidentit për ndarjen e Kosovës

 

(Kosova Sot)