Aleksandër Vuçiq i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt

  • 12 December 2018 - 12:10
Aleksandër Vuçiq i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, deklaroi se shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nuk është fajtore për ndërprerjen e dialogut, pasi fajtorë për këtë mund të jenë vetëm dy palët, Prishtina dhe Beogradi.

“Le të mendojnë mirë në Prishtinë se kush është fajtor. Të mendojnë se cila palë dëshironte dialog dhe kush nuk e dëshironte atë” deklaroi Vuçiq për televizionin publik serb.

“Le të mendojnë mirë në Prishtinë se kush është fajtor, se kush është ai që ka dashur marrëveshje, e kush është ai që nuk ka dashur marrëveshje”, e citon e përditshmja e Beogradit “Novosti”, presidentin serb.

“BE-ja ishte aty për të ofruar shërbimet e veta të mira. Se a ishim ndonjëherë nën presionin e çdo gjëje, pak ishim, por kësaj në çdo kohë mund t’i kundërvihesh. Fundja çdo gjë varet nga Beogradi e Prishtina. Ne nuk kemi qëndrim të tillë personal ndaj Mogherinit, ekipit dhe punës së saj. Faleminderit që kanë investuar kohë dhe i kanë kushtuar rëndësi bisedimeve tona”, është shprehur Vuçiq.

Ai lavdëroi edhe Vjenën zyrtare “që e mbajti fjalën” dhe pasi rikujtoi se Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ajo pa u hamendur ia tha Prishtinës qëndrimin e saj në lidhje me taksat dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Vuçiq po ashtu ka përmendur se Prishtina nuk ka aplikuar masa të tjera ndaj Serbisë, sipas tij - sepse të tjerët i kanë thënë “Mos”.

“Pas dy a tri ditësh që Haradinaj dhe të tjerët kishin përsëritur se do të pasojnë masa të reja, përnjëherë hoqën dorë nga masat e reja. Këtë nuk e bën se tash ishin zgjuar, por pse ashtu u kishte thënë dikush”, transmeton media fjalët e Vuçiqit sipas raportimit të medieve serbe.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq është shprehur se “shqiptarët janë të gatshëm të sakrifikohen për Kosovën, se në sanksionet kundër serbëve në Kosovë e Metohi ‘kanë hyrë me zemër’ ndërsa shumë nga Serbia nuk janë aq të gatshëm të sakrifikohen për interesat serbe në atë territor”.

“Ne kemi një betejë të rëndë politike në të cilën duhet të qëndrojmë dhe të luftojmë për të marrë sa më shumë që është e mundshme. Shqiptarët, sa u përket atyre, e kanë shtetin e përfunduar dhe ata nuk do të lejojnë që kjo të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiq.

“Gjëja më e lehtë është që me duar, këmbë e koka të huaja të tregtosh... Merrini vetëm atashetë tanë politikë e ushtarakë dhe u thuani të shkojnë në Kosovë e Metohi ose diku tjetër pas pagave 3-4.000 eurosh, asnjëri nuk do të shkojë. Ndoshta po, por deri në ditën e parë me shi”, është shprehur Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën, ka fajësuar shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për siç tha “mbytje” dhe “çrregullim” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot)