Çfarë e lidhë të arrestuarin për trafik droge me familjen Thaçi?

  • 12 December 2018 - 13:29
Çfarë e lidhë të arrestuarin për trafik droge me familjen Thaçi?

Enis Qerka është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai, së bashku me vëllain e tij, një polic të Kosovës dhe një person tjetër, po dyshohen se janë pjesë e grupit që para një jave u kapën më 113 kilogramë heroinë në Prishtinë. Ndaj tyre gjykata të hënën ka caktuar 1 muaj paraburgim.

Qerka është një mbështetës i madh i familjes Thaçi, dhe në veçanti presidentit Hashim Thaçi

Në media u raportua se Qerka e kishte shef vëllain e presidentit Thaçi, Gani Thaçin, shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, duke shërbyer si shofer i tij.

Ndërkaq Gani Thaçi ka mohuar se Qerka ka qenë shofer i tij.

“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, kishte thënë Thaçi për një portal.

“Megjithatë, Enis Qerka nuk është shoferi im”.

Mirëpo Qeka, bashkë më shefin e tij, Ganiun, në tetor të këtij viti, të dy bashkë kishin sulmuar dy zyrtarë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Në atë kohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Qekres i referoheshin si shofer i Ganiut.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, kishte deklaruar se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij kanë qenë duke u hetuar si të dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është iniciuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha.

Enis Qerka është një admirues i madh i familjes Thaçi. Kjo vërehet nga postimet e tij në Facebook.

Qerka mbështet publikisht presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në qershor të 2014-ës, Qerka postonte fotografi bashkë me Thaçin.

Për të, Hashim Thaçi është numër një.

Ai në zgjedhjet e 2017-ës, kishte mbështetur edhe Evgjeni Thaçin, mbesën e presidentit Thaçi.

Ndërkaq, edhepse ekzostojnë fotografi të Qerkës me vëllain e presidentit Hashim Thaçi, Ganiun, në Facebook Qerka momentalisht nuk ka fotografi me të.

Gjatë askionit për arrestimin e Enis Qerkës dhe tre të tjerëve, atyre iu është konfiskuar edhe një veturë BMW.

Aksioni i policisë ishte vazhdim i atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.

Por, ndryshe nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.

Për këtë rast, Policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin e zakonshëm 24 orësh.

(Kosova Sot)